MENU
klinika

Një vit nga sulmi në Zveçan

KFOR kërkon ‘kokat’ e grupit serb: Autorët të vihen para drejtësisë

29.05.2024 - 15:36

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, kërkon që të përfshirët në sulmet ndaj pjesëtarëve të këtij misioni në Zveçan vitin e kaluar të mbahen përgjegjës.

Përmes një deklarate, me rastin e një vjetorit të protestave të dhunshme në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës – komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjenerali Ozkan Ulutas, tha se më 29 maj 2023, pjesëtarët e këtij misioni parandaluan “përshkallëzimin e mëtejmë të dhunës”.

“Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët vunë jetën e tyre në rrezik për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin. Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës”, ka theksuar Ulutas.

KFOR ka thënë se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës. Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda. Në njëvjetorin e protestave të dhunshme, KFOR-i tha se sulmet ishin “të paprovokuara dhe krejtësisht të papranueshme”.

NATO 1 mijë forca në Kosovë

Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë në Kosovë. KFOR ka trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe kontrollet përgjatë vijës kufitare.

“Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, ka theksuar KFOR.

Komandanti Ulutas shprehet se do të jenë të palëkundur për të kontribuar në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetit rajonal.

“Angazhimi ynë për të kontribuar për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, u shpreh Ulutas.

Çfarë ndodhi në maj 2023

Majin e 2023, serbët në veri protestuan kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill, pas bojkotimit të procesit zgjedhor nga serbët dhe partitë serbe. Kosova fajësoi Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato u kryen nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç”. Por, Serbia e mohoi një akuzë të tillë, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se dëshironte të shtynte serbët “drejt një konflikti me NATO-n”.

Në Kosovë deri më tani janë arrestuar dhjetë persona për dhunën në protesta dhe për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Më herët, KFOR-i ka deklaruar se shpresonte që Beogradi do të hetonte edhe ata persona “që u kthyen në Serbi” pas trazirave, duke thënë se pret që të gjithë autorët “të ndiqen penalisht”. Mirëpo, institucionet kompetente në Serbi ende nuk kanë komentuar për këtë çështje, gjegjësit nuk dihet nëse autoritetet serbe janë duke zhvilluar ndonjë proces ndaj personave që morën pjesë në sulmin ndaj KFOR-it.

Zhvillimet e një viti më parë nxitën tensione me Serbinë e cila ngriti shkallën e gatishmërisë së trupave ushtarake si dhe reagimin e ashpër të diplomacisë perëndimore e cila dënoi veprimet e autoriteteve të Kosovës.

Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj qeverisë së Kosovës për shkak të tensioneve në veri ndërsa i kërkoi plotësimin e disa kushteve për largimin e tyre, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit.

Qeveria u pajtua të organizojë zgjedhje të reja, përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual, i cili dështoi muajin e kaluar për shkak të bojkotimit të votimeve nga pjesëtarët e komunitetit serb.

Autoritetet në Kosovë i kanë thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj saj pas përmbushjes së detyrimeve për mbajtjen e procesit të votimit për largimin e kryetarëve në veri të vendit.

Zyrtarët të Bashkimit Evropian thonë se janë duke përgatitur një raport lidhur me përmbushjen e kushteve nga ana e autoriteteve në Kosovë për largimin e masave.