MENU
klinika

“Shkuam për t’i dhënë mesazh”

Avokati Mëngjesi në gjendje të rëndë, zbardhet dëshmia e një prej autorëve: E kishim planifikuar

30.05.2024 - 10:46

Është zbardhur dëshmia e një prej autorëve të dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi, ngjarje e ndodhur mëngjesin e së mërkurës (29 Maj) rreth orës 08:30 në zonën e ish-Bllokut.

I riu Dorian Alia i cili u vetëdorëzua pasditen e djeshme, disa orë pas ngjarjes së rëndë, ka rrëfyer se shkuan për t’i dhënë një “mesazh” avokatit, por shtoi se nuk e dinin që ai do të merrte dëme kaq të rënda.

Alia tha se ngjarja ishte e planifikuar, madje kishin studiuar edhe lëvizjet e Mëngjesit.

“Shkuam për t’i dhënë një mesazh. Nuk e menduam që situata do të rëndohej kaq dhe avokati do të merrte kaq dëme të rënda”, ka dëshmuar Dorian Alia.

Ndërkohë organizatori i dyshuar i sulmit, Dritan Nano ka mohuar të jetë i përfshirë në ngjarjen e rëndë.

Sipas burimeve juristi, i cili u dhunua brutalisht nga vëllezërit Drivald Alia 21 vjeç e Dorian Alia 19 vjeç dhe Elton Kasaj 33 vjeç, vazhdon të jetë në monitorim intensiv nga stafi mjekësor i reanimacionit.

Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua dje brutalisht në zonën e ish-Bllokut sapo kishte çuar fëmijën në kopsht.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ndodhi sapo avokati la djalin në kopsht në rrugën “Pjetër Bogdani” në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë. Avokati i ish-kryeministri Sali Berisha raportohet se në momentin që kishte lënë fëmijën në kopshtin në zonën e ish-Bllokut, autorët i janë afruar dhe e kanë goditur fillimisht me grushte e pastaj me sende të forta.

4 autorët e dhunës së avokatit Sokol Mëngjesi sipas policisë janë Romario Tabaku, Elton Kasaj 33 vjeç dhe vëllezërit Drivald Alia 21 vjeç e Dorian Alia 19 vjeç. Elton Kasaj është kushëri me vëllezërit Alia. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50 pranë banesës së avokatit në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ndërkohë policia ka sekuestruar kamerat për të identifikuar autorët e ngjarjes dhe janë marrë në pyetje dëshmitarët në vendngjarje.