MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Berisha dhe shtatë “xhuxhat” elektoralë

30.05.2024 - 17:08

Në sondazhin e fundit që zhvillova për Report TV këtë sezon, grafiku i fundit vlente sa një mijë fjalë! Ai tregonte se pothuaj gjysma e zgjedhësve të këtushëm të vendosur për të votuar qysh sot ishin gati t’ia jepnin votën partive opozitare. Por problemi ishte se votat shpërndaheshin në shumë parti opozitare (shihni grafikun e mëposhtëm).


PD-ja e Berishës është “Borbardha” opozitare në grafikun e mësipërm, me 28.8% të votave të zgjedhësve të këtushëm të vendosur për të votuar qysh sot. Dhe përkrah ka të paktën 7 “xhuxha” elektoralë, që nuk shkojnë mirë as me njëri-tjetrin e as me “Borëbardhën”. Kështu, “xhuxhi” më i madh është PD-ja e Bashës me 7.4% të votave, por një aleancë mes Berishës dhe Bashës nuk duket në horizont. Sidoqoftë, edhe nëse një aleancë e tillë ngjizet, përqindja e përkrahësve të Bashës do të bjerë, sepse shumica e tyre janë anti-berishistë…

“Xhuxhi” i dytë më i madh është PL-ja e Metës, me 3.9% të votave. Një aleancë e tij me Berishën është më se e mundshme (si vjet më 14 maj). Por së bashku ata marrin vetëm 32.7% të votave…

“Xhuxhët” e tjerë elektoralë janë përmbledhur në zërin “Parti të tjera”, ku përfshihen PSD-ja e Tom Doshit, PDIU-ja e Shpëtim Idrizit, PAA-ja e Agron Dukës, “Mundësia” e Agron Shehajt, “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, etj. etj. Dhe shumica e këtyre “xhuxhëve” të tjerë duket se e kanë ndarë mendjen që të mos bëjnë aleancë as me Berishën, as me Metën, e as me Bashën. Sepse përndryshe, elektorati i tyre mund të firojë goxha…

Me pak fjalë, megjithëse Berisha dhe 7 “xhuxhat” elektoralë mund të marrin pothuaj gjysmën e votave të këtushme (duke garuar veç e veç), mezi do të arrijnë të marrin 60 mandate me sistemin aktual elektoral. Dhe 80 mandatet e tjerë do t’i mbeten PS-së…

SHËNIM: Në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, PS-ja mori vetëm 48.7% të votave të vlefshme në rang vendi, por falë sistemit elektoral, siguroi 74 mandate. Në qoftë se PD-ja do kishte qenë atëherë e ndarë në dy pjesë të papajtueshme me njëra-tjetrën, PS-ja mund të kishte siguruar deri në 80 mandate.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN