MENU
klinika

Teza me tre nivele vështirësie

Matura, “ngujohen” hartuesit/ Në 3 qershor, provimi i parë gjuha e huaj

31.05.2024 - 17:47

Tre ditë na ndajnë nga provimet e maturës shtetërore. Rreth 28 mijë matuarantë në të gjithë vendin të hënën e 3 qershorit do ti nënshtrohen testit të parë, atij të gjuhës së huaj. Zëvndësministrja e Arsimit Nina Guga tregon se teza do të ketë tre nivele vështirësie dhe hartuesit e saj janë ngujuar në mjediset e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

“Tashmë që flasim ne mësuesit e gjuhëve të huaja janë të izoluar në QSHA, është një proces që deri në momentin që përfundon provimi çdo gjë është e izoluar. Testi i ka të gjitha pyetjet bazuar në programin orientues që maturantët kanë bërë në të gjitha vitet e shkollimi të tyre. Struktura e testit bazohet mbi totalin e pikëve 60 pikë, 20 pikë pyetjet me alternative, 40 pikëshi në pyetje me zhvillilm ose të hapura.”

Në testin e gjuhës shqipe dhe letërsisë që do të kryhet shtatë ditë pas atij të gjuhës së huaj zëvëndësministrja Guga thotë se një numër të konsiderueshëm pikësh do të ketë eseja. Provimet e maturës do të zgjasin 2 orë e gjysmë dhe do të zhvillohet në salla të mëdha të mbikqyrura me kamera.

“Mundësia është që ne ti zhvillojmë në mjedise të hapura, korriore, palestra, salla aktivitetesh të mëdha, ku të kemi mundësinë e monitorimit me kamera. Ne kemi 144 qendra provimi dhe mbi 70-% monitorohen nga kamerat. Administratorët nuk do të jenë mësues të shkollës ku mbikqyrin.”

Pas provimit të gjuhës së huaj dhe atij të gjuhës shqipe e letërsisë më 18 qershor maturanët do ti nënshtrohen testit të matematikës. Maturën shtetërore do ta mbyllin me 24 qershor me lëndën me zgjedhje.