Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se në një fshat të Leposaviçit janë gjetur dhjetëra uniforma të Policisë së Kosovës dhe asaj serbe.
Sveçla thekson se kjo është dëshmi se Serbia është përgjegjëse për sulmin në Banjskë.
“Mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë. Pas informacioneve inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviçit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë”, shkruan ai në Facebook.
Ministri i Brendshëm u shpreh se institucionet e Kosovës po parandalojnë dhe luftojnë tentativat e Serbisë për destabilizim të vendit.
“Është detyrë dhe obligim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”, tha Sveçla.