Largimi i një ministri të mbrojtjes prej një kohe të gjatë nga posti i tij nuk është asgjë e pazakontë, shkruan media amerikane “CNN”. Por, arrestimi i pesë zyrtarëve të lartë është qartësisht më shumë se thjesht një kërkim për gjak të freskët, veçanërisht në Rusinë e Vladimir Putinit.Pas përmbysjes shokuese, dy javë më parë, të Sergei Shoigu si ministër i mbrojtjes, një valë arrestimesh ka rrënuar pushtetin e lartë të ministrisë së mbrojtjes nën maskën e një fushate kundër korrupsionit, shkruan CNN, në një analizë për zhvillimet e fundit në Rusi. Pra, pyetja është, pse po shkundet tani ministria e ngarkuar për të fituar luftën? Analistët e përshkruajnë ministrinë e mbrojtjes si një nga më të korruptuarat në vend. Media shtetërore ruse ka njoftuar kontrata ushtarake me vlerë shuma të mëdha parash dhe ka turpëruar publikisht zyrtarët e lartë të ministrisë dhe stilin e tyre luksoz të jetesës. Por, sikurse tha një analist për CNN, ajo që ne po dëshmojmë është një “lojë komplekse policentrike”, që lidhet me kohën dhe kërkesën të Putinit për fitore kundër Perëndimit. Mbi këtë tronditje qëndron fantazma e Yevgeny Prigozhin, lideri i grupit mercenar Wagner, i cili më parë njihej edhe si “kuzhinieri i Putinit”. Para vdekjes, ai ka shprehur urrejtje për Shoigun dhe gjeneralin më të lartë të Rusisë, Valery Gerasimov, duke i akuzuar ata dhe ministrinë për korrupsion dhe paaftësi. Prigozhin udhëhoqi një rebelim në Moskë që supozohej të përfundonte me përmbysjen e Shoigu dhe Gerasimov. Në vend të kësaj, ai e vuri presidentin në pozitë të vështirë dhe sfidoi autoritetin e tij. Putin u përgjigj duke e përshkruar Prigozhin si tradhtar dhe ia hoqi pasuritë.