Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 3 qershori njihet si Dita Botërore e Biçikletës. Kjo ditë tërheq vëmendjen tek përfitimet që vijnë nga përdorimi i biçikletës, një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm financiarisht, i pastër dhe i përshtatshëm për mjedisin.
“Biçikleta kontribuon në ajër më të pastër dhe më pak ngarkesë në trafik si dhe e bën arsimin, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet e tjera sociale më të aksesueshme për popullatat më në vështirësi”, thotë OKB.
Biçikleta është një sistem i qëndrueshëm transporti që promovon rritjen ekonomike, redukton pabarazitë, ndërkohë që forcon luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Më 15 mars të vitit 2022, Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën për integrimin e biçikletave të zakonshme në sistemet e transportit publik, për një zhvillim të qëndrueshëm. Rezoluta theksoi se biçikleta është një instrument i transportit të qëndrueshëm dhe përcjell një mesazh pozitiv për nxitjen e konsumit dhe produkteve që kanë një ndikim pozitiv tek klima.
Autoritetet kujtojnë se aktiviteti i rregullt fizik me intensitet të moderuar si, ecja, çiklizmi ose sporti sjellin përfitime të rëndësishme për shëndetin.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, infrastruktura e sigurt për ecje dhe çiklizëm është gjithashtu një rrugë për arritjen e barazisë më të madhe shëndetësore. Prandaj, përmirësimi i transportit aktiv nuk është vetëm i shëndetshëm, është gjithashtu i barabartë dhe me kosto të përballueshme.