Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, u shpreh se opozita ka nevojë për ristrukturim. Ajo theksoi se djegia e mandateve ka qenë gabim i saj politik. Përballë gazetarit Sokol Balla, Kryemadhi theksoi se Meta ka qenë i informuar se vetëm Kryemadhi do ta digjte mandatin e deputetit, por jo se kjo qasje do të praktikohej edhe nga deputetë e tjerë.
“Opozita ka nevojë për ristrukturim. Gabimet e mia mund të jenë një mësim shumë i mirë për të tjerët. Ilir Meta e dinte se do ta digjte vetëm Monika Kryemadhi mandatin, dhe në mbledhjen e kryesisë me deputetët, unë këtu them se është gabimi im, Kam hyrë me mendimin që vetëm unë do ta digjja mandatin, ndërsa pjesa tjetër duhet të priste Ilir Metën, sepse në fund të fundit ishte ai themeluesi dhe ideatori i asaj strukture politike. Unë e fajësoj veten time, për shkakun se një lider kur hyn në mbledhjen e strukturës kur është i paqartë, tërhiqet merr kohën për t’u konsultuar, por mungesa e eksperiencës bëri që të ndërmerrnim një vendim. Nuk ka qenë në dijeni të djegies së mandateve, por as për të timin nuk ka qenë dakord”, tha ajo.