Gazetari i njohur, Artan Hoxha ka folur në lidhje me intervistën e kryeministrit Edi Rama në “RAI 3” si dhe për deklaratën e tij në lidhje me takimin e tij me Luftar Hysën. Teksa ishte i ftuar në një media, gazetari Hoxha zbuloi se kryeministri Rama është takuar me Hysën dhe se për këtë kanë foto nga momenti kur kanë dalë nga takimi, e që sipas tij, këtë takim e ka ndërmjetësuar këshilltari i kryeministrit, Dorian Duçkas. “Unë nxora foton e Ramës me Ardian Çapjan. Për takimin me Luftar Hysën ne nuk kemi foto brenda, por kemi foton jashtë duke dalë. Kur doli te emisioni i Blendi Fevziut gjysmën e emisionit u mor me mua. Por emri i tij ishte përmendur te “Panama Papers”. Arben Ahmetaj di ndarjen e parave dhe të flasë për to, jo të merret me teknikalitete. Ai është njeriu që menaxhoi paratë e Shqipërisë. Në materialet që pata nxjerrë atë kohë për Luftar Hysën, kazinotë ishin sulmuar, sepse donin t’ia merrnin nën kontroll në Meksikë. Pastaj erdhi në Shqipëri dhe janë dy hotele brand që janë edhe kazino. Hysa është qytetar i lirë. Janë vëllezërit bashkë. Ai nuk ka pasaportë kanadeze. Personazhi që ndërmjetësoi takimin në kryeministri ishte Dorian Duçka dhe foto kur del nga kryeministria është Duçka si këshilltar i kryeministrit, eurodeputeti gjerman dhe Luftar Hysa”, deklaroi Hoxha.
Hoxha: Ja pse Shqipëria nuk është narko-shtet
Më tej gazetari Artan Hoxha ka analizuar pjesën e dytë të dokumentarit të “RAI 3” që e cilësonte Shqipërinë si një “narko-shtet” në Evropë. Zoti Hoxha, deklaroi se Shqipëria nuk është një narko-shtet i pastër, pasi, sipas tij, kontrollohet nga SHBA dhe BE dhe se narkotrafiku nuk ka as kontrollin e territorit dhe as të shtetit, për të qenë një narko-shtet. “Narko-shtet është Ekuadori. Amerika Latine ka kryesisht, Afganistani që prodhon 80 për qind të heroinës. Shqipëria nuk është narkoshtet i pastër, se nuk është vend prodhues as për kokainë, as për droga sintetike. Pse Shqipëria nuk mund të bëhet një narko-shtet? Sepse jemi në Evropë dhe nuk na lënë. Një pjesë e mirë e parasë që vjen në Shqipëri vjen nga narkotrafiku që bëhet jashtë vendit. Jemi vend i rëndësishëm në Evropë për kanabisin. Nëse nuk do të kishim mbi kokë SHBA dhe BE do të ishim narko-shtet. Nëse nuk do të kishim kontrollin e tyre do të ishim. Ata nuk e kanë kontrollin e territorit dhe as të shtetit”, deklaroi Hoxha.
Reagimi i Ramës
Kujtojmë që Luftar Hysa në reportazhin e “RAI 3”, thuhet se pastron paratë e kartelit meksikan të Sinaloas. Ndërsa Rama gjatë intervistës për emisonin “Report” në “RAI 3”, u shpreh se me të kishte folur për një kazino që do hapej në Vlorë. “Atje (në Vlorë) është një investim i një familjeje vlonjate. I ati është një person i njohur në Vlorë sepse ishte një nga aktivistët e gjelbërt kundër Petroliferës Italiane. Ai është bërë i famshëm për këtë dhe familja e tij ka investuar në një nga hotelet më të bukura, pak nga pak Marina Bay. Pastaj ata që unë i njoh sepse jam deputet i Vlorës më thanë duam të të takojmë sepse është një kushëri, apo një i njohur, këtë nuk e di, që jeton në Meksikë dhe dëshiron të na ndihmojë, të na japë një dorë për të menaxhuar kazinonë. I thashë dakord. Hajdeni. Erdhën. I takova. Më thanë thjesht çfarë informacione mbi mundësinë e një gjëje të tillë dhe u thashë ne kemi një kuadër të thjeshtë për të stimuluar hotelet me 5 yje, që nuk kishte në Shqipëri bëmë një paketë pa taksa për 10 vite, TVSH 6%, zero tarifa për lejet e ndërtimit”, deklaroi Rama.
Kush është Hysa nga karteli i “Sinaloas” që i shkoi në zyrë Ramës?
Biznesmeni Luftar Hysa bashkë me tre vëllezërit e tij janë përmendur nga mediat meksikane si të lidhur me kartelin e drogës Sinaloa, kartelin më të fuqishëm në Meksikë. Në 4 tetor të vitit 2020, bashkë me Besnik Lulaj, pronarin e Marina Bay në Vlorë, vizituan zyrën e kryeministrit Edi Rama nën shoqërinë e deputetit gjerman të CDU-CSU, Mark Hauptmann dhe Dorian Duçkës, që në atë kohë ka qenë këshilltar i kryeministrit për investime nga jashtë. Duçka, i njohur si Personi B në aktpadinë e drejtësisë amerikane kundër ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal, ka shërbyer me sa duket si pika ndërlidhëse mes Hysës dhe kryeministrit. Charles McGnigal e ka pranuar fajësinë, si në ‘dosjen ruse’ dhe atë ‘shqiptare’ dhe prêt të marrë dënimin në shkurt të vitit të ardhshëm.
Çfarë raportonte media meksikane El Universal?
Artikulli shkruante se lideri i kartelit Ismael Zambada García, i njohur si El Mayo, ka krijuar lidhje të ngushta me vëllezërit shqiptarë Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa. Katër vëllezërit janë ortakë me Besnik Lulajn, pronarin e Marina Bay në Vlorë. Sipas burimeve të inteligjencës të konsultuara nga ‘EL UNIVERSAL’, katër shqiptarët zotërojnë një rrjet kazinosh dhe biznesesh në Sonora, Baja California dhe Quintana Roo në të cilat pastrojnë miliona dollarë nga krimi i organizuar, së bashku me avokatë. Përveç kësaj, ata investojnë shuma të mëdha parash në Shqipëri për t’i pastruar ato, në investime të fokusuara në aktivitetet e lojërave të fatit dhe në fushën e turizmit, ku ortak kanë Lulajn.
Reagimi i Hysajt
Në një intervistë në televizionin shqiptar, zoti Hysa tha se zotëron më shumë se dhjetë biznese “në të gjithë Meksikën”, të cilat po rezultojnë “shumë fitimprurëse dhe shumë fitimprurëse”. “Aktivitetet tona janë lojëra fati, restorante, bare,” shpjegoi ai. Ai mohoi çdo lidhje me kartelet dhe tha se nuk e kishte takuar kurrë “El Mayo”. “Unë drejtoj biznese legjitime, i bëj gjërat siç i lejon ligji dhe të vetmet pasuri që kam janë karizma dhe inteligjenca ime.”– tha Luftar Hysa, në një intervistë për televizionin shqiptar.