Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ishte e pranishme në një tryezë bashkëbisedimi, të organizuar nga Lëvizja Rinore për Integrim me gjimnazistët e kryeqytetit dhe strukturat e LRI në gjimnaze, ku në fokus të këtij takimi kanë qenë problematikat në fushën e arsimit.
Kryetarja e LSI-së Kryemadhi tha se LSI prej kohësh ka ngritur zërin për “Ligjin e Arsimit të Lartë”, ndërsa theksoi se problematikat në arsim nuk janë vetëm në universitete, por në të gjithë zinxhirin arsimor.
Ajo u ndal kryesisht te problemet që hasin gjimnazistët që lidhen me orët private, me kërcënimet politike të drejtoreshave të gjimnazeve etj.
Kryemadhi tha se Reformimi i sistemit arsimor nuk bëhet as me dëshirë e as me piktura, por me punë konkrete, përkushtim dhe vullnet politik.
“Reformimi i sistemit arsimor nuk bëhet as me dëshirë e as me piktura, por bëhet me punë, bëhet me përkushtim dhe mbi të gjitha bëhet me një angazhim dhe një vullnet politik të qeverisë, gjë e cila nuk vjen si rezultat i një partie politike, por reforma në arsim duhet të vijë si rezultat i një bashkëpunimi kombëtar. Pse e themi këtë kombëtar? Sepse partitë politike dhe qeveritë ndryshojnë sipas humorit të kryeministrit, por reforma në arsim, sistemi në arsim nuk mund të ndryshojë sa herë t’i dojë qejfi ministrit apo ministres apo drejtorit të përgjithshëm të arsimit të lartë apo të arsimit të mesëm e kështu me radhë”, tha Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Fjala e plotë e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi
Në rradhë të parë ju uroj të gjithëve një vit të mbarë 2019-ën për ju, familjet tuaja dhe shokët tuaj gjimnazistë. Ju jeni të gjithë strukturat tona drejtuese, përfaqësues të të gjithë gjimnazeve, koordinatorët tanë, dhe me kërkesën tuaj ne si LSI e filluam sot me një energji të re.
E filluam aktivitetin tonë politik, por përveçse është politik, është edhe njerëzor mbi të gjitha. Sepse të diskutosh me fëmijët, në fakt ju për ne jeni fëmijët tanë, të diskutosh me fëmijët dhe të dëgjosh se si ju keni dëshirë të mësoni më shumë, se si ju keni dëshirë që të keni një standard tjetër të arsimimit, kjo është fitore për ne. Është fitore për ne, sepse në rradhët tona ka njerëz të cilët e duan dijen, sepse pa dije nuk ka të ardhme.
Megjithatë ndihemi të obliguar ndaj të gjitha kërkesave tuaja dhe është më e pakta që mund të bëjmë. Kemi prej disa kohësh që e ngrejmë zërin për ligjin e arsimit të lartë, dhe nuk është problemi vetëm te ligji i arsimit të lartë, problemi qëndron te i gjithë zinxhiri i arsimit, duke filluar që nga parashkollorët, më pas te 9-vjeçarja, gjimnazi, universitari, pasuniversitari e kështu me rradhë. Dhe i gjithë ky zinxhir i arsimit përfundon me mundësinë e punësimit.
Sepse nuk mund të kesh arsim të saktë, nëse ti nuk u garanton nesër të rinjve vendin e punës. Dhe më pas nga punësimi kalojmë tek ekonomia, nga ekonomia te standardi i jetesës, nga standardi i jetesës te jetëgjatësia, te dinjiteti i kombit e kështu me rradhë. Pra ideja e një arsimi të fortë është kryesore. Jam shumë krenare për pjesëmarrjen tuaj në protestën që keni bërë ditën e martë në datë 11 dhjetor, kur të gjitha gjimnazet e Tiranës mbyllën dyert dhe u bashkuan me studentët. Dhe kjo është një nga momentet më të veçanta.
Kujtoj kohën time kur kam qenë gjimnaziste në vitin 1992, kur studentët e Tiranës protestuan për të hequr emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti, për të rrëzuar më pas bustin në 20 shkurt dhe gjimnazet e Tiranës ishin ata që ju bashkangjitën në mënyrën më të vrullshme kësaj lëvizje. Po kështu e njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitin 1997, kur ishte gjendje e jashtëzakonshme në Tiranë, kur gjimnazistët e Tiranës ishin ata që ju bashkangjitën në protestë popullit të Vlorës për tu solidarizuar me ta, kur në atë kohë partitë politike nuk ekzistonin.
Pra nuk kishte parti politike në 97-ën. Ishin fshehur me deputetë, me kryetarë partie, me çdo gjë, nuk kishte më, por kishte vetëm gjimnazistët të cilët ecnin rrugëve të Tiranës nga ‘Ismail Qemali”, nga “Sami Frashëri”, nga “Qemal Stafa”, nga “Petro Nini”, të cilët përballeshin me policinë, përballeshin me forcat speciale, ishin fëmijë si puna juaj sot, por ama ishte gjithë ky sensibilizim, i cili sensibilizoi të gjithë popullin e Tiranës, e nxorri atë në rrugë për të protestuar.
Në fund të fundit, këto ishin protesta ekonomike, sepse kërkonin paratë e tyre, të cilat i kishin humbur në firmat piramidale, por më pas nga dhuna që u përdor ndaj fëmijëve të Tiranës u kthye më pas në një protestë politike. Ajo që të bën përshtypje është se ashtu si studentët, të cilët janë ngritur për tetë kërkesat e tyre dhe që janë në thelb ekonomike, nga një bashkëbisedim që kemi pasur me gjimnazistët, ajo që të bën përshtypje është që mënyra e vlerësimit që u bëhet maturantëve apo gjimnazistit është me të vërtet, nuk mund të themi qesharake, por nuk e marr dot as kompetencën për të thënë që është profesionale apo jo profesionale, por përgatitja e një portofoli, i cili paska 20% të vlerësimit, ku portofoli ka një kosto shumë të lartë financiare për familjet tuaja, duke filluar që në përgatitjen e portofolit, dosjet, materialet, projektet dhe e gjitha kjo ngelet në bazë të dëshirës apo të humorit të mësueses, më pas vazhdon me quizet, dhe sistemin e tyre, testimin e vazhdueshëm nëpërmjet provimeve, që në fakt përsëri prapë asnjëherë nuk e kupton dot botën apo shpirtin e një nxënësi për ta vlerësuar dhe për ti dhënë atë që ai meriton, dhe aq më shumë për adoleshentët që kanë probleme të tjera shumë më të mëdha psikologjike dhe emocionale në krahasim me gjimnazistët apo me nxënësit e shkollave 9-vjeçare.
Ne sot kemi të pranishëm edhe zysh Norën dhe profesor Shezon, zysh Norën e kemi sepse ka qenë drejtoreshë tek “Qemal Stafa” që ta dini, profesor Shezo ka qenë Rektor i Universitetit të Tiranës dhe për hir të së vërtetës, pavarësisht se ku jemi sot, ku gjendet arsimi shqiptar sot, mund të themi me plotë gojë se në vitet e diktaturës arsimi shqiptar ka qenë shumë, shumë më lart seç është sot, sepse ajo ndihej në rezultatet e studentëve shqiptar, kur iknin me studime jashtë shtetit apo edhe në vitet e para të tranzicionit deri para 10 apo 12 vjetëve kur të gjithë maturantët shqiptar që shkonin me studime jashtë shtetit dilnin me rezultate ekselentë.
Më pas, po të vazhdojmë më tutje, do të shikojmë që sot një nga problemet që ka arsimi i mesëm është që ju jeni vetë koshient, se për çdo lëndë duhet të merrni orë private sepse në të kundërt do ta keni të pamundur për marrjen e rezultatit apo mesatares. Apo ana tjetër pastaj që në do ta diskutojmë më vonë, për të pasur edhe denoncime politike, kur vijnë kërcënime të hapura, që bëhen nga drejtoreshat apo mësueset, për sa i përket notës mesatare që vjen si problem në momentin e përzgjedhjes së lëndëve që keni për provimet e formularit A1, për të vazhduar Universitetin që të ndodhin përzgjedhjet.
Ajo që mendoj unë se është shumë e rëndësishme në këtë takim të strukturave drejtuese të gjimnazeve të Tiranës, ne mendojmë që është shumë e rëndësishme që pak nga pak të hartohet një rezolutë, nuk është e thënë se vulën e kujt forumi rinor do të ketë, por një rezolutë ku kërkesat e maturantëve dhe gjimnazistëve janë shumë të qarta, nuk janë kërkesa partiake. Janë kërkesa që kërkojnë një reformim të sistemit arsimor.
Reformimi i sistemit arsimor nuk bëhet as me dëshirë e as me piktura, por bëhet me punë, bëhet me përkushtim dhe mbi të gjitha bëhet me një angazhim dhe një vullnet politik të qeverisë, gjë e cila nuk vjen si rezultat i një partie politike, por reforma në arsim duhet të vijë si rezultat i një bashkëpunimi kombëtar. Pse e themi këtë kombëtar? Sepse partitë politike dhe qeveritë ndryshojnë sipas humorit të kryeministrit, por reforma në arsim, sistemi në arsim nuk mund të ndryshojë sa herë t’i dojë qejfi ministrit apo ministres apo drejtorit të përgjithshëm të arsimit të lartë apo të arsimit të mesëm e kështu me radhë.
Mos kalojmë më kurrikulat apo ke librat që botohen sipas dëshirave dhe mikut që kanë me ministrinë dhe shtëpitë botuese për t’i ofruar dhe për ti vendosur nxënësit dhe familjet shqiptare përballë blerjes. Unë me thënë të drejtën vij sot nga Kosova dhe më ka bërë përshtypje që gjithë Kosova që është shumë më e vogël se ne, qoftë në popullsi, qoftë edhe në buxhet, ajo që më bën përshtypje ishte se librat ishin falas nga shteti.
Kosova që ka 10 vjet shtet, që është shumë më e vogël se ne, që ka buxhet shumë më të vogël se ne, i ka librat falas. Ndërsa ne jo vetëm që s’i kemi falas, në përdorim jo e jo se nuk ta jep njeri të klasës së parë që të mos bëjë një vijë në libër dhe në momentin që ti e vizaton librin e ke të detyruar, por nga ana tjetër është edhe paga e mësuesit është më e larte, po normal që ne nuk mund të kemi mësues, që të cilët protestojnë, që të cilët nuk marrin pagën e trembëdhjetë. Ne nuk kemi mësues, të cilët protestojnë për paga të ulëta, për kushte të dobëta.
Sepse janë militantë partie, të cilët futen në sistemin arsimor vetëm për shkak të angazhimit të tyre politik. Dihet qartë mos të marr gjithë listën e drejtorëve të gjimnazeve të Tiranës, qoftë drejtoresha e Sami Frashërit apo e Petro Ninit apo e Qemal Stafës apo ai i gjimnazit të Paskuqanit, ku është një drejtor me mbiemër Noka, i cili ashiqare ushtron presion ndaj nxënësve. Ju lutem shumë denoncojini, sepse do të jemi ne ata ti falim. Do t’ju bëjmë ne presion atyre, sepse nuk mund t’ju bëjnë ata presion ju. Iku koha e presionit, iku koha e spiunave të Sigurimit të Shtetit që ju nuk i dini.
Ju iu duken si përralla, siç na tregonin ne përralla me mbretër që luftonin me shpatë. Kështu kemi luftuar dhe ne njëherë e një kohë me disa spiuna sigurimi, të cilët Edi Rama i ka kthyer duke i bërë drejtorë shkollash, duke ruajtur e përgjuar nxënësit, apo duke iu marrë telefonat nxënësve.
Prandaj është koha për t’u ngritur. S’ka nevojë për të shkuar në anarki, sepse nuk janë aq trima ata që të presin deri te anarkia, mjafton që ju të jeni të gjithë të bashkuar. Mesazhi i studentëve ka qenë shumë i qartë: Të bashkuar kemi për të fituar! Po u bashkuan edhe gjimnazistët në protestën e studentëve që në thelb të saj është vazhdimësi e juaja, sepse vitin tjetër pjesa më e madhe e juaja do të jenë studentë, kjo do të jetë një nga fitoret më të mëdha që ka arritur rinia shqiptare, duke lënë 100 hapa mbrapa politikën shqiptare, e cila ka nevojë për ndërgjegjësimin tuaj që për hir të së vërtetës, është ndërgjegjësimi që fëmijët i bëjnë prindërve të tyre.
Unë ju falënderoj dhe do të vazhdojmë përsëri bashkë për të diskutuar për pikat kryesore për të cilat shumë shpejt do të kemi dhe hapjen e sesionit parlamentar, shumë shpejt do të kemi edhe disa hartime të tjera, të cila ne si LSI bashkë me të gjithë frontin opozitar do të fillojmë ti hartojmë.
Do të shkojmë drejt abrogimit të Ligjit të Arsimit të Lartë, i cili është një ligj që për hir të së vërtetës ka ndryshuar të gjithë formën për shkak të akteve nënligjore që ka nxjerrë qeveria, që janë në funksion të individëve të caktuar dhe jo të universitetit, të krijimit të një universiteti autonom, por në krijimin e një universiteti që i merr dhe i asfikson dalëngadalë. Ju falënderoj dhe edhe njëherë ju them gëzuar Vitin e Ri!
Pavarësisht protestave të studentëve dhe protestave tuaja, librin mos e ndani nga dora. Telefoni dhe leximi virtual është i rëndësishëm, por prekja me dorë e librit është si ajo shprehja “Po s’e vure dorën mbi libër, është e pamundur ta bësh tëndin!”
Suksese!