Një tjetër koleksion i veçantë makinash relike retro janë ekspozuar në rrugët e pazarit të Gjirokastrës.
Këtë herë mjetet e rralla vinin nga Old Cars Club Bari një qendër e mirënjohur e koleksionistëve të mjeteve vintage kryesisht të prodhuara në Itali. Shumica e makinave të ekspozuara i përkisnin mesit të shekullit të kaluar dhe ishin trashëgimi e familjeve të drejtuesve të tyre. Vetë anëtarët e klubit të koleksionistëve thanë se tashmë pjesëmarrja në aktivitete të tilla është bërë një rutinë e rregullt për ta sepse vizitorët dhe kureshtarët janë të shumtë.
“Jam veçanërisht i kënaqur që vizitojmë një vend kaq të bukur dhe një qytet të vjetër karakteristik. Menduam të sillnim diçka antike në moshë por jo në shpirt. Ashtu si ne këto makina janë të reja megjithëse makina ime Giulia Alpha Romeo është gati 50 vjeçare tani. E kemi që prej vitit 1975”.
” Makina ime është 56 vjeçare. Është një Lancia Fulvia Sport dhe ka qenë vazhdimisht me ne. Shpesh kemi bërë shumë ture të ngjashme në Greqi por këtë vit jemi këtu dhe ndihemi shumë mirë me zgjedhjen.”
“Unë kam ardhur me makinën time një Ëolz e 1961. Vijmë nga Taranto megjithëse makina është targuar në Leçe. Këtë vit Shqipëria ishte një zbulim shumë i bukur jo vetëm për turin por për gjithçka që gjetëm këtu. Ne udhëtojmë me makina që adoptohen lehtë me terrenin dhe ende në gjendje shumë të mirë funksionale”, thanë disa drejtues makinash.
Eventi i veçantë që tashmë po krijon një traditë në Gjirokastër këtë herë erdhi si bashkëpunim i Bashkisë së Gjirokastrës dhe Ambasadës Italine si pjesë e eventeve të Javës Italiane të Kulturës.
Banorë e turistë kanë pozuar për orë të tëra para koleksionit të mjeteve relike me vlerë disa milionë Euro. Turi i makinave luksoze retro hyri në Shqipëri nga porti i Durrësit dhe do të vijojnë më tej drejt Greqisë.