MENU
klinika

Çfarë nevojitet për t’i dhënë fund luftës

Dështon plani i Biden, pas Izraelit e refuzon dhe Hamasi

07.06.2024 - 09:20

Një tjetër hap i rremë drejt paqes. Hamasi në fakt e ka hedhur poshtë propozimin izraelit për një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe zbatimin e një armëpushimi në Gaza. Sipas transmetuesit izraelit Kan, terroristët palestinezë pretendojnë se propozimi i paraqitur nga Izraeli është “thelbësisht i ndryshëm nga ai i paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden dhe nuk garanton asgjë më shumë se një armëpushim të përkohshëm”. Burimet e Hamasit, të cituara nga gazeta saudite, por me bazë në Londër, Asharq al-Awsat, shpjeguan se organizata palestineze kërkon garanci të qarta për përfundimin e luftës në Gaza pasi të nënshkruhet marrëveshja e pengjeve. “Izraeli po manipulon. Ata duan një armëpushim të përkohshëm dhe pastaj të fillojnë përsëri luftën”, saktësuan burimet, sipas të cilave izraelitët përdorin formula “të paqarta” në tekstin e marrëveshjes të cilat “janë të hapura për interpretim”. Sipas Times of Israel, megjithatë, qëndrimi i burimeve të cituara nga gazeta në pronësi saudite nuk duket të jetë një refuzim formal i marrëveshjes. Dje lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, bëri të ditur se organizata e tij do t’i qaset “seriozisht dhe pozitivisht” çdo marrëveshje armëpushimi bazuar në ndërprerjen totale të luftës dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, nga ana e tij, këmbëngul se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që e pengon Izraelin të përmbushë objektivin e tij për eliminimin e Hamasit. Sakaq, udhëheqësit e vendeve me qytetarë të mbajtur në Gaza i bëjnë thirrje Hamasit që të pajtohet me propozimin izraelit të shpallur nga presidenti amerikan Joe Biden të premten.