MENU
klinika

Çfarë paralajmëron Balla

“Do ta godasim krimin aty ku i dhemb më shumë”

11.06.2024 - 13:15

Nisi këtë të martë konferenca e 51 e Interpolit që do të mbahet për 3 ditë në Tiranë. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Jürgen Stock patën një konferencë për shtyp së bashku.

Ministri Balla paralajmëroi se policia shqiptare do ta godasë krimin aty ku i dhemb më shumë.

Ai tha se së shpejti do të dërgohet në qeveri projektligji për ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve që do të jetë një instrument që do të ndëshkojë krimin tek asetet që ka përfituar në mënyrë kriminale.

“Ajo që dua të shtoj ka të bëjë me angazhimin tonë për t’i shkuar në fund parimit “ndiq paratë”. Në ditët në vijim do të kalojmë në qeveri projektligjin për ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, e cila do të jetë një instrument i shkëlqyer për të bashkëpunuar qoftë me Interpolin, qoftë me agjencitë e vendeve partnere për ta ndëshkuar krimin aty ku i dhemb më shumë, tek asetet e përfituara nga aktivitetet kriminale. Kështu që do të kemi mundësi në ditët në vijim në një komunikim tjetër me ju për të shpjeguar ligjin e ri të Zyrës së Rikuperimit të Aseteve”, tha ai.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Interpol, Jurgen Stock, shtoi se të ardhurat e kapura nga sistemi i policisë ndërkombëtare kriminale tregon se krimi është bërë edhe më i fortë.

“1.7 miliardë të ardhura të përfituara nga krimi, që janë kapur nga sistemi çdo vit, na jep një të dhënë sesa të pasura janë të gjitha këto grupe kriminale dhe duke përdorur kriptomonedhat dhe sistemet bankare në gjithë botën, jo vetëm që kërkon informacion për t’u shkëmbyer, por edhe informacion në kohë reale. Interpol ka zhvilluar disa mjete për gjithë komunikimet në sistem mes vendeve për të shkëmbyer të dhënat në kohë reale. Dhe kemi një ide, që krimi është bërë edhe më i fortë”, tha ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Balla takim me drejtuesit e Policisë së Korçës

“100 banesat e para do t’u jepen familjeve të reja të policëve”