Ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.
Ai ishte kryetari i 22-të i Bashkisë së Elbasanit. Sejdini u zgjodh për herë të parë në mars të vitit 2007 dhe bëri betimin në maj të po atij viti.
Ai lindi në Elbasan në 12 shkurt të 1951. Ndoqi shkollën e mesme Jeronim De Rada dhe vazhdoi edukimin e tij të lartë në Universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës, nga 1968-1970, në degën e Edukimit Fizik.
Nga 1973-1978 vazhdoi studimet e larta në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, në degën Histori-Gjeografi. Në vitet 1983-1987, ai ndoqi studimet në Institutin e Edukimit Fizik Vojo Kushi në Tiranë.
Në 1970 Sejdini kreu shërbimin ushtarak, më pas në 1973 ai punoi si mësues historie, gjeografie dhe edukimi fizik në shkollën 9-vjeçare të Labinot Mal-it. Më pas në vitin 1974, ai u bë instruktori i Komitetit të Rinisë në Elbasan. Në vitet 1983-1992 ai punoi në Sport Klub Elbasani, fillimisht si Inspektor i lojrave me dorë e më pas ai zuri vendin e Shefit të Klubit të Sportit te Elbasanit.
Në 1995 Sejdini u zgjodh President i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Elbasanit. Një vit më vonë ai u zgjodh President i Shoqatës së Doganierëve të Shqipërisë dhe nga maji i 2002 deri në maj 2004 ai ishte President i Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
Në tetor 2002 deri në maj 2005 ai u zgjodh Prefekt i Prefekturës së Elbasanit.
Si kryetar i Bashkisë Elbasan, Sejdini shërbeu tre mandate, nga viti 2007 deri në vitin 2019.