MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Edhe Edi Rama u ka mbetur të mundin!

12.06.2024 - 18:50

Kishte një gëzim të papërmbajtur dje në godinën e PD dhe në rrugicën e Berishës, gëzim ky i mirëkuptueshëm. Është fitorja e parë pas 15 vitesh, që nga viti i largët 2009 dhe po ashtu si atëherë që iu desh bashkimi me Ilir Metën që ta realizonin, edhe këtë herë iu desh një aleancë jonatyrale me grupin e Gaz Bardhit. E quajnë aleancë në diversitet por në fakt është aleancë ibret, edhe më keq se ajo e 2009-ës me Ilir Metën, pasi asnjëra palë nuk e honeps tjetrën dhe të dy shikojnë me dyshim sho-shoqin.

Është një aleancë që ka rritur numrat në Kuvend por aspak në terren ku ata 105 mijë që nuk i votuan në 2023-shin nuk i votojnë edhe sikur t’ju thotë Basha ta bëjnë. Janë të padëshiruar nga faktori ndërkombëtar dhe deklaratat “non grata” me firmë e vulë të Departamentit të Shtetit dhe Foreign Office, nuk i përgënjeshtrojnë dot me foto grupi para godinave të tyre.

Gjithsesi kjo është puna e PD. Më shumë sesa në interes publik, beteja mes grupeve të opozitës kishte interes zbavitës për publikun. Tani kanë betejën reale që të mundin Edi Ramën. Dhe kjo nuk është një betejë me Lulzim Bashën por një garë me Edi Ramën e cila bëhet në një të përpjetë që makina e opozitës me një motor 80 vjeçar që nxjerr tym të zi edhe në fushore, me goma që rrotullohen secila për qejf të vet, vështirë se ia del të ngjisë maloren. Dhe për këtë nuk e ndihmojnë dot klakerët e propagandës që bërtasin nga karroceria me sponda të shqyera se tashmë ndërkombëtarët e pranuan opozitën dhe se ky bashkim e çon kamionin në qafën e pushtetit. E gjitha është një përrallë që të vë në gjumë por nuk të ndihmon në jetë. Aq më shumë kur në garë je me një kundërshtar që pavarësisht se ka korrupsion në çmimin e karburantit, blerjen e gomave, vajin e motorit, ka një Ferrari të kolauduar. Por siç edhe thuhet shpesh: Ëndrra janë, bën vaki edhe dalin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN