Hungaria nuk do të bllokojë vendimet e NATO-s për mbështetjen e Ukrainës, por ka vendosur të mos marrë pjesë në të, tha dje kryeministri hungarez Viktor Orban gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg në Budapest. Hungaria është në mosmarrëveshje me vendet anëtare të NATO-s për lidhjet e ngushta të Orbanit me Rusinë dhe mosgatishmërinë e tij për të dërguar armë në Ukrainë. Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto tha muajin e kaluar se planet për të ndihmuar Ukrainën ishin një “mision i çmendur”. “Hungaria e ka bërë të qartë sot se nuk do të bllokojë vendimet e NATO-s, të cilat, megjithëse janë të ndryshme nga vlerësimi ynë racional i situatës, ndahen dhe mbështeten nga pjesa tjetër e Aleancës”, tha Orban duke shtuar se ai mori garanci nga Stoltenberg se Hungaria nuk do të duhej t’i jepte para Ukrainës ose të dërgonte ushtar. Vendet perëndimore po shqyrtojnë mundësinë e trajnimit të trupave në Ukrainë, por NATO thekson se s’dëshiron të ndërhyjë drejtpërdrejt në konflikt. Budapesti ka bllokuar ndihmën për Ukrainën më parë dhe tensionet u rritën në një takim të fundit të ministrave të jashtëm të BE-së. Vizita e Stoltenerg në Budapest vjen një ditë pas samitit të krerëve të shteteve të krahut lindor të NATO-s në Riga. Hungaria nuk ishte e pranishme. Takimi ishte pjesë e përgatitjeve për samitin e NATO-s në Uashington në korrik, ku pritet një marrëveshje për 40 miliardë euro ndihmë vjetore për Ukrainën. “Kryeministri dhe unë ramë dakord sot që Hungaria nuk do të bllokojë aleatët e tjerë që të bien dakord për ndihmën financiare për Ukrainën dhe rolin udhëheqës të NATO-s në koordinimin e ndihmës për Ukrainën”, tha Stoltenberg.