MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Miti i PD-së dhe realiteti demokratik

13.06.2024 - 18:58

Mbas një sage të stërgjatë mori fund realiteti i vulës për dy pjesët e ndara organike të PD-së dhe pjesëzat e tjera, që nuk identifikoheshin, por që shfrytëzonin konjukturat. Për opozitën është mirë sepse tashmë gati një vit para zgjedhjeve normale mund të shpalosë organizimin e saj, ndërsa PD-ja të tregojë se çfarë mund të bëj “legalisht”. Për më tepër, ka prezencë në dy komisione hetimore dhe është pjesë përbërëse e nën\Komisionit Zgjedhor por mbi të gjitha tashmë ka tagrin edhe që të flasë ligjërisht. Problemi “i vogël” është non-grata e kryetarit Berisha dhe e ardhmja e partisë. Në anën tjetër po vegjeton Basha dhe grupi i tij. Jo më si Parti Demokratike, por si grupim pa emër. Për të kuptuar seriozitetin e tyre dhe largpamësinë kujton se në vend të kishin një alternativë dhe të shpalosnin atë që do të duhet të bënin me realitetin e ri, në mbledhjet pas Vulës kanë afruar disa alternativa që nga rekursi dhe deri tek ikja fare nga politika!! Të mendosh, se një pjesë e tyre sakrifikuan si pakkush duke i besuar Bashës dhe idesë së rij, materializimi i të cilës erdhi përmes programit, pak ditë më parë (paradoksalisht asnjë parashikim për të ardhmen e tyre, ndërkohë që do rregullonin Shqipërinë). Po kur shikon këtë gjendje kupton sesa respekt kanë për grupimin e tyre politik dhe programin. Nën rrogoz është edhe diçka që është thënë shpesh në trajtën e thashethemeve dhe që njerëzit nuk e kanë besuar, përfshirë arsyen e njerëzve: lojën e sofistikuar Berisha-Basha!!! Shenja e parë është realiteti, e dyta është “mefshtësia” e Bashës në këto orë të nxehta për të ardhmen, kur njerëzit, që ai ka në hipotekën e grupimit të tij, besohet se kapin plot 100.000 veta. Të ketë lënë një përgjigje pas datës 21 Qershor (fundi i mandatit të Berishës (?), këtë do ta shohim, por politika shqiptare do të ketë shumë zhvillime deri në zgjedhjet e ardhshme. Përballja e vështirë dhe reale do jetë e mbetet me SPAK-un. Dhe, ajo ka si ushqim emrin e Metës dhe e njerëzve të PS-së, pa harruar PD-në.

Nga ana tjetër, i çuditshëm mitizimi, që përmendin sot shumë individë për vlerat e të Djathtës tonë, që ka votuar për kaosin e pronave (7501) dhe të gjithë kuadrin ligjor, që është dashur për LGBT+, por individë të tërë të përmendin kanonet klasike të së Djathtës, duke folur për një vijë ideologjike, që më pak se çdo gjë ka lidhje me PD-në dhe grupimin e Bashës. Kurse sa i përket subjekteve dhe motiveve, që i shtyjnë shumë njerëz për këtë, kuptohet se një pjesë nuk bëjnë dot dallimet midis miteve për personat, ngjarjet, hapësirën dhe kohën, ose më shumë akoma mitet e themelit të vërtetë demokratik, origjinës, katarsisit së munguar, pohimit për vlerat, humbjes ose suksesit të vërtetë të PD-së. Tashmë, para misionit të madh për ta futur në hullinë e vërtetë PD-në, miti po u humbet busullën e realitetit, sepse fitorja dhe kthimi në pushtet i referohen kohës reale dhe jo kohës mitike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN