Amina ka qenë në klasën e shtatë kur talibanët e kanë marrë pushtetin në Afganistan, më 2021.
Pak pas marrjes së pushtetit, militantët ua kanë ndaluar adoleshenteve shkuarjen në shkollë, duke shuar ëndrrat e 14-vjeçareve për përfundim të shkollimit.
Disa muaj më vonë, familja e Aminas, që jeton në provincën qendrore Maidan Vardak, e ka detyruar atë të martohet me një burrë 37-vjeçar.
Amina, emri i së cilës është ndryshuar për t’ia mbrojtur identitetin, ka thënë se është “traumatizuar dhe sëmurë” kur ka marrë vesh për planet e familjes.
“Familja ime është përballur me vështirësi financiare, pas marrjes së pushtetit prej talibanëve”, ka thënë Amina, tashmë 16-vjeçare, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Burri i Aminas ia ka paguar familjes së nuses një shumë parash – traditë në Afghanistan – në vlerë të 12.000 dollarëve.
Shuma të tilla parash janë bërë shpesh shkas që prindërit t’i martojnë vajzat e tyre në mosha të hershme.
Amina është në mesin e mijëra vajzave të mitura që janë detyruar të martohen, prej rënies së Qeverisë afgane të përkrahur prej Perëndimit, në gusht të vitit 2021.
Aktivistët kanë thënë se ndalesa e talibanëve në fushën e edukimit ka kontribuuar në rritje të numrit të martesave me vajza të mitura. Sipas tyre, kriza e rëndë humanitare dhe mungesa e perspektivës profesionale, apo edukative, e ka rritur edhe më shumë këtë shifër.
‘Nuk kam pasur zgjidhje tjetër’
Mursal ka qenë 15-vjeçare kur familja e saj e ka detyruar të fejohet me një burrë më të madh në moshë.
“Nuk kam pasur zgjidhje sepse familja ime më ka thënë që në mungesë të edukimit, mundësi të vetme e kam martesën”, ka thënë Mursal, tani 17-vjeçare.
Mursal, emri i së cilës, po ashtu, është ndryshuar për t’ia mbrojtur identitetin, ka thënë se e ka pasur ëndërr të bëhet doktoreshë.
Për disa familje, fakti që i martojnë vajzat ua ofron një lloj sigurie: më pak persona për të ushqyer, në kohën kur shteti po përballet me krizë humanitare dhe vështirësi të mëdha ekonomike.
Disa prindër i kanë martuar vajzat adoleshente për të shmangur martesat e detyrueshme me luftëtarët talibanë.
Mirëpo aktivistët kanë thënë se vendimi i talibanëve, i shtatorit të vitit 2021, për t’ua ndaluar shkollimin miliona vajzave pas klasës së gjatë, ka ndihmuar në rritje të shkallës së martesave.
Më 13 qershor bëhen 1.000 ditë prej kur talibanët e kanë vendosur ndalesën, çka ka nxitur dënim ndërkombëtar dhe protesta brenda Afganistanit.
Përgjatë gati tre vjetëve në pushtet, grupi militant ka kufizuar të drejtat e grave dhe vajzave: ua ka ndryshuar veshjen në publik, lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për të punuar dhe studiuar.
‘Shumë e rrezikshme’
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë [UN Women], numri i martesave të të miturve është rritur për gati 25 për qind prej marrjes së pushtetit nga talibanët.
“Kjo është e tmerrshme dhe shumë e rrezikshme për të ardhmen e Afganistanit”, ka thënë Shaharzad Akbar, aktiviste për të drejtat e grave, e cila më parë ka udhëhequr Komisionin e pavarur afgan për të drejta të njeriut.
Akbar, që tani udhëheq organizatën e pavarur Rawadari, ka thënë se hulumtimi ka vënë në pah ndikimin jashtëzakonisht të keq të talibanëve në edukimin e vajzave adoleshente afgane.
“Në të ardhmen, ne nuk do të kemi studente në universitet”, ka thënë ajo.
“Nuk do të ketë gra në sektorin e shëndetësisë apo gra tjera që tjera me kualifikimet e duhura”./REL