MENU
klinika

Analiza e DW

Çfarë do të bënte realitet ëndrrën për “Serbinë e Madhe”

16.06.2024 - 12:14

Më 11 qershor 2024 ndodhi, ajo që udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik, e kishte pritur prej vitesh: Në emër të Moskës ambasadori rus në Bosnje dhe Hercegovinë, Igor Kalabuçov, hapi një degë të ambasadës së tij në epiqendrën e Dodikut, në Banja Lukë. Gjatë ceremonisë u prononcua përmes një lidhjeje me video edhe ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov.

Kalabuçov në televizionin boshnjak dy herë pati kërcënuar me “skenarin e Ukrainës”, në rast se Sarajeva do të vazhdojë të afrohet me NATO-n, këtë ai e pati bërë edhe pas pas invazionit rus në Bosnje dhe Hercegovinë, në Republika Srpskan (RS) e dominuar nga serbët, udhëheqja e së cilës nën presidentin Milorad Dodik planifikon shkëputjen nga shteti i përbashkët boshnjak dhe bashkimin me Republikën e Serbisë. Kjo do të bënte realitet “ëndrrën serbomadhe”, pra Serbinë e Madhe të ish-Jugosllavisë duke u bashkuar në një shtet. Këtë qëllim politik e kishte ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili në vitet 1990 u përpoq ta realizojë atë me mjete ushtarake – ai ishte iniciatori kryesor i katër luftërave në të cilat humbën jetën gati 150.000 vetë dhe mbi katër milionë u bënë refugjatë. Vetëm kur NATO ndërhyri më 1995 në Bosnje dhe më 1999 në Kosovë përmes sulmeve të ashpra nga ajri kundër agresionit serb, forcat serbe u dorëzuan.

Rreth 30 vjet më vonë qeveria serbe nën presidentin Aleksandar Vuqiç dhe e inkurajuar edhe nga politika agresive e Moskës, e ka rianimuar “fantazmën e Serbisë së Madhe” të konsideruar deri vonë si të harruar, duke përdorur tani konceptin “bota serbe” (Srpski svet), sipas modelit të Vladimir Putinit me “bota ruse” (Russki mir). Një sërë ish-mbështetës të Millosheviçit janë përsëri në poste, ndër ta edhe ministri i Brendshëm Ivica Dacic, i cili herë pas here gjermanët i cilëson si “gjenocidal”.

Festë e përbashkët serbe

Vuçiç dikur ka qenë ministër i Informacionit dhe anëtar drejtues në partinë radikale serbe të të dënuarit për krime lufte, Vojislav Seselj, forcat paraushtarake të të cilit kanë kryer krime të panumërta lufte në Kroaci dhe në Bosnje. Në korrik 1995 – në ditët e gjenocidit të Srebrenicës – ai kërkoi në parlamentin e Beogradit, që për çdo serb të vrarë në Bosnje të vriteshin 100 myslimanë boshnjakë. Deri më sot presidenti i Serbisë nuk ka kërkuar falje për këto.

Është interesant nga ana tjetër, që kanali rus Telegram sot me influencë si “Rybar”, i cili përhap propagandë pro ruse lufte dhe autori i të cilit Michail Svintçuk ndodhet nën sanksionet e BE-së, në pranverën 2024 hapi “shkolla mediesh” në Serbi dhe në RS.

Më 8 qershor Vuçiq dhe Dodik në Beograd mbajtën një mbledhje të përbashkët të qeverive të Serbisë dhe të Republika Srpska nën moton “një popull, një mbledhje: Serbia dhe Srpska” – me Srpska nënkuptohet RS. Në këtë “asamble panserbe” Dodik erdhi direkt nga Moska, ku ai pritet vazhdimisht përzemërsisht nga presidenti Vladimir Putin dhe ministri i Jashtëm Sergej Lavrov. Në një mesazh përshëndetjeje Lavrov tha: “Bashkë me popujt e tjerë liridashës ne do të ndërtojmë një rend të ri botëror.” Vuçiç më parë pati thënë, se populli serb është i bashkuar dhe ndahet vetëm prej lumit Drina. Asambleja vendosi, që në të ardhmen të kremtohet bashkërisht festa kombëtare serbe më 15 shkurt në Serbi dhe në RS.

Garanci stabiliteti?

Në Perëndim duket se të paktën qeveria gjermane e ka kuptuar seriozitetin e gjendjes, sepse zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, asamblenë e Beogradit e komentoi si “thënë në mënyrë të moderuar, shumë shqetësuese dhe të dëmshme për Bosnjen dhe Hercegovinën, për Serbinë dhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Të tilla fjalë kaq të qarta ndërkohë nuk janë të vetëkuptueshme në Perëndim, sepse shumë politikanë në BE e madje edhe disa në qeverinë e SHBA-së tek Vuçiçi shohin një “garantues stabiliteti”, pikërisht, ashtu sikurse e shihte Perëndimi asokohe deri më 1999 ish-shefin e Vuçiqit, Millosheviçin si “spirancë stabiliteti” në Ballkanin Perëndimor. Vështirë të kuptohet kjo megjithatë në sfondin e faktit, se përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnje dhe Hercegovinën, Christian Schmidt, detyra e të cilit është mbrojtja e Bosnjës dhe mbrojtja e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, në përgjithësi është mjaft i tërhequr.

Pasivitet i përfaqësuesit të lartë

Gjykata Kushtetuese boshnjake më 9 janar, e shpalli si antiligjore ditën e themelimit të Republika Srpska në vitin 1992, – duke e ndaluar ditën secesioniste të festës dhe paradën e paraushtarakëve. Megjithatë kjo festë kremtohet dhe as që perceptohet nga përfaqësuesi i lartë Schmidt, organizata të tjera dhe zyra e përfaqësuesit të lartë. Kjo pavarësisht faktit që udhëheqja boshnjako-serbe në këtë ditë bën sikur, RS të ishte një shtet më vete, ashtu si edhe krahinat separatiste ukrainase Luhansk dhe Donezk bashkimi i të cilave me Federatën Ruse në shtator 2023 nuk është njohur në nivel ndërkombëtar. Schmidt rezervohet të kritikojë edhe Vuçiçin apo qeverinë e tij, pa të cilat Dodik nuk do të kishte kaq shumë pushtet.

Ky pasivitet i Schmidtit i shkon mjaft për shtat palës nacionaliste serbe. Edhe gjatë një vizite së fundi tek presidenti francez Emmanuel Macron Vuçiç tematizoi çështjen e mbylljes së funksionit të përfaqësuesit të lartë për Bosnjën dhe Hercegovinën. Por pavarësisht dobësisë së Schmidt-it, posti i tij është “linja e fundit mbrojtëse” e shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Lule në varrin e Stalinit

Është e paqartë, nëse Perëndimi dhe Schmidt po bëhen më të ndërgjegjshëm për konfikltin kërcënues në Bosnje, e nëse ato ndërgjegjësohen, më në fund duhet të veprojnë. Po ashtu është e paqartë, nëse SHBA vërtetë sikurse kanë deklaruar, do ta mbrojnë Bosnjën si shtet, në rast se në të ardhmen president do të jetë Donald Trump. Një gjë është e sigurt: Nëse Beogradi dhe Banja Luka shpallin bashkimin mes tyre me bekimin e Moskës, atëherë do të jetë shumë vonë.

Sa cilët janë garantuesit e stabilitetit në Europën Juglindore, kjo mund të lexohet ndonjëherë në disa shembuj në dukje të vegjël, por me shumë domethënie. Si p.sh një gjest në Moskë i zëvendëskryeministrit Vulin, që edhe në kohën e Millosheviçit ka qenë funksionar shteti me influencë dhe vitet e fundit edhe shef i shërbimit sekret e ministër i mbrojtjes. Më 11 qershor Vulin në Kremlin u përkul me nderim përpara bustit të vrasësit masiv Josef Stalin duke vendosur lule në varrin e tij./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Putin në gatishmëri të destabilizojë rajonin”

‘Die Welt’ alarm për konflikt të ri në Ballkan: BE e ka lënë pas dore

"Një ditë e madhe për Serbinë..."

‘Open Balkan’/ Marko Çadez: Samit historik!


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!