MENU
klinika

Fatos Çoçoli nxjerr detajet e fundit

Pensionistët do të marrin më pak lekë se vitin e kaluar

21.06.2024 - 13:11

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli ka komentuar situatën ekonomiko-sociale në vend. Janë më shumë së 15 mijë qytetarë që çdo vit dalin në pension. Por cila është praktika që ndiqet dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë këta qytetarë që dalin rishtazi në pension? Ndërkohë prej dy vitesh aplikimet për pension bëhen online. Për ata të cilët mund ta kenë të vështirë që të aksesojnë shërbime që ISSH ofron online. Por a u ofrohet asistencë dhe a kanë ata mundësi që të paraqiten pranë zyrave të sigurimeve shoqërore dhe ta marrin shërbimin aty? Nga ana tjetër, muaji tetori duket se është lënë sërish për indeksimin e pensioneve. Për këto dhe tjera pyetje që shqetësojnë të moshuarit, gazeta “SOT”, bisedoi me ekspertin Çoçoli, i cili ka zbardhur detaje dhe ka bërë disa parashikime. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Çoçoli mes të tjerash thekson se pensionistët do të marrin më pak lekë se vitin e kaluar.

-Zoti Çoçoli, janë më shumë së 15 mijë qytetarë që çdo vit dalin në pension, cila është praktika që ndiqet dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë këta qytetarë që dalin rishtazi në pension?

Praktika është pak a shumë e konsoliduar në atë që duhet të paraqesin në atë që quhet libreza e punës, pra dokumenti që vërteton se gjatë periudhës kur qytetari ka punuar dhe ka qenë me kontratë pune në x sipërmarrje shtetërore apo private dhe libreza e punës i ka vitet të dokumentuara, dhe titullari i vulos dhe firmos, kur qytetarja ka mbushur moshën e pensionit. Ky është dokumenti i parë që qytetari që ka mbush moshën e pensionit të paraqes pranë Sigurimeve Shoqërore. Në rastet kur ka punuar po nuk e ka plotësuar këtë librezë, duhet të shkojë në x ndërmarrje që ka punuar dhe të marr vërtetimin në rast se nuk do ia japin më librezën për faqet që nuk ka plotësuar. Të gjitha këto llogariten për efekt të derdhjes së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Dhe dy është një dokument që duhet të plotësohet e më pas ISSH llogarit masën e viteve për pension. Për fat të keq shumica e qytetarëve nuk arrijnë dot të mbushin vitet e plota të punës për një arsye apo një tjetër e si e tillë nuk marrin dot një pension të plotë. Këto janë të gjitha dokumentet e nevojshme që qytetari duhet të ketë dhe dosja të jetë sa më e plotë kur të dorëzohet pranë ISSH-së. Në rast se ka mungesë të dokumentacioni e nuk pasqyrohen vitet e plota të punës, atëherë do të ketë pension të pjesshëm e të mangët, pasi këto vite nuk figurojnë në ISSH.

-Prej dy vitesh aplikimet për pension bëhen online, për ata të cilët mund ta kenë të vështirë që të aksesojnë shërbime që ISSH ofron online. Por a u ofrohet asistencë dhe a kanë ata mundësi që të paraqiten pranë zyrave të sigurimeve shoqërore dhe ta marrin shërbimin aty?

Të gjithë qytetarët që kanë mbushur moshën e pensionit dhe duan të aplikojnë edhe fizikisht, kanë mundësinë ta kryejnë pranë zyrave të ISSH-së, ku jo kanë harruar password-in e e-Albania apo nuk kanë një telefon që të aksesojnë internet. Në çdo pikë të ISSH iu ofrohet qytetarëve ndihma e nevojshme. Ka raste të shumta në praktikë që o përmes dijes o në mungesë të një telefoni mobile, në të gjitha zyrat e ISSH, nuk ka patur ndonjë rast të mos iu ofrohej ndihma nga ana e punonjësve.

-Në momentin kur qytetarët nuk janë dakord me masën e përfitimit që u është caktuar nga ISSH, kanë mundësi të kërkojnë rillogaritje?

Ka shumë raste të tilla, e ndoshta me qindra në rastin më të mirë kur qytetari apo qytetarja është e pakënaqur në llogaritje që ka marrë në bazë të dokumentave që ka dorëzuar. ISSH-ja zakonisht ndjek dy qasje, me marrjen e ankesës, aty ku shpjegon se kjo ankesë është e bazuar dhe kur shikon se ka realisht vend për të korrigjuar. Në shumicën e rasteve i kthen një përgjigje për të thënë se nuk është i bazuar pretendimi juaj për përfitimin e një pensioni y, kur ndërkohë që në ISSH del një tjetër vlerë x. Në këtë rast ndiqet rruga gjyqësore për qytetarin që ka një ankesë por ka raste që zgjidhet rasti. Megjithatë, ka shumë raste kur ISSH nuk ndryshon vlerën e caktimit të pensionit për x qytetar dhe pas padisë dhe delegimin e çështjes në shkallë të dytë gjyqësore. Në tërësi të pjesën më të madhe të rasteve që unë di, gjykata kalon çështjen në favor të ISSH dhe pse qytetari në dukje ka të drejtë, por në mungesë të dokumentacioneve të plota, qytetari nuk ka mundur që marr pensionin e plotë. Por edhe në mungesë të dokumentacioneve të plota, si në rastet e punonjësve që kanë punuar në kooperativave bujqësorë në vite më parë, kanë mundësinë ta faktojnë nëpërmjet dëshmive të faktit duke marrë dëshmitarë në gjykatë, të cilët kanë punuar së bashku.

-Sipas gjasave, tetori është lënë sërish për indeksimin e pensioneve. Mendoni se do të jetë më e lartë rritja se vitin e kaluar?

Mendoj se për shkak të faktit se inflacioni i veçantë, i cili mat dhe shpenzimet e mallrave të shportës, kryesisht ushqimore por edhe atyre të kujdesit parësor e shëndetësor. Është pak më i ulët përgjatë kësaj periudhe kur do të indeksohet sesa e njëjta periudhë janar-shtator, në tremujorin bazë të vitit të shkuar. Kjo gjë ka të bëj dhe në lidhje me mbi bazat vjetore. Unë gjykoj se masa e indeksimit do të jetë pak më e ulët por dukshëm është më e lartë se inflacioni vjetor. Inflacioni i përfshirë i të gjithë mallrave të përfshira, ku është dukshëm në pikat më të ulta, poshtë shifrës maksimale ku Banka Qendrore ka atë që duhet inflacion i kontrolluar, brenda objektivit të bankës që është2-4%. Inflacioni vjetor tani lundron në shifrat 2-2.8%, ndërkohë që në këtë periudhë për 12 muaj, nga tetor 2023-shtator 2024, është periudha që do të përcaktoj masën e indeksimit të këtij viti që është më i ulët sesa 12 muajt e vitit të kaluar. Kështu që gjykoj se do të jetë masa gjithnjë shumë më e lartë sesa inflacioni që do të deklarohet i të gjithë mallrave dhe shërbimeve në treg por më e ulët se ajo që është indeksuar në tetor të vitit 2023.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Skema që po ndiqet dhe detajet nga dy bonuset

Sa do të jetë rritja e pensioneve në tetor?