Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka zhvilluar dje një takim me mjekë të përgjithshëm të cilët kanë mirëpritur nismën e MSHMS-së dhe Fakultetit të Mjekësisë për specializimet në “Mjekë Familje” dhe “Mjekë Urgjence”. Specializimet në këto dy drejtime prioritare synon të adresojë nevojat urgjente për specialistë në këto fusha, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe rritur aksesin e pacientëve në kujdesin mjekësor pranë vendbanimit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “në total kishim 50 kuota, pra 30 për mjekë familje dhe 20 mjekë urgjence. Ndërkohë që nga raundi i parë patëm aplikime dhe vendet u plotësuan. Raundi i dytë i përket 13 specialistëve urgjence dhe 9 mjekësi familjare”.
“Mjekët e urgjencës janë shumë të rëndësishëm në të gjitha strukturat spitalore, por dhe në urgjencën paraspitalore. Por nga krahu tjetër janë mjekët e familjes ata që duhet të marrin një rol të jashtëzakonshëm tek shëndeti i komunitetit kur vjen puna te shëndeti i qytetarëve”, deklaroi Koçiu.
Më tej ministrja shtoi se i është dhënë rëndësi qendrave shëndetësore si porta e parë pritëse për çdo qytetar për t’i dhënë një staf të kualifikuar i cili nuk bën vetëm referime në strukturat spitalore, por edhe diagnostikën ashtu siç duhet.
“Ne kemi ngritur Qendrën e parë të mjekësisë familjare në Tiranë dhe do të vijojmë t’i shtrijmë këto Qendra të mjekësisë familjare edhe në qendra të tjera shëndetësore duke i dhënë një rol të jashtëzakonshëm mjekut të familjes”, u shpreh ajo. Aplikimet për specializimet në mjekësi urgjence dhe familje do të jenë të hapura deri më datën 24 qershor dhe për herë të parë për këtë proces të rëndësishëm është hequr testimi.
Ministrja nënvizoi se mjekët që do të kryejnë praktikën do të paguhen përgjatë tre viteve të specializimit me 100% të pagës mjekut specialist.
Gjithashtu, Koçiu bëri të ditur se për rreth 20 mijë mjekë dhe infermierë do të përfitojnë një tjetër rritje page duke nisur nga muaji korrik.
“Me rritjet e reja të pagave në korrik do të kemi rritje akoma më të madhe sa i përket mjekëve të përgjithshëm. Një rritje prej 20 mijë lekë mbi pagën aktuale dhe infermierëve me 15 mijë lekë mbi pagën aktuale.
Janë afërsisht 20 mijë punonjës të sistemit shëndetësor, të cilët do të përfitojnë nga kjo rritje e dytë në korrik”, nënvizoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.