MENU
klinika

Votimi u shoqërua me parregullsi

Zgjedhjet në universitete/ Emrat e rektorëve të rekomanduar

22.06.2024 - 11:00

Votimi për rektor, dekan, shefa departamentesh dhe Senate Akademike në universitete ditën e djeshme u shoqërua me parregullsi në kryeqytet.

Përpos kësaj, shumica e zgjedhjeve u zhvilluan pa garë dhe ishin po të njëjtit emra të lakuar që kandiduan për t’u ngjitur më shumë në detyrë. Edhe pse ethet munguan tek Universiteti i Tiranës, ku rektori Artan Hoxha kërkonte një mandat të dytë pa rival, njëjtë edhe në Universitetin Bujqësor, Fatbardh Sallaku, edhe për kandidatin e vetëm Agron Kasa, në Universitetin e Sporteve dhe Xheladin Dracini te Mjekësia, ashtu edhe te Politekniku me zv.rektorin Akli Fundo, që kërkuan dhe arritëm të merrnin pa kundërshtar pozicionin e rektorit, rregullorja përcakton një kusht për vlefshmërinë e votave.

Kur në zgjedhjet për organet drejtuese të universiteteve ka vetëm një kandidat, fleta e votimit parashikon mënyrën e votimit me pro ose kundër. Dhe kur ka mbi 50% të votave kundër, nuk njihet rezultati dhe do duhet të përsëriten zgjedhjet. Në Universitetin e Arteve, me 3 vota më shumë të pedagogëve fitoi Erald Bakalli përballë Artan Peqinit. Rezultat i ngushtë votash ishte dhe në Shkodër, ku u zgjodh Tonin Gjuraj, duke i hequr mundësinë e një mandati të dytë rektores aktuale Rajmonda Kcirës dhe kandidates tjetër Nertila Ljarja.

Në Korçë me gati 50% të votave fitoi Lorenc Ekonomi në universitetin “Fan Noli”, teksa u rendit në vend të dytë Robert Damo e pas tij Irena Nikaj. Në Durrës votat e pedagogëve kanë zgjedhur Shkëlqim Fortuzin si rektorin e “Aleksandër Moisiut” për katër vitet e ardhshme, në diferencë të ngushtë me profesorin Osman Metalla. Në Vlorë, në garën me tre kandidatë, fitoi Aurela Saliaj. Në Elbasan, me rreth 90% të votave u zgjodh Elvira Fetahu, që deri tani mbante postin e zv.rektores. Edhe në Gjirokastër, fitorja është e sigurt për kandidatin e vetëm Jaho Cana.

Në Universitetin e Tiranës dhe te Politekniku, media u përball me mungesë transparence dhe bllokim të raportimeve. Procesi i votimit, i cili u hap në orën 8:00 të kësaj të premteje dhe u mbyll në orën 16:00, nuk pati pjesëmarrje të lartë, teksa u duk se jo të gjithë zgjedhësit ishin shfaqur me dëshirë për të votuar.

UNIVERSITETI I ELBASANIT

Zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Zgjedhjet nisën në orën 08.00 dhe përfundojnë në orën 16.00. Janë hapur 5 qendra votimi në ambientet e 5 fakulteteve. Në njësinë kryesore për në Dekanat votojnë 216 staf akademik dhe 6593 studentë. Kandidatët për dekan në Fakultetin e Shkencave të Edukimit janë prof.asoc.Bujar Dilaver Kapllani dhe Prof.Asoc.dr. Elisabeta Luan Osmanaj. Kandidate e vetme për dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike është prof.asoc.dr. Brunilda Veis Elezi.

Kandidatë për dekan Fakultetit Ekonomik janë : prof.asoc.dr. Alketa Vangjeli dhe prof.asoc.dr. Shpëtim Cerri. Lista e kandidatëve për pozicionin dekan, Fakulteti i Shkencave Humane: prof.as.dr. Ardian Skënder Lalni dhe prof.as.dr. Teuta Shaqir Toska. Kandidatët për dekan Fakulteti i Shkencave të Natyrës prof.asoc.dr. Bederiana Shyti dhe prof.asoc.dr. Blerina Pupuleku.

UNIVERSITETI I GJIROKASTRËS

Në universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër zgjedhjet nisën në orën 08:00. Janë gjithsej tri qendra votimi. Votojnë 99 zgjedhës nga stafi akademik dhe 1410 studentë. Kandidati i vetëm për rektor është Jaho Canaj. Aktualisht është zv.rektor.

UNIVERSITETI I KORÇËS

Edhe në universitetin “Fan Noli” në Korçë, procesi i votimit ka nisur normalisht. Janë 4 qendra votimi. Votojnë më shumë se 150 pedagogë, afro 3000 studentë. Kandidatë për rektorë janë: Irena Nikaj, Lenci Ekonomi dhe Robert Damo. Më shumë se 150 pedagogë dhe afro 3000 studentë do të votojnë për autoritet dhe organet drejtuese të universitetit “Fan Noli” të Korçës, bëhet fjalë për rektorin e këtij universiteti, për 4 dekanët e fakulteteve, përgjegjësit e departamenteve si dhe për anëtarët e senatit akademik. Burime pranë këtij universiteti thanë se do të jetë 4 qendra votimi, që korrespondojnë me 4 fakultetet e këtij universiteti.

Procesi zgjedhor që fillojë në orën 08:00 dhe mbyllet në orën 15:00, për të vijuar me pas me numërimin e votave. Ekonomi e ka herën e tretë që garon për rektor të këtij universiteti, ndërkohë që Nikaj dhe Damo kandidojnë për herë të dytë. Sa u përket posteve për dekanë, në Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Bujqësisë kandidatët garojnë të vetëm, bëhet fjalë për Ledina Alollin që garon për një mandat të dytë në krye të Fakultetit të Ekonomisë dhe Besnik Skënderasin, që kërkon të marrë drejtimin e Fakultetit të Bujqësisë. Ndërkohë që në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë garojnë për dekan Jonela Spaho dhe Anyla Saraçi dhe te Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane në garë janë Sonela Stillo dhe Rafail Prodani.

Të tre kandidaturat për rektor të këtij universiteti kanë pasur në platformat e tyre disa pika të përbashkëta. Ata kërkojnë rritjen e kapaciteteve akademike duke synuar rekrutimin e shkencëtarëve me nivel të lartë, zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimin, zgjerimin e ndikimit në rajon, përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe akreditimin e programeve të studimit.

UNIVERSITETI I VLORES

Në Vlorë 192 pedagogë dhe 4 mijë studentë votuan dje për të zgjedhur rektorin e universitetit “Ismail Qemali”, 4 dekanët dhe 16 shefat e departamenteve në katër qendra votimi në të katër fakultetet e “Ismail Qemalit”, në atë të Ekonomisë, Shëndetit publik, Fakultetin e Shkencave Humane dhe në atë të Inxhinierisë. Njëkohësisht u votua edhe për senatin e ri të UV, në dy flete të ndryshme, për personelin akademik dhe studentët. Studentët ndërkohë përfaqësohen nga 2 prej tyre në senatin e ri.

Sipas kreut të Komisionit Institucional Zgjedhor, Oljana Hoxha rezultatet zyrtare duan 24 orë, edhe pse faktikisht ato mund të dalin në mesnatë. Ndërkohë në garë për rektor janë 3 akademikë, Evelina Bazini, Kreshnik Bello, Aurela Saliu, ndërsa është tërhequr më herët nga gara Yllka Stramarko.