Kreshnik Spahiun sot e shohim dhe e dëgjojmë të impenjuar sistematikisht të analizojë situatën politike në vend dhe më gjerë. E kemi njohur si jurist, zv Kryetar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në periudhën 2007-2012 dhe si Kryetar të Alenacës KuqeZi. Si individ në përbërje të një Drejtësie të vrarë nga politika, i kërkuam atij të na shpjegojë se si ishte në të vërtetë të punoje në atë kohë në Drejtësi dhe pse një vend aleat si Shtetet e Bashkuara të Amerikës u detyruan të shpallnin “Non Grata” Sali Berishën, duke e akuzuar si ndikues dhe pengues të Drejtësisë Shqiptare. Çfarë mund të dëshmojë Kreshnik Spahiu, që ishte brenda Drejtësisë në kohën e pushtetit të Berishës, ndryshe, qoftë nga gazetarët apo qytetarët e thjeshtë qe e shohin nga jashtë atë.
Argumentet e tij janë suprizuese dhe vlera e kësaj interviste qëndron në faktin se përveç ish kreut të Kasacionit Zef Brozi, pakkush e ka marrë përsipër të tregojë si dëshmitar i drejtpërdrejt e të qartësojë shqiptarët për atë pjesë të Drejtësisë së cënuar thelbësisht dhe qëllimisht nga politika shqiptare kundër vetë shqiptarëve.
Kreshnik Spahiu, që sot jeton mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, e ndjen veten të lirë dhe këtë formë lirie ua këshillon shumë bashkëkatdhetarëve. Paralajmëron të reja të bujshme me ardhjen e ambasadorit të ri amerikan në korrik, ashtu siç sqaron rolin dhe ndikimin e madh dhe të rëndë të Rusisë në politikë, media dhe bizneset shqiptare, ndikim që ndryshe nga ai Europian, apo i SHBA-ve që ndodh në dritë të diellit dhe në interes të Shqipërisë, për rusët, është bërë dhe bëhet në fshehtësinë e intrigave apo të njerëzve të kompromentuar prej tyre.
Pas kësaj hyrje të shkurtër, u takon lexuesve të “Shqiptares” të krijojnë opinionin e tyre të lirë pas renditjes së fakteve dhe dëshmisë
1.Drejtësia e re është sot çështja e ditës. Të gjithë po flasim në Shqipëri, të gjithë presim mrekullinë prej saj. Ju si e vlerësoni këtë moment historik të Drejtësisë shqiptare. Çfarë ndryshon nga e shkuara dhe si projektohet e ardhmja?
“Drejtësia e re është një mekanizëm i krijuar nga ndërkombëtarët në Ballkan. Në thelb nuk ndryshon përmbajtjen, por formën dhe përdorimin. Kryesisht amerikanët, britanikët dhe një pjesë e elitës europiane u përballën në Ballkan me kastat e korruptuara politike që kishin bllokuar ndryshimin sepse nuk largoheshin me vota, kjo për shkak të garës së pabarabartë elektorale, manipulimeve dhe korrupsionit.E vetmja mënyrë për t’i larguar nga politika ishte “drejtësia”, duke i burgosur ata. Kështu u veprua në Kroaci, Rumani, Bullgari, Maqedoni, Bosnje dhe Kosovë. Shqipëria është kalaja e fundit e mafies politike 34 vjeçare që nuk shkulet me votë.Në këto kushte perëndimi i kryesuar nga amerikanët nxorën nga xhepi planin B, i cili quhet “Drejtësia e re” që synon të nxjerrë pa vota nga politika disa familje mafioze.A do ja arrinë qëllimit final? Mbetet për t’u parë dhe mendoj që do të marrë kohë. Në tërësinë e saj drejtësia e re është perceptim sepse populli shikon 10 çështje politikanësh që komentohen në media, por në thelb drejtësia e re ka mbetur më keq se ku ishte më parë me 50.000 çështje gjyqsore të popullit që kanë mbi 7 apo 10 vjet në dyert e gjykatave.Drejtësia duhet jetë e barabartë për të gjithë. Drejtësia për popullin nuk ka ndryshuar, por vazhdon lëngon, zvarritet, pluhroset në sirtaret e gjykatave që ja ndryshojnë bojën e pallatit drejtësisë, por jo mentalitetin. Hetimi apo prangosja e 5 kryetarëve të bashkive apo 3 deputeve nuk përkthehet se është rritur cilësia e gjykimit për mijra gjyqe që kanë njerëzit në gjykata.”
2.Jeni jurist me një diplomë të vitit 1991, sapo kishte nisur liria dhe demokracia në vendin tonë. Si ishin ato fillime për një jurist të ri dhe si ishte drejtësia shqiptare atëherë?
“Unë kam qenë me fat se i përkas brezit të një shkolle nga më të fortat e 100 viteve të fundit. Unë jam brezi që u diplomova nga truri i elitës së jurisprudencës si Kleanthi Koçi, Stavri Çeço, Kristaq Traja, Skënder Begeja, Ismet Elezi, Luan Omari, Bujar Hoxha, Rustem Gjata, Ismail Lleshi. Sapo u diplomova në vitin 1991 u emrova gjyqtar në gjykatën e Tiranës. Karrierën që ja dedikoj Prof Kudret Celës i cili ishte Ministër Drejtsie në qeverinë e stabilitetit, por më kishte njohur mua kur ishte dekan i Fakultetit Juridik dhe më vlersonte si student i shkëlqyer. Pra, unë jam emruar pa ardhur në pushtet qeveria Berisha.
Ishte një eksperiencë e jashtzakonshme sepse u shoqërua me specializimin tim në SHBA dhe për atë kohë, ishte unike që një gjyqtar të studionte dhe të merrte eksperiencën amerikane. Më pas ngjarjet rrodhën keq për shkak tensionit politik. Në vitin 1994 unë dhashë dorëheqje si gjyqtar sepse refuzova të gjykoja dosjen e Fatos Nanos, pasi e konsiderova një arrestim politik. Unë isha me bindje i djathtë dhe organizator i lëvizjeve të dhjetorit, por e përjetova keq profesionalisht arrestimin e kreut opozitës pa fakte dhe prova. Madje u revoltova keq kur pashë që Fatos Nano keqtrajtohej në dhomat e paraburgimit. Nuk ishte aspak njerzore që një lider liberal të trajtohej në atë mënyrë në burg vetëm se ishte kundërshtar politik i Berishës.
Unë u tërhoqa sepse arrestimi i kreut të opozitës Fatos Nanos ishte tërsisht politik dhe nuk doja të përballesha me konseguenca të tmerrshme. Në atë kohë kolegu im Arben Ristani, u arrestua nga Berisha vetëm se shpalli të pafajshëm dhe liroi nga burgu gazetarin Aleksandër Frangaj. Ika pa zhurmë duke filluar punë si pedagog në Fakultetin Juridik dhe hapa zyrën time të avokatisë.”
3.Ishit zv/Kryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë nga viti 2007 deri në vitin 2012, në zemër të pushtetit të Sali Berishës, deklaruar sot nga SHBA-të si minues i Demokracisë dhe si ndikues ndaj Drejtësisë shqiptare. A mund të qartësoni për lexuesit e “Shqiptares” se si ishin ato vite?
“Unë u zgjodha nga shoqëria civile dhe jo nga politika. Për kujtesë unë isha drejtor i Transparency International një organizatë me qendër në Berlin dhe me degët e saj në 100 shtete. Për shkak rolit tim aktiv, gjyqtaret e KLD më votuan me unanimitet zv/kryetar.
KLD drejtohej nga Presidenti Republikes në atë kohë dhe jo nga unë. Zv/Kryetari nuk kishte kompetenca vendimarrje sepse ishte organ kolegjial. Në fakt nuk ishin 5 vite por 4 vite sepse edhe nga kjo detyrë dhashë dorëheqjen, sepse ishte e pamundur të punoje.
Ishin 4 vite luftë dhe beteja me pushtetin politik, me kërcënime, me baltosje… Përplasjet me qeverinië ishin permanente dhe jo personale. Kjo ishte mënyra si funksiononte pushteti politik në kohën e Berishës.
Ai ishte në konflikt dhe marrdhënie të ngrira me çdo institucion të pavarur:
– konflikt me prokurorinë e Ina Ramës
– konflikt me SHISH të Bahri Shaqirit
– konflikt me KLSH e Bert Çekut
– konflikt me avokatin e popullit Dobjani
– konflikt me Presidentin Topi
– konflikt me Gjykaten e Larte Kondi
– konfikt me Gjykaten Kushtetues
– Konflikt me KLD
Aq konfliktuale ishte qeveria me pushtetet e tjera sa në 2011 ngriti komision hetimor kundër të gjithë krerve për “grusht shteti”. Situate tragji-komike. Thjesht ishte e pamundur të punoje. 4 vjet rresht s’kishte “paqe”. Konflikti Berishës me mua kulmoi kur unë denoncova ndryshimin e mijëra e kombësive shqiptare në greke me vendim gjykatash në Sarande, Gjirokastër dhe Korçë duke akuzuar parlamentin se kishin miratuar nje ligj anti-kombëtar i cili lejonte ndryshimin dhe asimilimin e kombit shqiptar ne jug te Shqiperise.
Mijëra shqiptarë hiqnin dorë nga kombësia shqiptare dhe bëheshin grek sepse përfitonin 320 euro pension. Ishte marrveshje e Berishës me Athinën. Zyrtarisht dergova ne gjykatë Kushtetuese padi kundër ligjit dhe kërkova pezullimim e censusit me baza etniko-fetare. Lëvizja ime mori përmasa popullore, por ky ishte edhe fundi im në karrerë.
Parlamenti u mblodh pas nje viti dhe votoi shkarkimin tim me motivacionin: “Ka prishur marrëdhëniet e fqinjësisë së Shqipërise me Greqinë dhe ka penguar censusin e shtetit për regjistrimin e popullsisë.” Vendimi i parlamentit u quajt anti-kushtetues sepse u votua dy muaj pasi unë kisha dhënë dorëheqje. Pra kish shkarkuar dikë që nuk ishte. Unë kisha dhënë dorëheqje dhe kisha krijuar lëvizjen Kuqezi.
5 – Për te kuptuar me mire dhe qarte se pse SHBA-të ndërmorrën nismën e shpalljes “Non grata” të familjes Berisha edhe për Drejtësinë, në ç’mënyrë Sali Berisha, por edhe vajza e tij Argita e ndikonin Drejtësinë, vendimet e gjykatave dhe rolin qe ata kishin? A mund të na e tregoni ju si mbajtës roli të rëndësishëm në Drejtësinë shqiptare të asaj kohe?
“Shpallja “Non Grata” nga SHBA ka në thelb tre elementë të cilët shumkush nuk i ka kuptuar:
– DASH nuk është Gjykatë dhe s’ka asnje detyrim t’i tregojë publikut provat kundër Berishës sepse nuk e shpall fajtor per krime, por e ka shpallur të rrezikshëm për interesat e shtetit amerikan në Ballkan
– DASH i parapriu planeve të Berishës për t’ja trashëguar partinë fëmijëve dhe fillimisht ndaluan hyrjen e djalit, vajzës në SHBA. Ata morën shkas nga kalimi që Meta i bëri partisë tek gruaja e tij në 2017. Sali Berisha u shpall me vonë Non-Grata pasi dogjën mandatet dhe tentuan të djegin Tiranën. Familja e tij u ndalua në 2018. Berisha u shpall Non-Grata 2021 (tre vjet më vonë). SHBA u shqetësua për atë që po ndodh sot. Kalimin e PD-së nga babai tek vajza.
– DASH e akuzon për minues të demokracisë dhe ndikues të drejtësisë duke pasur parasysh këtë që po ndodh sot. Ende prokuroria nuk i komunikon akuzë dhe dosjet e tij zvarriten prej 12 vjetësh nëpër sirtar. Ndikimet e tyre në sistem i përmenda më lart, dhe kulmuan me komisionet hetimore për shkarkime të çdo drejtuesi të institucioneve të pavarura në 2012. Por ajo çfarë i detyroi amerikanët ta shapllnin Non-Grata ishin tre momente:
– Listat e deputetve të 2017 nuk i bëri Lul Basha, por Sali Berisha dhe vajza e tij. Kjo i bindi amerikanët që Berisha nuk ishte larguar nga drejtimi por e mbante peng PD.
– Vendimarrja familjare në listat e deputetve të gjithë opozitës provoi për amerikanët Planin B se ajo parti do trashëgohej në familje.
– Djegia e mandateve me urdher te Berishës dhe bojkoti i zgjedhjeve përkonte me një sërë lëvizjesh destabilizuese të kordinuara nga Moska në Beograd, Shkup, Podgoricë dhe Tiranë. SHBA u mirë-informua që ajo parti finacohej nga Rusia si pjesë e projektit Putin për korruptimin e dhjetra partive në Europë.”
6- Roli i ndërkombëtarëve sot vlerësohet si më i rëndësishmi në këmbënguljen e realizimit të Reformës për Drejtësinë e re. Si peshohet në këndvështrimin tuaj ky rol dhe pse ndërkombëtarët e kishin realisht të vështirë në 1995-n e Zef Brozit apo në në vitet e mëpasme të Drejtësisë së Gjin Gjonit, të ndikonin fort dhe konkretisht?
“Vitet e Zef Brozit ishin edhe vitet e mija. Të dy u larguam nga sistemi. Ndikimi amerikan ishte i pjesshëm dhe i pafuqishëm. Krisja e SHBA me Presidentin Berisha filloi 1995-1996 kur Presidenti Klinton i kërkoi Berishës lirimin nga burgu të 5 minoritarve grekë dhe mos përzierien në axhendën amerikane në Kosove. Berisha i premtoi presidentit Klinton që do i konsideronte të dyja por bëri të kundërtën:
– Filloi konfliktin me Zef Brozin per këtë dosje dhe më pas e shkarkoi nga detyra.
– Filloi presionet ndaj Ibrahim Rugovës që ai të fuste Kosovën në luftë pa mbaruar konflikti në Bosnjë dhe Kroaci me qëllim që SHBA mos kishte kohë të merrej me Berishën, por të perqendrohej tek lufta ne Ballkan.
Të dyja këto çështje acaruan mardhëniet SHBA-Berisha dhe Shqipëria rrëshqiti në ngjarjet e ’97-s. Unë dhe Zefi vazhduam të punonim për projektet e SHBA për disa vite me rradhë. Amerikanët kishin disa projekte me drejtësinë por qeveria kontrollonte çdo gjë.
Thjesht për ta kuptuar: Nëse nuk kishe mbështetje politike nuk mund të kishe karrierë në drejtësi. Drejtësia ka qënë dhe ende mbetet derivat i pushtetit. Gjithësesi sot SHBA dhe BE kanë arritur të kenë ndikim të drejtpërdrejt në emërime, shkarkime apo në politikat penale të drejtësisë shqiptare.
Unë po ju jap një shembull që ta kuptoni më mirë:
100%. e prokurorve të SPAK kanë punuar në kohën e Berishës, por nuk kishin këtë impakt, pavarësi apo sukses. Pra nuk kemi njerez të rinj, por drejtësi ndryshe nga të njëjtët njerëz. Atehere ku eshte ndryshimi dhe pse ndodhi? Ata hetonin korrupsionin dje dhe sot? Pse sot kane sukses?
Thënë troç: Sot drejtësia është më e fortë sepse amerikanët kanë investuar më shumë në pavarësinë politike, ekonomike, juridike, të gjyqtarve dhe prokurorëve. Për ata që nuk e dinë këta prokurorë para 10 vitesh pagueheshin 600 euro në muaj, sot paguhen 6000 euro në muaj dhe kanë një staus dhe imunitet të lartë. Ndryshim i madh apo jo?”
7- A ka pasur dhe ka “eminenca gri” që lëvizin fijet në Drejtësinë shqiptare? Forca të padukshme, por që në imagjinatën popullore apo të debateve televizive bëjnë emërime, caktojnë njerëz dhe emra që lëvizin peshoren e Drejtësisë?
“Patjeter që ka dhe nuk bëhet me ndërhyrje. Shumë prokurorë apo gjyqtarë s’ka nevojë t’i kapë politika, ata vetë i bëjnë qoka politikës për të forcuar lidhjet. Ndërsa për emërimet apo punësimet….kjo është normale në Shqipëri dhe nuk do të ndryshojë për 200 vjet. Ne jemi një “fshat” i vogël dhe funksionojmë mbi baza njohje. Kjo nuk ndodh vetëm në drejtesi por kudo, në shëndetësi, arsim, polici, dogana, politikë etj.
Ky është problem social popullor, jo specifik për drejtësinë. Në çdo 10 veta kur takoshesh në rrugë në Tiranë pyesin për çdo gjë dhe çdo kënd: “E njeh filanin se kam një hall?” Gjithë jeta e shqiptarëve rrotullohet me pyetjen:“A e njeh filanin sepse kam nje hall me mbaru”
8- A mendoni se përveç politikës, edhe media ka një rol në mbarëvajtjen ose jo të çështjeve të Drejtësisë, në pavarësinë e saj dhe në krijimin e një shtylle të pavarur siç është Drejtësia në garantimin e Demokracisë në vend?
“Media ka një rol pozitiv relative, por gjithmon në zhvillim. Media ka dy anë të medalies. Pjesa më negative që ndikon keq tek prokurorët dhe gjyqtarët është presioni mediatik i atyre gazetave apo televizioneve që përdoren nga politika si armë për të “vrarë” publikisht integritetin apo inisiativën e nje gjyqtari apo prokurori. Keta nuk janë mësuar me media dhe i kanë tmerr shkrimet denigruese.
Shumë gjyqtarë dhe prokurorë tërhiqen nga çështje të caktuara apo edhe nga sistemi vetëm sepse nuk mbajnë presionin mediatik. Sigurisht që ka raste që media u bëhet mburoje dhe i mbeshtet, por këto janë raste të rralla. Balta dominon në media më shumë se profesionalizmi mbi drejtësinë.”