MENU
klinika

Skandali i Onkologjikut

Rama: Gjykatës, mos e hani turpin me ryshfet!

01.07.2024 - 11:27

Kreu i qeverisë, për herë të parë ka reaguar ndaj skandalit të zbuluar në spitalin Onkologjik, ku bëhej pazar me jetën e personave të sëmurë. Nën hetim janë mjeku Edmond Gashi, mjekja Alketa Pere (Ymeri), zëvendësdrejtoresha në QSUNT, Brikena Qirjazi, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Drilona Kishta.

Kreu i qeverisë deklaroi se drejtësia e bëri punën e vet. Ai i bëri thirrje gjykatësve që “mos e hanë turpin me ryshfet” dhe të hetojnë deri në fund skandalin.

Rama: Drejtësia e bëri punën e vet. Përgëzoj prokurorët dhe i bëj thirrje gjykatësve që mos lejojnë që relativizimin dhe banalizimin e asaj veprimtarie kriminale, siç ka ndodhur kur gjykatës të caktuar e kanë ngrënë turpin me ryshfet dhe kanë nxjerrë të lirë edhe vrasës që duhet të ishin brenda sot e gjith ditën. Ndërsa ne duhet dhe do të vazhdojmë punën tonë, jo vetëm me masat që paralajmëroi ministrja Koçiu.

Ndryshimet e propozuara nga grupi i punës në minsitrinë e Shëndetësisë janë hapa të duhur në drejtimin e duhur, theksoi kreu i qeverisë.

Rama: Historia e shefave të departamenteve dhe drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik dhe kanë në pronë apo janë në punë edhe në shërbimin e sitemit privat është një histori që e dimë shumë mirë nga vjen. Vjen nga vetë historia e kalimit nga një sistem shëndetësor i centralizuar nga një sistem shëndetësor ku hyri në mes kapitalizmi dhe nga mungesa e çdo kapaciteti dhe e çdo baze për të ndërtuar një sistem anatomie shëndetësore që i garanton të gjithë mjekëve profesionistë që të mund të shpërblehen në bazë të performancës së tyre.

Rama tha se do të angazhojnë një grup menaxherësh të huaj të strukturave spitalore publike për të asistuar drejtuesen e re të QSUT dhe drejtuesit e tjerë të kësaj qendre në mënyrë që të garantohet edhe hapja së shpejti e kapitullit të anatomisë shëndetësore.

Rama: Veprimtaria e atij grupi kriminal nuk e hedh poshtë punën tonë për të shndërruar sistemin shëndetësor nga ngrehina e rrënuar ku e gjetëm në një sistem shërbimesh funksionale. Kjo që ndodh në këto momente na bën edhe më të vetëdijshëm për gjërat që duhen bërë akoma, por nëse ka një shembull kuptimplotë të të gjihë kësaj përjekjeve është kantieri i tranformimit rrënjësor të QSUT gjatë viteve të fundit.