MENU
klinika

“Është një fenomen emancipues”

Minxhozi: Ismail Kadare ka qenë një ‘markë e spikatur shqiptare’

01.07.2024 - 19:30

Shkrimtari Ismail Kadare ndërroi jetë mëngjesin e së hënës në moshën 88-vjeçare duke lënë pas një pasuri të vyer kulturore për gjithë kombin shqiptar.

Ai ishte shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, por dhe ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar disa herë për çmimin Nobel.

Analisti i njohur Skënder Minxhozi, i ftuar në News Line në ABC News, u shpreh se puna krijuese e Ismail Kadaresë është “vepër monumentale”.

“Gjigand unik i letërsisë shqiptare. Kadare ka qenë një figurë, i cili me veprën monumentale ka krijuar famë ndërkombëtare. Unë e kam njohur si shumë kolegë të mi në këto 30 vjet.Kam pasur rastin të ulem dhe të bisedojë me të në disa formate”, shtoi Minxhozi.

Ai shtoi se figura e tij ka shërbyer si një markë e spikatur e Shqipërisë në mbarë botën, duke marrë parasysh se veprat e tij janë përkthyer në mbi 40 gjuhë.

“Shkrimtari Ismail Kadare ka qenë një markë e spikatur shqiptare dhe si e tillë e ka bërë Shqipërinë të njohur në botë”, shtoi ai.

Analisti Minxhozi u ndal edhe tek një tregues tjetër, që lidhet me çmimin Nobel, çmim të cilin Ismail Kadare nuk e mori kurrë.

Sipas Minxhozit, fakti që Kadare është nominuar disa herë rresht për “Nobelin” në Letërsi, do të thotë shumë për letërsinë shqiptare.

“Kadare është një fenomen emancipues. Kadare vinte nga një vend i vogël, letërsia shqiptare është letërsi jo e madhe dhe për pasojë në garë me letërsitë me vendet e tjera, shpesh shohim se dalin fitimtarë emra krejt të panjohur. Ky ka qenë fati jo i mirë i Kadaresë, por edhe të jesh kandidat prej shumë e shumë vitesh, unë mendoj se është një meritë jo e vogël, por është meritë shumë e madhe”, tha ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lamtumirë, KADARE!

Ikën pa kthim, KOLOSI…