Më 4 korrik, Mbretëria e Bashkuar do të mbajë zgjedhjet kombëtare, të cilat, sipas sondazheve, pritet t’u japin fund 14 vjetëve të qeverisjes së udhëhequr nga Partia Konservatore.
Sondazhi i publikuar dy ditë përpara zgjedhjeve parashikon një humbje dërrmuese për partinë e udhëhequr nga kryeministri Rishi Sunak.
Raiffeisen Bank
Laburistët përitet të marrin dyfishin e votave të konservatorëve dhe pikëpyetja është nëse do të mund ta krijojnë të vetëm qeverinë.
Si funksionojnë zgjedhjet?
Britania e Madhe është e ndarë në 650 zona elektorale. Në secilën prej tyre, votuesit zgjedhin nga një kandidat lokal, që më pas do ta zërë një vend në Parlament.
Votuesit zgjedhin një kandidat në fletën e tyre të votimit dhe kandidati me më së shumti vota fiton.
Kandidatët zakonisht janë pjesë e ndonjë partie më të madhe politike.
Për ta siguruar shumicën në Parlament, një parti duhet të fitojë të paktën 326 ulëse. Lideri i partisë që e arrin këtë numër bëhet kryeministër dhe e formon Qeverinë.
Nëse asnjë parti e vetme nuk e fiton shumicën, kryeministri në detyrë mbetet në pushtet dhe i jepet mundësia e parë për ta formuar një qeveri duke e ndërtuar një koalicion ose duke qeverisur si pakicë.
Kryeredaktori i departamentit Digjital në Euronews Albania, Franc Mërkuri, bëri dhe një pasqyrim të sondazhit të publikuar në The Guardian, dy ditë përpara zgjedhjeve në Britaninë e Madhe.
Sondazhi:
Sondazhi i publikuar nga the Guardian parashikon se laburistët mund të fitojnë 428 ulëse, ndërsa konservatorët 127.
Ky rezultat do ta shënonte numrin më të vogël të ulëseve të fituara nga Partia Konservatore në historinë e saj gati 200-vjeçare.
Në zgjedhjet e vitit 2019, konservatorët fituan 365 vende dhe laburistët 203. Që atëherë, dorëheqjet, përjashtimet dhe disa ngjarje të tjera e kanë reduktuar shumicën e konservatorëve. Tani që janë afruar zgjedhjet e vitit 2024, konservatorët kanë 344 ulëse dhe laburistët 205.
Ndërsa fushata e zgjedhjeve të përgjithshme po mbyllet dhe afrohet 4 korriku 2024, sondazhet tregojnë pak shenja ndryshimi, me një rënie të vogël të mbështetjes së laburistëve gjatë fushatës.
Por pas 14 vitesh sundimi konservator, Laburistët e Keir Starmer kanë qenë vazhdimisht përpara konservatorëve në sondazhe që nga fillimi i vitit 2022.
Nëse konservatorët do të performonin 5 pikë përqindje më mirë se sondazhi i tyre aktual, modeli ynë i projekton ata të mbajnë rreth 200 vende. 7 pikë të tjera do t’i vendosnin ata në 280 vende dhe potencialisht do t’i mohonin laburistët një shumicë të plotë. Duke i zhvendosur në drejtimin tjetër, humnera zgjedhore afrohet. Nëse konservatorët do të binin 5 pikë në 16 për qind, do t’u jepte atyre vetëm 18 vende.
Programet e partive:
Partia Laburiste, drejtues Keir Starmer
Çfarë premtojnë? Rritje e mirëqënies së qytetarëve, inkurajim i investimeve dhe përmirësimi i infrastrukturës së Britanisë, kryesisht hekurudhave, sipas një plani 10-vjeçar. Ngritja e një kompanie shtetërore të energjisë së gjelbër, e cila do të financohet nga një taksë e re mbi gjigantët e naftës dhe gazit. Taksimi i shkollave private për të paguar mijëra mësues të rinj në shkollat shtetërore. Ulja e kohës së pritjes së shëndetit publik me rekord.
Partia Konservatore, Rishi Sunak:
Çfarë premtojnë? Ofrimi i një ekonomie më të fortë dhe ulja e taksave me rreth 17 miliardë paund në vit. Rritja e shpenzimeve për shëndetin publik rritja e shpenzimeve për mbrojtjen në 2.5% të PBB-së deri në vitin 2030. Partia thotë se kjo do të paguhet nga kursimet në evazionin fiskal dhe ulja e shpenzimeve. Konservatorët zotohen të kufizojë numrin e emigrantëve të paligjshëm dhe të largojnë azilkërkuesit në Ruandë.
Liberalët Demokratë, Ed Davey
Çfarë premtojnë? Përmirësimi i sistemit të kujdesit shëndetësor dhe social të Britanisë, duke përfshirë futjen e kujdesit infermieror falas në shtëpi. Investimi në energjinë e rinovueshme dhe izolimin e shtëpive. Ulja e moshës së votimit në 16. Ribashkimi në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Reforma e Mbretërisë së Bashkuar, drejtues Nigel Farage
Çfarë premtojnë? Ngrirja e të gjithë “emigracionit jo thelbësor” dhe ndalimi i studentëve ndërkombëtarë që të sjellin me vete bashkëshortet e tyre. Largimi nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në mënyrë që azilkërkuesit të mund të deportohen pa ndërhyrje nga gjykatat e të drejtave. Heqja e taksave për të reduktuar emetimet e gazeve serrë në mënyrë që të ulen faturat e energjisë.
Partia Kombëtare Skoceze, John Swinney
Çfarë premtojnë? Sëinney ka thënë se nëse partia e tij fiton shumicën e vendeve në Skoci, ai do të përpiqet të hapë negociatat për pavarësinë e Skocisë me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ai dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe tregut të përbashkët evropian. Ai gjithashtu bëri thirrje për rritjen e financimit të shëndetit publik, dhe një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.
Partia e Gjelbër? Carla Denyer dhe Adrian Ramsay.
Çfarë po premtojnë? Heqja e energjisë bërthamore dhe vendosja e Britanisë së Madhe në zero emisione deri në vitin 2040. Të Gjelbrit kanë premtuar 24 miliardë paund në vit për të izoluar shtëpitë dhe 40 miliardë paund në vit të investuara në ekonominë e gjelbër. Parashikohet shtimi i taksave të karbonit dhe taksave për të pasurit.