MENU
klinika

Zbardhet dosja me provat…

Gjykata e Lartë i hap rrugën SPAK-ut të hetojë “21 janarin”

06.07.2024 - 10:58

Nisin orët e ankthit për fatin e orkestruesëve të masakrës së “21 Janarit” . Dje, Gjykata e Lartë, i hapi rrugën Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dosjen e “21 Janarin”. Konstatimi është i qartë i Gjykatës së Lartë e cila jep argumente shteruese në vendimin e plotë dhe të arsyetuar të 12 marsit 2024, kur pranoi kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, që krimi shtetëror i para 13 viteve të mund të shohë zbardhjen e plotë. Kolegji i Gjykatës së Lartë thotë se është e rëndësishme të mbahet në konsideratë qëndrimi i Gjykatës së Strasburgut që thotë se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues të Gardës nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, që do të duhet të ishte përqendruar në natyrën e urdhrave nga zinxhiri komandues.

Detajet nga dosja që do të shkojë në SPAK

Gazeta “SOT” ka siguruar detajet nga kallëzimi penal që do të shkojë në tavolinën e SPAK. Provat që janë paraqitur për drejtësinë nga avokati i familjarëve Nika janë: Publikimet në kohë reale të ngjarjes, të ekspozuara në kohë reale nga të gjitha televizionet shqiptare dhe më gjerë, fakte që në pamundësi të kallëzuesve për t’i disponuar, i takojnë prokurorisë që t’i administrojë dhe t’i përdorë si provë. Në vijim të kallëzimit penal, kallëzuesit parashtrojnë se të tilla janë, urdhrat e prokurorit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për ekzekutimin (menjëherë mbas ngjarjes)e ndalimeve procedurale të komandantit të gardës dhe zinxhirit komandues të atij institucioni, dokumente (akte) të rekuperueshme prej organit të procedimit penal, Prokurorisë së Posaçme pranë arkivave të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe të përdorshme në cilësinë e burimeve të provës mbështetëse të verifikimit të vërtetësisë së njoftimit të marrë nëpërmjet këtij kallëzimi. Në këto arkiva, sipas palës kallëzueseështë i konsultueshem dhe i rekuperuesheme dhe dokumentacioni pasqyrues dhe evidentues i dëmtimeve fizike (plagosjes) të shumë personave të tjerë që kanë marrë pjesë në tubim të qëlluar me armë në konkludim të tij në momentin e largimit nga vendi i zhvillimit, hapësira para selisë se Kryeministrisë.

Alibitë e Berishës, si prova në SPAK

Pala kallëzuese parashtron prova të mirëfillta implikuese të pjesëmarrjes së ish-kryeministrit në drejtimin dhe organizimin e reagimit të finalizuar me vrasjen e katër personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve, ku konsiderohen moslejimi nga ish kryeministri, bllokimi i ekzekutimit të urdhrave të ndalimit të nxjerra nga prokurori ndaj personave të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, deklarimet e këtij te fundit përpara kamerave të televizioneve të ndryshme që përmbajnë justifikime të papranueshme ligjërisht dhe në mënyrë të veçantë, deklarimi publik i ish kryeministrit Berisha, sipas të cilit njëri prej viktimave kishte plagë trupore të shkaktuara nga shumë afër me një armë zjarri në formën e çadrës. Ish kryeministri në lidhje me këtë deklarim është shprehur se e bazonte në konstatimin e mjekut të spitalit Ushtarak, ku ishte dërguar trupi i viktimës. Nga ana e kallëzuesve theksohet se administrimi i deklarimit shërben si provë për të krijuar alibi lidhur me mekanizmin real të ngjarjes.

Serveri
Në vijim nga kallëzuesit parashtrohet se fakt tjetër i rëndësishëm që provon pjesëmarrjen aktive të ish kryeministrit në këtë ngjarje është shkatërrimi (zhdukja) e serverit të Kryeministrisë. Punonjësi i administrimit ishte nën kontroll ekskluziv të ish kryeministrit. Provat lidhur me verifikimin e kësaj situate gjenden në fashikullin gjyqësor (hetim dhe gjykim të këtij punonjësi). Avokati Idajet Beqiri që përfaqëson familjarët e viktimave të 21 Janarit ka thënë për gazetën “SOT” se ka shumë prova të fshira nga dora shqiptare dhe një nga ato që u përmend nga Strasburgu është dhe serveri i Kryeministrisë. Sipas tij kjo provë do të dalë në dritë dhe do të jenë pikërisht amerikanët. Në ato vite, ekspertët e FBI arritën të rikuperonin serverin. Aty zbulohet qartë dinamika e ngjarjeve që ndodhën atë ditë, del kush ka qëlluar mbi turmën dhe se kush do të mbajë përgjegjësi për vrasjen e katër demonstruesve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Ky material u raportua se në vitin 2012 u vendos në duart e drejtësisë së vjetër. Kanë qenë dy agjentë të FBI, të cilët kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit me materialin e ekspertuar. Ata ju kanë dorëzuar pjesëtarëve të drejtësisë jo vetëm serverin e kryeministrisë, tashmë të plotë me të gjitha të dhënat, 14 gëzhoja dhe po aq predha-plumba, por edhe një valixhe me armë të cilat janë përdorur në vendngjarje. Gjithashtu është dorëzuar edhe dokumentacioni i plotë shkresor i argumentimit shkencor-profesional. Por edhe me gjithë këtë ndihmë, nga amerikanët, Berisha me presionit e tij, siç e tregoi dhe vendimi i Strasburgut arriti që ta mbyllë çështjen. Serveri i kryeministrisë ishte prova kyçe që do të vinte para drejtësisë ata që qëlluan mbi turmën pasditen e 21 janari 2001. Por pamjet filmike ishin fshirë, me një urdhër që dyshohet se është dhënë në qeveri për të eliminuar çdo provë të inkriminimit të Gardës së Republikës, e cila u mbrojt fuqimisht nga Berisha vetëm disa orë pas vrasjeve të pajustifikuara. Fshirja e serverit pritet të hetohet me themel nga SPAK.

Përgjimi për herë të parë në duart e SPAK

Si provë direkte për pjesëmarrjen aktive të ish kryeministrit në këtë ngjarje, kallëzuesit shprehen se do të shërbejnë dhe administrimi i deklarimit publik në mënyrë të përsëritur që ka bërë gazetari investigativ Artan Hoxha. Sipas këtij të fundit disponohet një kasetë audio në përmbajtjen e të cilës – përveç ish komandantit të Gardës dëgjohet edhe pjesëmarrja aktive e ish kryeministrit. Disponimi dhe administrimi i kësaj kasete është në kompetencën ekskluzive të prokurorisë.

Zbardhet detajet e përgjimit

Komunikimi i parë:
Ndrea Prendi: Alfred dëgjon?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj
Ndrea Prendi: Po afrohen shumë, duhet të jeni gati për zjarr
Alfred Ahmetcenaj: Po të kuptova drejt.
KOMUNIKIMI I DYTË:
Komandanti i Gardës Ndrea Prendi: Të mbahen armët në dorë gati për zjarr. Të mbahen armët në dorë gati për zjarr në ajër. Pastaj kur të them unë në trup.
Ndrea Prendi: Artan (Artan Hoxha, zv komandanti i Gardës). Dëgjon? Artan dëgjon?
Artan Hoxha: Dëgjoj, dëgjoj.
KOMUNIKIMI I TRETË:
Ndrea Prendi: Me të kaluar gardhi i telave do hapet zjarr luftarak
Artan Hoxha: Kuptova, kuptova
Ndrea Prendi: Ky është urdhri, Dashamir dëgjuat
Dy efektiva të njësisë speciale: Alfred (Alfred Ahmetcenaj): ta-ta-ta gjakos (urdhëri për të vrarë)
Komunikimet (urdhrat) janë dhënë vetëm me radio nga komandanti i Gardës për vartësit e tij. Pasi u dha urdhri për të qëlluar, u zbatua duke realizuar të shtënat një nga një dhe me breshëri, nuk është dhënë me asnjë urdhër tjetër për të qëlluar. Nga komunikimi në radio, menjëherë pas vrasjeve të protestuesve, ka janë qetësi absolute tek komandanti i Gardës dhe oficerët drejtues me të cilët ai komunikon. Komunikimi në vijim është sikur nuk ka ndodhur asgjë, madje nuk përmendet në asnjë moment që ka të vrasë apo të plagosur.
I panjohur: 260 i Luanit, dëgjon?
260 i Luanit: Ju dëgjoj!
I panjohur: Të kërkon ministri, këtu në radio!
KOMUNIKIMI I KATËRT:
Audio: Menjëherë dëgjohen të shtëna tek e tek, sërish dëgjohen 8 të shtëna radhazi një nga një.
Ndrea Prendi: Alfred?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj (dëgjohen 2-3 të shtëna tek e tek)
Ndrea Prendi: Kujdes municionin! Kujdes municionin!
KOMUNIKIMI I PESTË:
Ndrea Prendi: Martin më dëgjon? Agim më dëgjon? Agim? Agim? 202 i Tufanit (kodi i radios) më dëgjon?
202 i Tufanit: Këtu jam. Ngjitur, ngjitur.
Ndrea Prendi: Alfred, një grup i njësisë speciale këtu tek porta numër 2.
Alfred Ahmetcenaj: Të kuptova
Ndrea Prendi: Artan më dëgjon?!
Artan Hoxha: Dëgjoj!
Ndrea Prendi: Le ta djegin pemën nuk ka problem
I panjohur: 260 e Luanit?
I panjohur: Luani 3

Në këtë provë të rëndësishme, të cilën Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duhet ta marrë, ta administroj dhe ta analizojë veçmas dhe në tërësi me provat e tjera, del qartë dhe pa ekuiviok se ka dyshime të arsyeshme, madje tej çdo dyshimi, se kemi të bëjmë me një organizatë të mirëfilltë kriminale të krijuar për të bërë vrasje politike, e cila parashikohet si vepër penale e rëndë në nenin 333 i Kodit Penal, sikurse këto 4 vrasje dhe numri i personave të plagosur janë kryer nga kjo organizatë kriminale, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal.

Prova me zë dhe figurë që fundos Berishën
Si provë indirekte për të krijuar bindjen lidhur me pjesëmarrjen aktive të ish kryeministrit në ngjarje mund të shërbejë deklarimi i përsëritur që ai ka bërë deri vonë, duke u shprehur se nëse ish drejtuesi i opozitës i asaj kohe do të organizonte një tubim tjetër që do t’i afrohej godinës së kryeministrisë, do te ishte i gatshëm të qëllonte me automatik në drejtim të tij. Pra prokurorët specialë e kanë më të lehtë se kurrë për të gjetur fajtorin kryesor dhe për të fundosur Berishën, pasi e ka pranuar hapur me gojën e tij se ishte ai që dha urdhrin për të vrarë protestuesit. Disa vite më parë ai mori përsipër jo vetëm vrasjet 21 janarit, por dhe vendosmërinë për të vrarë me snajper ish kreun e opozitës, aktualisht kryeministër i vendit Edi Rama. Më 10 dhjetor 2020, Berisha pranoi hapur në një intervistë televizive se: “Nëse Edi Rama do të afrohej të nesërmen e 21 janarit pranë kryeministrisë dhe nëse vetëm një gjethe do të prekej, 5 snajperë do ta qëllonin. Ishte Thomas Countryman me të cilin i përcolla mesazhin Ramës. A e keni dëgjuar bashkëshorten e tij të thotë poshtë e lart se shërbimet sekrete i kishin thënë se Rama do të vritej, unë isha. I thashë diplomatit të huaj se po të lëvizte edhe një gjethe në territorin e kryeministrisë ai (Rama) do ta kishte në lule të ballit nga 5 snajperë”.

Plumbi për vrasjen e Aleks Nikës

Gjithashtu, kallëzuesit citojnë se si provë direkte për përpjekjen e personave që kanë marrë pjesë në vrasjen e viktimës Aleks Nika shërben edhe fakti që plumbi i gjetur në trupin e tij është i dëmtuar qëllimisht për të mos u identifikuar jo vetëm autori i qitjes, por edhe fakti që qitja është bërë nga persona të zinxhirit të gardës.

Prova e Ndrea Prendit
Provë e rëndësishme që vërteton se urdhëruesi i këtyre vrasjeve ishte pikërisht ish-Kryeministri Sali Berisha, është fakti se Komandanti i Gardës, pjesëtar i organizatës kriminale, pasi u thirr në zyrën e ish-kryeministrit për të marrë urdhrin e ekzekutimin të disa prej protestuesve dhe bëri me të një debat të ashpër, i cili degjeneroi në ushtrimin e një dhunë të rëndë fizike që ish-Kryeministri ushtroi mbi Komandantin e Gardës Ndrea Prendi, ky i fundit veproi menjëherë me zinxhirin e anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale dhe me armët e zjarrit të Gardës së Republikës, bëri masakrën shtetërore, duke vrarë 4 qytetarë të këtij vendi dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Vendimi i Strasburgut

Gjithashtu para SPAK janë çuar edhe gjetjet nga Gjykata e Strasburgut. Vendimi i Strasburgut i datës 14 nëntor 2023 tha se shteti vrau më 21 janar, u urdhërua të qëllohej në turmën e qytetarëve me plumba të vërtetë, u urdhërua që Prokuroria të mos lejohej të hetohej, u fshehën prova, u manipuluan prova, u mashtruan organet e drejtësisë, u kërcënua Prokurorja e Përgjithshme, të vrarë të pafajshëm që mbeten pa drejtësi. Për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut nuk ka asnjë ekuivok që ishte shteti shqiptar, qeveria e tij e kryesuar nga Sali Berisha, ata që janë përgjegjës për vrasjen e protestuesve më më 21 janar. “Goditje vdekjeprurëse e të afërmit të kërkueseve nga punonjësit e shtetit gjatë një proteste politike që degjeneroi në dhunë përpara ndërtesës së Kryeministrisë” Dhe gjithçka pa asnjë arsyetim të qenësishëm.

Plumbat

Në vendimin prej 48 faqesh, Gjykata e Strasburgut e përmend një fakt të rëndësishëm që është zbuluar gjatë hetimeve, që në gardhin para Kryeministrisë janë konstatuar shenja plumbash. Më 7 shkurt 2011, hetuesit e policisë këqyrën përsëri vendin e protestës dhe vunë re se gardhi metalik i ndërtesës ishte dëmtuar nga forca e atyre që dukej se ishin predha. Ata bënë fotografi të gardhit (pika 31) Kur u pyetën oficerët e gardës nuk e shpjegonin dot se pse kishte shenja në gardhin metalik të gardës. Të njëjtën përgjigje dha edhe komandanti i tyre Ndrea Prendi. “Në përgjigje të pyetjes nëse mund të jepte ndonjë shpjegim për shenjat e lëna nga predha në gardhin metalik të ndërtesës (të cilat ishin në lartësinë e njeriut), Ndrea Prendi u përgjigj se nuk mund t’i shpjegonte shenjat” (Pika 39) Ka dyshime të forta që shenjat mund të vërtetojnë faktin se gardistët kishin qëlluar drejt turmës dhe një pjesë e mirë e plumbave janë ndalur nga gardhi.

U refuzuan edhe urdhrat e prokurorisë

Për t’i vënë shkopinj nën rrota hetimit penal dhe për më tepër për të paralajmëruar prokurorinë Sali Berisha paralelisht me këtë hetim krijoi një komision hetimor, të cilin Gjykata e Strasburgut e veçon në vendimin e saj. Madje edhe qëllimin për këtë komision hetimor gjyqtarët e kanë të qartë. “Është e rëndësishme që menjëherë, paralelisht me hetimin penal, u krijua një komision hetimor parlamentar – jo për qëllim të sqarimit të fakteve dhe përgjegjësisë së mundshme të shtetit për ngjarjet e 21 janarit 2011”, por për të hetuar mbi abuzimet e dyshuara nga prokurorët që po hetonin ngjarjet; Prokurorja e Përgjithshme u thirr dhe iu nënshtrua kritikave të ashpra publike nga anëtarët e atij komisioni” Kulmi arriti kur qeveria vendosi të mos zbatojë urdhrat e prokurorisë. Herët në mëngjesin e datës 22 janarit, një ditë pas masakrës, prokurorët nxorën urdhër ndalime për gjashtë oficerët e lartë të Gardës së Republikës, por zbatimi i këtyre urdhrave u refuzua. Pas i kërkua një herë shtyrja gjë që nuk u pranua nga prokuroria, drejtori i përgjithshëm i Policisë njoftoi Prokuroren e Përgjithshme se për shkak të gabimeve teknike dhe administrative, urdhër-arrestet nuk mund të ekzekutoheshin.

Hetimi për Aleks Nikën

Duke analizuar të gjitha faktet, Gjykata e Strasburgut arrin në përfundimin se hetimi për vrasjen e Aleks Nikës nuk mund të quhet i ezauruar. “Hetimi që është kryer në këtë çështje nuk mund të konsiderohet si një hetim efektiv që mund të çojë në identifikimin dhe ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për ngjarjet e pretenduara dhe në përcaktimin e të vërtetës” (pika 128) Gjykata thotë se pas vdekjes së Aleks Nikës në spitalin e Stambollit, autoritetet turke nxorën më 5 shkurt 2011 një plumb nga koka e tij, teksa i bën një rezyme odisesë së plumbit që sipas ekspertëve ka humbur formën e tij origjinale dhe karakteristikat identifikuese për shkak të dëmtimit; prandaj nuk ishte e mundur të përcaktohej arma nga e cila kishte dalë. Vetëm së fundmi autoritetet kanë bërë me dije se plumbi për të cilin autoritetet do të kërkojnë një tjetër ekspertim në Itali. Për Gjykatën e Strasburgut vrasja e Aleks Nikës është ende pa një autor dhe përmendja e faktit që Nika ka qenë pranë Faik Myrtajt që u vra nga Ndrea Prendi duket si një indicie nga ana e gjyqtarëve. Të gjitha këto fakte dhe shumë të tjera që nuk kemi përmendur, pritet të hetohen nga SPAK.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Me t’u kaluar gardhi i telave do hapet zjarr luftarak“

E PLOTË/ Përgjimet që e çuan 21 Janarin në SPAK


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin