MENU
klinika

“Ftohja” Serbi-Rusi

Kush është “Vuçiçi i ri” që ka gjetur Putini

06.07.2024 - 11:01

Në rrjetin e ngatërruar të marrëdhënieve ndërkombëtare, lidhjet e ngrohta mes Aleksandër Vuçiç, Presidentit të Serbisë, dhe Vladimir Putin, udhëheqësit të frikshëm të Rusisë, janë marrë të mirëqena, nga shumëkush. Për Vuçiçin, këto lidhje diplomatike duket se tejkalojnë strategjinë politike; ato mishërojnë një interes tejet personal. Marrëdhënia e tij me Putinin nuk është vetëm një çështje shteti; është një dinamikë që formëson dinamikat rajonale dhe manovrat gjeopolitike në Evropën Juglindore. Ndoshta kjo shpjegon zemërimin e presidentit serb, me lajmet se kishte një krisje mes tyre. Në një artikull media serbe “Nova.rs” zbulonte detaje nga takimi i tensionuar në Beograd midis Presidentit Aleksandër Vuçiç dhe zv/ministrit e Jashtëm të Rusisë, Aleksandër Grushko. Sipas Nova.rs, e cila i referohet burimeve nga qeveria serbe Grushko është larguar nga Serbia menjëherë pas përballje me Vuçiçin, i pakënaqur me epilogun e takimit. I ftuari nga Moska i anuloi obligimet e mëhershme të dakorduara në Beograd dhe shkak për këtë vendim ishte përgjigja e Vuçiç për pyetjen e rusëve, se si armët serbe kanë përfunduar në frontin ukrainas.
Përgjigjja e Vuçiçit
Pas publikimit të artikullit nga media serbe, Aleksandër Vuçiç ka reaguar menjëherë me një postim të gjatë në Instagram, ku mundohet të sqarojë se marrëdhënia e tij me Putin nuk ka ndryshuar. “Gjithçka që është shkruar është një gënjeshtër e zakonshme, dua t’i informoj qytetarët se ne kemi marrëdhënie shumë korrekte me Rusinë dhe se nuk kam tentuar asnjëherë të flas me Putinin”, ka shkruar Vuçiç. Megjithatë, ai nuk është mjaftuar me kaq, duke mbajtur edhe një konferencë ku sqaroi gjithçka. Vuçiç e ka shfrytëzuar këtë rast edhe për të thënë se është gënjeshtër se ka tentuar të flasë me presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se nëse vërtetohet se kjo është e vërtetë, ai nuk do të jetë president i vendit. Teksa theksoi se tradicionalisht ka marrëdhënie të mira me Federatën Ruse, Vuçiç deklaroi se kjo ngjarje nuk ka ndodhur. Ai sfidoi personat që nxorën lajmin duke thënë se nëse e nxjerrin prova se Putin i ka refuzuar telefonatën, ai do të jepte dorëheqje.
Komunikimi me Putinin
“Unë mund të jem një i çmendur, një i sëmurë, një majmun, një luftëtar, një kriminel lufte, por ata janë gënjeshtarë, të provuar. As që më lëndojnë. Ata gënjejnë siç kanë gënjyer për Jovanjica. Le të thonë përmes kujt doja të flisja me presidentin Putin dhe nëse ai ka refuzuar, nuk do të jem më president”, tha ai. “Ata njoftuan se u përpoqa të flisja me Putinin tre herë dhe ai refuzoi. Kjo nuk ndodhi kurrë. Nuk ka ndodhur kurrë në 12 vitet e fundit që unë të dëshiroja të flisja me të dhe nuk e mora atë bisedë. Ne kemi marrëdhënie të mira me secilin”, tha Vuçiç. Bashkëbiseduesit e “Nova” theksonin gjithashtu në artikull se, pavarësisht se Vuçiçin e rëndon fakti që homologu rus nuk do të komunikojë me të, ai e përdor këtë fakt në komunikimin me diplomatë dhe shtetarë perëndimorë. Bashkëbiseduesit e “Nova.rs” shtojnë se “problemet në komunikim” që lindën gjatë takimit me Grushkën nuk janë të vetmet dhe se për dallim nga deputeti Sergej Lavrov, me të cilin Vuçiç arriti të flasë, ai nuk ka pasur fat të tillë për të folur me Vladimir Putin.
“Rivaliteti” me Dodikun
I pyetur për të komentuar faktin se Milorad Dodik udhëton më shpesh se ai në Moskë, Vuçiç tha se kjo është e vërtetë, por se edhe ai ka marrë ftesë çdo herë. Kujtojmë se Dodik e takoi Putinin për herë të fundit para Kuvendit të Madh serb, ndërsa Vuçiç nuk ka folur apo nuk është takuar me të që nga fillimi i luftës në Ukrainë, përveç një rasti në Pekin ku të dy morën pjesë në forumin e nismës kineze “Brez dhe Rrugë”. Interesi i thellë i Serbisë për të mbajtur lidhje të forta me Rusinë buron nga një ndërthurje komplekse e lidhjeve historike dhe varësive ekonomike. Këto marrëdhënie i ofrojnë Serbisë mbështetje diplomatike për çështje kyçe si Kosova, partneritetet ekonomike që forcojnë infrastrukturën dhe industrinë e saj dhe bashkëpunimin ushtarak. Për më tepër, në një kohë kur Serbia ndihet nën presion nga Perëndimi, duket se Rusia është e vetmja “kishë për tu falur”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Vuçiç e telefoni tre herë, Putin nuk iu përgjigj”

Krisje mes Moskës dhe Beogradit? Çfarë shkruajnë media serbe


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë