MENU
klinika

Nga Ilir Yzeiri

Lulzim Basha ose një konspiracion i besueshëm politik

08.07.2024 - 22:25

Po qarkullon lajmi se disa përfaqësues prej grupit politik të Lulëzim Bashës kanë marrë nismën që të krijojnë një forcë të re politike brenda së djathës me emrin IDE (Iniciativa e Demokratëve Euroatlantikë). Po ashtu, nga lajmet që qarkullojnë mësohet se ky grupim, është mërzitur me inaktivitetin e Bashës dhe i ka bërë thirrje edhe atij që të bashkohet me ta.

Në krye të kësaj lëvizjeje të re janë sidomos dy figura të spikatura tani në fund si thellësisht të distancuar nga Berisha. Ata Janë Enkeleid Alibeaj dhe Roland Bejko bashkë me disa të tjerë. Nëse kjo inisiativë është ë vërtetë apo jo duhet të presim. Ajo që dimë deri tani është se këto figura, por edhe të tjera si ato kanë kohë që i kërkojnë Lulëzim Bashës që të veprojë dhe të marrë inisiativën që të krijojë një forcë tjetër politike tani që gjykata administrative ia dha vulën dhe çelësat e PD-së Sali Berishës.

Reagimi i Bashës ka qenë konfuz. Ai është shprehur se do ta kërkojë të drejtën edhe në Gjykatën e Lartë dhe ka lëshuar akuza politike mbi vendimin e kësaj gjykate. Ndërkaq, qysh në fillim më i qartë ka qenë Enkeleid Alibeaj, ai që për disa kohë edhe e ka udhëhequr PD-në zyrtare. Duke parë vendimin e formës së prerë të gjykatës që ia kthen logon dhe vulën grupit të Sali Berishës, ai ka deklaruar se nuk duhet të presim më, por duhet të motivojmë jo vetëm ata 150 mijë demokratë që na u bashkuan ne në zgjedhjet e fundit, por edhe mijëra e mijëra të tjerë që presin të identifikohen me një forcë dhe një lider euroatlantik dhe që nuk mbështet Sali Berishën.

Hezitimi apo rezistenca e Bashës është një heroizëm pa ide, sepse ajo e lë të papërfaqësuar grupin e politikanëve të PD-së që u shkëputën nga Berisha dhe që janë shprehur hapur se nuk duan të bashkëpunojnë me të, nuk duan t’i lëpihen atij për një vend në listën e deputetëve, se nuk e ulin dinjitetin e tyre politik që të bashkëpunojnë me atë që për pak i dogji të gjallë brenda atëherë kur sulmoi selinë e ish-SHQUP-it, siç kanë bërë në këto kohë disa prej atyre deputetëve që tani shfaqen nën këmbët dhe thundrën e Flamur Nokës apo të pështyrë në rrugicën ku mbahet i izoluar Berisha. Lulëzim Basha, përveç retorikës së njohur mbushur me akuza e me hosanara për SPAK-un si një spakist i reformuar nuk bën asgjë tjetër.

Kur përmenda në titull fjalën « konspiracion » pata parasysh vëzhgimin që ka bërë në emisionin tim ADN dy vjet më parë, por edhe këtë vit, Flamur Kuçi, ish-këshilltar i Berishës në qeverinë e tij dhe një figurë e spikatur intelektuale e së djathtës shkodrane. Që në atë kohë, ai më pat deklaruar në emision të cilin mund ta ndiqni këtu (https://youtu.be/hriXfaTmZXE?si=wnBNzA8DX6i8yf5a) se Lulëzim Basha nuk e ka seriozisht shkëputjen e tij nga Berisha. Sipas tij ka një marrëveshje të heshtur mes Bashës e Berishës për të bërë ndarjen e madhe « tragjike », por për të mos vepruar.

Dhe ka një arsye të besohet kjo. Gjatë kohës që Basha u nda me Berishën dhe mbajti logon e vulën e PD-së, ai nuk ndërmori asnjë aksion në mënyrë që të ringjallte PD-në dhe të afronte sidomos popullin opozitar i cili në rastet e qeverisjve të gjata rritet. Basha qëndroi vazhdimisht në një nga zyrat e reja të PD-së dhe shfaqej në aksione minore, në takime me gjimnazistë apo figurantë dhe nxirrte herë pa herë një zëdhënëse të zbehtë që imitonte Salianjin e ri kur bënte deklarata nga Surreli kundër Edi Ramës. Gjithë hapsirën ia la Berishës, i cili, siç e dimë, ndërmori edhe një tur në të gjithë Shqipërinë për të takuar demokratët, por, në fund, u pa se ishte i refuzuari më i madh.

Ndërkohë Basha vegjetonte në zyrë dhe shfaqej në takime me fëmijë gjimnazesh që nuk merreshin vesh kur ishin bërë. Pasi Berisha u izolua, pritej që aksioni i Bashës të merrte vrull, por edhe këtë radhë nuk ndodhi asgjë. Përveç ndonjë spektakli në Pallatin e Kongreseve me ekspertë ekonomie që nuk merreshin vesh se për çfarë platforme flisnin sepse ai që kumtonte ishte Basha dhe ata dëgjonin atë, ndërkohë që programi ekonomik thuhej se ishte shkruar dhe do ta hidhej apo e kanë hedhur në faqen e PD-së. Erdhi dhe fundi i këtij grupimi.

Gjykata ia dha vulën, logon dhe « qyçet » Sali Berishës e Flamur Nokës. Basha përsëri vegjeton dhe thotë se do ta kërkojë të drejtën e tij edhe në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, vendimi është i formes së prerë dhe zgjedhjet e reja janë në prag.

Si do të shkojë Lulëzim Basha në këto zgjedhje ?

Cili do jetë emri dhe logoja e kësaj pjese të PD-së ?

Basha nuk mund të përgjigjet sepse, jo vetëm që është konfuz, por tani del se ajo që ka thënë Flamur Kuçi një vit e ca më parë, për fat të keq, qenka e vërtetë, nuk është konspiracion. Basha, në marrëveshje të heshtur me Berishën, duke mos vepruar i ka shërbyer dhe po i shërben atij më shumë se Gazmend Bardhi që shfaqet si «gaztori » i fshatit duke gjezdisur nga Basha te Berisha. PD-ja u shkatërrua me dy goditje njëra nga Berisha dhe tjetra nga Basha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Ilir Yzeiri

Shqiptarët në Dortmund