MENU
klinika

Kërkon bashkimin e amerikanëve

Debat për dështimin e ekipit të sigurisë, Trump: Vetëm Zoti më shpëtoi!

14.07.2024 - 17:45

Donald Trump kërkon unitet mes amerikanëve pas atentatit ndaj tij. Në deklaratën e dytë të publikuar në Truth Social pas sulmit, ish-Presidenti falenderon mbështetësit e tij për mesazhet e panumërta për shërim të shpejtë pas plagosjes së lehtë nga plumbi që i preku majën e veshit të djathtë.

“Ishte vetëm Zoti që parandaloi të paimagjinueshmen të ndodhte. Ne nuk do të kemi frikë, por përkundrazi, do të mbetemi të fortë në besimin tonë dhe sfidues përballë ligësisë. Dashuria jonë shkon për viktimat dhe familjet e tyre. Lutemi për shërimin e të plagosurve. Në këto momente është më e rëndësishme se kurrë më parë për të qëndruar të bashkuar, të tregojmë fytyrën e vërtetë të amerikanëve. Të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos lejojmë djallin të fitojë”, lexohet në mesazhin e Donald Trump.

Ka qenë në fakt një lëvizje e Trump në sekondat e fundit që e ka shpëtuar atë në atentatin që mund të merrte përmasa tepër tragjike. Pas qetësimit të situatës, debati tani po zhvillohet lidhur me protokollin e sigurisë dhe agjentët e përfshirë për garantimin e perimetrit.

Elon Musk kërkon shkarkimin e tyre, ndërsa republikanë të tjerë ngrenë dyshime për seriozitetin e ekipit të sigurisë. Madje, Komisioni i Mbikëqyrjes, një organ hetimor në Kongresin Amerikan, ka thirrur drejtorin e Shërbimeve Sekrete Amerikane, Kimberly Cheatle, për të dëshmuar më 22 korrik.

Përballë akuzave për neglizhencë ka ardhur dhe reagimi nga organet ligjzbatuese. Anthony Guglielmi, një zëdhënës i Agjencisë së Shërbimit Sekret, thekson se nuk qëndron vlerësimi që po qarkullon se anëtarët e ekipit të sigurisë së Donald Trump kërkuan burime shtesë në njerëz dhe se kjo kërkesë ishte refuzuar.

“Në fakt, ne shtuam burimet mbrojtëse dhe teknologjinë si pjesë e udhëtimeve për fushatën”, theksoi zëdhënësi.

Mbështetësit e Trump, të pranishëm në eventin për fushatën elektorale në Butler të Pensilvanisë, sapo panë autorin me armë në një ndërtesë aty pranë njoftuan efektivët e policisë, të paktën sipas dëshmive në media. Në një deklaratë, FBI e identifikoi agresorin si 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks, i cili u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret. FBI shprehu gjithashtu habinë se si autori ishte në gjendje të hapte zjarr. Sulmuesi, i armatosur me një pushkë gjysmë automatike, iu shmang kontrolleve. Në heshtje, ai u vendos në majë të një ndërtese. Askush nuk e ndaloi të vendosej dhe qëndronte vetëm 150 metra larg skenës së mitingut.

Atentati u dënua me forcë nga Presidenti Joe Biden, i cili tha se dhuna nuk ka vend në politikën dhe demokracinë amerikane. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti bisedoi përmes telefonit me Trump.