MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

1.7 milionë turistë nga Kosova? Gjithsej 1.6 milionë banorë ka Kosova…

15.07.2024 - 12:50

Ditët e fundit qarkulloi në media një lajm mbi 1.7 milionë turistë që kishin ardhur këtu nga Kosova në 6-mujorin e parë. Lajmi i referohej shifrave të Ministrisë së Turizmit për 6-mujorin, pa i analizuar apo kryqëzuar ato me shifrat e INSTAT-it.

Rastësisht, në të njëjtën kohë, u publikuan edhe shifrat e Censit të Kosovës, sipas të cilit në Kosovë banojnë vetëm 1.6 milionë shtetas. Pra, 100 mijë më pak se sa kishin ardhur, sipas lajmit të mësipërm, për turizëm në Shqipëri…

Në qoftë se gazetarët që hartuan lajmin e mësipërm do t’i kishin krahasuar shifrat mujore të Ministrisë së Turizmit me ato të INSTAT-it, do të kishin konstatuar se shifrat janë të njëjta por emërtimi i tyre ndryshon nga një institucion në tjetrin. Kështu, INSTAT-i raporton çdo muaj numrin e hyrjeve të shtetasve të huaj. Ndërsa Ministria e Turizmit e raporton të njëjtën shifër si numër turistësh që kanë vizituar vendin tonë në atë muaj.

Si rrjedhim, disa hyrje këtu të të njëjtit shtetas të Kosovës, për shembull, Ministria e Turizmit i raporton si disa turistë nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë. E kështu, 1.7 milionë hyrje këtu me pasaporta kosovare, përkthehen në raportimin e Ministrisë së Turizmit në 1.7 milionë turistë kosovarë që kanë vizituar Shqipërinë gjatë një 6-mujori. Ndërkohë që, gjithsej, 1.6 milionë banorë ka Kosova…

Që të mos krijohen paradokse të tilla, Ministria e Turizmit duhet t’i përmbahet terminologjisë zyrtare të INSTAT-it. Kështu, për të llogaritur sa vizita për pushime janë bërë nga shtetas të huaj duhen zbritur nga totali i zërit “Hyrje të shtetasve të huaj”, ato për qëllime tranziti apo biznesi (përbënë 6.1% të totalit në 5-mujorin e parë). Pra Ministria e Turizmit duhet të raportojë vetëm vizitat për qëllime pushimi.