Sapo ka mbërritur në Athinë, Fredi Beleri është takuar me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis. Takimi u mbajt në Pallatin Maximos, ndërsa Mitsotakis ka uruar Belerin duke I thënë se shpreson të lirohet sa më shpejt nga burgu.
“Kam shumë arsye, i dashur Fredi, të jem i lumtur t’ju mirëpres sot në Megaros Maximos. Së pari, më lejoni t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si eurodeputet grek tani, në Bruksel dhe Strasburg, me Demokracinë e Re. Jam i sigurt se do t’i përmbushni plotësisht detyrat tuaja. Më lejoni t’ju them se sa i lumtur jam që kjo aventurë e madhe duket se po i vjen fundi. Është e vetëkuptueshme, ju keni marrë licencën që të mund të ushtronit detyrat tuaja dhe të bënit betimin. Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të ecim përpara, të shohim përpara”, tha Mitsotakis, ndërsa shtoi se duan një Shqipëri që i afrohet Evropës.
Nga ana e tij, Beleri e ka falënderuar Mitsotakis për mbështetjen që i ka dhënë, ndërsa shprehu bindjen se do nderojë besimin që Greqia i ka dhënë.
“Dua t’ju falënderoj personalisht që më keni mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe. Unë do të nderoj besimin që më keni dhënë duke më futur në fletën e votimit europian. Mendoj se shteti ku jetojmë nuk është e vetëkuptueshme shteti ligjor, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Unë dua t’i ndihmoj ata. Të ndihmojë pakicën kombëtare greke të qëndrojë në shtëpitë stërgjyshore, por edhe që ky shtet të afrohet dhe të bëhet anëtar i familjes europiane”, tha ai.
Beleri u lirua përkohësisht nga burgu i Fierit, pas kërkesës për betim si eurodeputet.
Beleri udhëtoi nga Tirana në Athinë, ndërsa më 16 korrik do të udhëtojë drejt Strasburgut për të marrë pjesë në mbledhjen e PE-së.