Specialist i mirëfilltë, pedagog, anëtar i Komisionit të Europës, Ramiz Reka ka lindur më 17 janar 1938 në qytetin e Durrësit. Ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” (sot Universiteti i Sporteve të Tiranës – UST).
Nga viti 1948-1953 u inkuadrua në sportin e boksit me grupmoshën e pionierëve. Nga viti 1954 e deri në vitin 1956 është shpallur tri herë kampion kombëtar për “Junior”.
Nga viti 1957 e deri në vitin 1963 ka përfaqësuar ekipin e boksit të Partizanit. Eshtë shpallur pesë herë kampion i Spartakiadës së Përgjithshme të Ushtrisë dhe kampion kombëtar.
Në vitet 1958-1963 ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të boksit. Durrsaku fitoi shumë shpejt simpatinë e boksdashësve durrsakë, jo vetëm pse u shpall tri herë radhazi kampion kombëtar për të rinj, por, sidomos nga mënyra dhe stili i veçantë teknik i boksimit të tij. Kot nuk ishte marrë me akrobaci dhe gjimnastikë kur ishte fare i vogël.
Në vitet e mëvonshme, kur “babai i boksit”, Ali Kastrati, e “thithi” nga Durrësi te Partizani, Reka jo vetëm do të përpunohej në shumë drejtime dhe do të stërvitej me ngarkesa të larta, por do të radhitej midis boksierëve më të mirë të Partizanit.
Në vitin 1963 boksi u ndalua në Shqipërinë komuniste. Emri i Ramiz Rekës u bë më i dëgjuar, më popullor dhe më i vlerësuar, pasi ai dha një kontribut të madh si trajner, gjyqtar dhe pedagog.
Në vitin 1991, Reka u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Boksit, ku hodhi themelet për antarësimin e Shqipërisë në AIBA (Shoqata Ndërkombëtare e Boksit Amator)…
Konica.al: Kur e keni nisur boksin?
Ramiz Reka: Në vendin tim të lindjes (Durrës), me grupmoshën e pionerëve në atë kohë. Ishte një aktivitet që bëhej në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku zhvillohej një turne me boksierët më të mirë të vendit.
Ishte koha kur nuk ishin prishur marrëdhëniet me Jugosllavinë, pikërisht në vitin 1948. I pranishëm ishte edhe Tomic Kruno, që vinte të sillte eksperiencën nga Kroacia.
Isha 10 vjeç, arbitër ishte kampioni Ali Kastrati dhe u ndesha me Agim Dollanin, ku fitova ndeshjen e parë. U duartrokita dhe kaq u desh që unë të mbetesha mik i boksit, madje vazhdoj të jem edhe sot në moshën 80-vjeçare.
Konica.al: Cilat ishin sukseset e para të karrierës?
Ramiz Reka: Vazhdova stërvitjen me grupmoshat dhe në vitin 1954 dola kampion i vendit për të rinj. Ky është suksesi i parë, pra që në moshën 16 vjeçare.
Në vitin 1956 edhe njëherë tjetër u shpalla kampion për të rinj, ende pa mushur 18 vjeç. I madhi Ali Kastrati më mori në moshën 19-vjeçare pranë klubit sportiv “Partizani”, ku më përgatiti e më lançoi në ekipin kombëtar të boksit. Për 5 vite radhazi isha kampion i spartakiadave të përgjithshme të ushtrisë.
Konica.al: Fitorja më e bukur që mbani mend?
Ramiz Reka: Ndeshja me Viktor Martinin në Tiranë, që e fitova me rezultatin e pastër, pasi ai ishte një boksier shumë i fortë dhe më kishte marrë një ndeshje me pikë, pikërisht në qytetin tim të lindjes, ndaj revanshi ndaj tij më gëzoi pa masë.
Konica.al: Humbja më e dhimshme e juaja?
Ramiz Reka: Ka qenë ndeshja e parë ndërkombëtare me kampionin hungarez Ohla Marton, që e takova edhe pas 38 viteve në Budapest. Ishte viti 1958, unë nuk kisha eksperiencë ndërkombëtare dhe kjo ndikoi në paraqitjen time, shto këtu faktin që publiku në “Qemal Stafa” më emocionoi. Gjithsesi, ndeshja u humb vetëm me pikë dhe kjo ishte ngushëllim.
Konica.al: Si vijoi karriera juaj më pas në boks?
Ramiz Reka: Natyrshëm, fitova përvojë dhe sukseset erdhën edhe në arenën ndërkombëtare. Në RDGJ e asokohe fitova me një gjerman, në vedlindjen e tij, ndërsa në ndeshjen e dytë me kampionin e Gjermanisë, barazova.
Isha dominues, por edhe gjyqtarët nuk do më përkrahnin mua që vija nga Shqipëria. Vijova të boksoj në Hungari, në Armeni dhe vende të tjera, por fatkeqësisht, boksi u ndëpre në vendin tonë në vitin 1963, kur unë isha 25 vjeç, në kulmin e karrierës sime dhe të fizikut tim.
Konica.al: Si e përjetove ndalimin e boksit në Shqipëri?
Ramiz Reka: Me shumë dhimbje dhe jo vetëm ne që boksonim, por edhe tifozët e shumtë të boksit ndien keqardhje. Ishin kohë të tjera, nuk mund të flisnim dhe as të ankoheshim për një vendim që vinte nga lart. Ne thjesht duhet ta pranonim dhe të përshtateshim me sistemin, pasi shumë sportistë e pësuan në atë kohë.
Konica.al: Ëndrra juaj u ndërpre, po çfarë mund të bënte një boksier më pas?
Ramiz Reka: Klubi i Partizanit nuk më la në rrugë. Petrit Dume më tha: Pse boksierin tonë do ta lëmë në rrugë ne…Iu riktheva sportit të gjimnastikës, pasi i vogël isha marrë me këtë disiplinë.
Ushtrohesha vetë, por ndërkohë m’u afrua ekipi i Partizanit për të rinj në gjimnastikë, ndërsa jepja në shkollën “Skënderbej” boks dhe gjimnastikë. U bëra profesor që në moshë të re, sepse ndiqja edhe studimet në Institurin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”.
Konica.al: Të shkonte mendja të boksoje, qoftë dhe ilegalisht?
Ramiz Reka: Me thënë të drejtën, çdo ditë më hanin duart, por duhet të keni parasysh, mjaftonte një sy dhe unë përfundoja keq, kështu që nuk bëra asnjë ndeshje fshehtas, ndikuar edhe nga raste të tjera që u futën në burg.
Konica.al: Po kulmi i karrierës akademike, cili ishte?
Ramiz Reka: U përzgjodha si pedagog pranë Institutit të Lartë të Kulturës Fizike, por emocioni më i madh ishte kur më emëruan pedagog në Institutin e Policisë së Rendit, sepse aty fillova t’u mësoja boks, çka ishte pasioni im më i madh. Deri në vitin 1993 punova pedagog, atëherë dola në pension.
Konica.al: Po kur boksi u rihap në Shqipëri?
Ramiz Reka: Isha në grupin nismëtar për rithemelimin e federatës së boksit, madje më zgjodhën sekretar i përgjithshëm.
Nga viti 1991, deri 1993, e mbajta këtë detyrë, por lidhjen me federatën vazhduan dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, herë si drejtor teknik, herë kryetar i këshillit të trajnerëve dhe deri në konsulent teknik.
Megjithatë, jam aktiv në botimin e disa librave akademikë për boksin dhe një sërë broshurash e planprogramesh, në ndihmë të trajnerëve dhe specialistëve të boksit. Jam në përfundim të librit të fundit “ABC, program i përgatitjes fillestarë të boksit”.
Konica.al: Cili ka qenë idhulli juaj i boksit?
Ramiz Reka: Për mua, Muhamed Ali. Ndoshta edhe për faktin se i përkas atij brezi, por si ai boksier nuk vjen më. Ndërsa mua më krahasonin asokohe me Manzon dhe Benvenuti, njëri boksier argjentinas dhe tjetri italian. Ndërsa në Shqipëri më ka pëlqyer Ahmet Golemi.
Konica.al: Po në ditët e sotme, cili boksier ju pëlqen më shumë?
Ramiz Reka: Të dy vëllezërit Klitschko, të cilët vijnë nga shkolla ukrainase e boksit. Ndërsa ndër boksierët tanë më bën përshtypje Xhuljo Vrenozi, i cili ka një përgatitje në të gjitha komponentët.
E kam shoqëruar në dy ndeshje dhe më ka lënë mbresa shumë të mira. Ai mund të bëhet kampion bote në boksin profesionist.
Por edhe Uldedaj është në rrugën e mbarë dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një kampion boksi edhe në arenën ndërkombëtare.
Konica.al: Mesazhi juaj për lexuesit e rinj të “Konica.al”?
Ramiz Reka: Merruni sa më shumë me sport. Mos pretendoni se nuk keni kohë. Unë natyrisht do t’u rekomandoja boksin, sepse të pajis me cilësi psikomorale të mrekullueshme, por kur bëhet konform rregulloreve.
Mos e shikoni boksin si sport të dhunshëm, burrëror është, por nuk ushqen urrejtje, përkundrazi bashkon njerëzit.