MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Pse PD nuk di të fitojë ?

17.07.2024 - 13:05

U bë vite që dëgjojmë të njëjtat fjalë, fjali, togfjalish, recitime dhe fjalime të Berishës. U bë vite qysh nga koha e Fatos Nanos, kur ai e etiketonte “njeriu më i korruptuar në Ballkan, njeriu që ka lidhje me grupet e krimit dhe trafikut”, dhe qeverinë e tij si “qeveria më e inkriminuar në planet”. Pa hequr asnjë presje, ato fjalime ka edhe sot ish-lideri historik, i një partie që sot nuk mund ta quash as demokratike dhe as të djathtë. Kjo për faktin sepse partitë demokratike sidomos në Europë, apo dhe ato të djathta, kanë tjetër ngjyrim dhe përcaktim politik. Kanë tjetër qasje pranë problemeve që kalojnë populli dhe vendi i tyre. Kurse Partinë Demokratike të Berishës, nuk e lidh asgjë me ato “simotrat”, që ai mundohet ti referohet. Tjetër argument, është mënyra se si partitë e djathta dhe demokratike në Europë bëjnë opozitën, fushatën, protestën, rradikalizimin e saj, duke shkuar deri tek zgjedhjet dhe votimet. Por pse PD-ja, nuk di të “godasë” në shenjë politikisht, të fitojë zgjedhjet, pse kjo PD, nuk ka patur asnjëherë fatin të jetë demokratike, e djathtë, dhe të ketë fituar bindshëm (si gjithmonë Partia Socialiste) një pale zgjedhje të përgjithshme dhe lokale ? Mendoj se i mungon lidershipi i duhur, stradegjia drejtuese e duhur, vizioni dhe largpamësia. Mendoj se i mungojnë emrat, figurat, qasjet e reja në strukturat bazë dhe rrethe, po ashtu i mungon fryma dhe besimi që duhet të ngjallë fillimisht tek të vetët. Edhe pas 2 dekadash, Berisha rreket të bëjë opozitarin e “fortë” ashtu siç bënte me Nanon dhe kabinetin e tij. Rreket të bëjë “qëndrestarin” edhe me organet e drejtësisë së re, ashtu siç bënte dikur me Ina Ramën, dhe drejtësinë e vjetër, e cila ishte pocaqisur dhe vënë totalisht nën urdhërat e politikës. Thonë një fjalë, “kohë e re, zakone të reja”. Në vitin 2024, nuk mund ti flasësh dhe ti bësh propogandë mbështetësve të tu, me fjalime stardarde, të nxjerra nga arkivi , vetëm duke u ndërruar emrat e personazheve. Në botën demokratike, politikanët flasin, denoncojnë dhe akuzojnë me fakte, dhe faktet shkojnë në vendin e duhur, në dyert e drejtësisë. Eshtë vërtetë fat i madh, që sot çdo akuzë dhe denoncim publik, sidomos kur vjen nga politika, regjistrohet, hetohet, dhe merr rrugën e gjykimit, krejt ndryshe nga sa ndodhte kur Berisha ishte kryeministër, dhe PD-ja ishte në pushtet. Nuk mund të ripërsëritësh veten çdo ditë duke akuzuar, duke thirrur nga ballkoni apo dhe selia e partisë se “kjo qeveri është fole krimi, e korruptuar, se “X” ministër dhe “Y” deputet është i lidhur me bandat dhe trafikun” apo se “janë vjedhur kaq dhe aq million euro”. Gjithçka pasi administrohet, kopsitet dhe faktohet, dërgohet në dyert e drejtësisë, e cila e ka detyrim ligjor, të nisë verifikimin dhe hetimin. Aktualisht Berisha po bën fushatë me standarde të vjetra, dhe me ritmin e gabuar, duke ndikuar negativisht edhe tek mbështetësit e tij. Fushata e ardhshme e 2025, kërkon angazhime serioze, të thelluara në ide, programe zhvillimi, dhe stafin e duhur që të mund të përballojë furinë e Edi Ramës. Nuk mund të përballesh me “malin” e punëve të kryera dhe premtimeve të mbajtura nga qeverisja e Ramës, duke mos gjetur rrugën e duhur për të dalë nga apatia dhe mefshtësia politike. Duhet të dish të fitosh, dhe në politikë kur gabon shpesh, zor se fiton.