MENU
klinika

“Të bëhet një traktat i paqes Kosovë - Serbi”

Sinjalet për sulme në Veri, ministri Maqendonci ngre alarmin

17.07.2024 - 14:50

Paralajmërimet e institucioneve shtetërore të Kosovës për sulme të reja në veri të vendit nga Serbi kanë shtruar nevojën për një traktat paqeje midis Kosovës dhe Serbisë. Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqendonci në një intervistë televizive, tha se një ide e tillë do të duhej të ishte pika kyçe në proces të dialogut në Bruksel.

“Një ndër kërkesat kyçe të kryeministrit të Kosovës që para se të hyhet në proces të dialogut dhe bisedime të bëhet një traktat i paqes, pra mos sulmimit mes dy vendeve dhe kjo do të duhej të shërbente si bazamenti i dialogut. Vlerësoj se kjo duhet të mbetet një ndër pikat që duhet të diskutohet para se të fillohet të vendoset për cështje të tjera në kuadër të dialogut”, tha Maqedonci.

Në Qershor të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paraqiti katër propozime për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë përfshirë edhe idenë e një traktati paqeje përmes të cilës palët do të zotoheshin se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Por, anëtari i Komisionit për Siguri nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, kundërshton këtë ide të qeveritarëve duke thënë se një ide e tillë është e dëmshme për Kosovën. Sipas tij, një marrëveshje me njohje reciproke do të ishte zgjidhja e duhur.
“Definitivisht kjo qeveri e ka humbur kompasin. Me kë do të bëjë traktat paqeje, me ata që i kanë vrarë edhe fëmijët në djep, me ata që kanë dhunuar edhe vajzat e mitura, me ata që përveç që i kanë vrarë edhe i kanë djeg kufomat, me ata që ende sot i kanë zhduk trupat e të vdekurve. Ky është një veprim i dëmshëm, i papranushëm dhe që duhet të gjykohet shumë nga të gjithë”, tha Qalaj.

Profesori i Studimeve për Paqe në Universitetin e Qytetit të Dublinit, Gëzim Visoka, tha se ideja e një traktati të paqes midis Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për ta mbyllur konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, kjo ide duhet të marrë mbështjetje nga të gjithë.

“Është e vetmja mënyrë për të përmbyllur konfliktin midis Kosovës dhe Serbise është përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes që mund të quhet edhe traktat i paqes e cila do të përfshinte të gjitha elementet si cështje të hapura midis dy shteteve. Është e vetmja platformë që ofron stabilitet. Çdo marrëveshje e pjesshme edhe tranzitore dhe e kthyeshme”, tha Visoka.

Sipas vlerësimit të tij është e vështirë të arrihet një marrëveshje e paqes Kosovë-Serbi në rrethanat aktuale, meqë sipas tij palët e përfshira në dialog kanë pasur edhe të kaluarën mos zbatim të marrëveshjeve dhe është rritur skepticizmi i tyre.

“Skenari i parë është që në rrethanat aktuale nuk ka vullnet prej anës serbe ose prej presioneve ndërkombëtare që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ose një traktat. Nëse ka ndryshim në zhvillimet politike pas zgjedhjeve evropiane mund të hapet ajo mundësi si një aspiratë për të ecur tutje. Por në rrethanat aktuale nuk duket që ka një vullnet evropian apo amerikan për një gjë të tillë”, shtoi Visoka.

Krerët e institucioneve të Kosovës së fundmi kanë shfaqur shqetësim se grupet e armatosura serbe për rreth kufirit me Kosovën po bëjnë përgatitje për sulme të rena në veri. Qeveria ka kërkuar nga Serbia dorëzimin tek organet e drejtësisë së Kosovës organizatorin e sulmit terrorist Milan Radojiçiç.