MENU
klinika

Nga Mero Baze

“Patriotët” shqiptarë që i shqetëson forcimi i Lekut

18.07.2024 - 21:26

Ka një dalldi kombëtare kundër forcimit të Lekut. Mjerisht kjo fushatë ka nisur nga media të sponsorizuara nga banka që shumicën e kredive e kishin dhënë në valutë të huaj ngaqë nuk besonin tek monedha shqiptare. Atyre nuk I dilte më llogaria pse po forcohej leku dhe filluan fushatën kriminalizuese ndaj Lekut, nën shpikjen se ai po forcohet nga trafiku I drogës, një gënjeshtër vulgare për ata që merren ose e njohin sado pak qarkullimin e monedhave në treg. Sidomos kur janë edhe bankierë.

Kjo fushatë ka nisur tre katër vite më parë. Me kalimin e kohës leku vazhdoi të forcohet dhe më shumë dhe tani ndoshta është në kulmin e tij të te periudhës pas komunizmit.

Nëse e shikon situatën në kohë, prej vitit 1997, pas rënies së piramidave, kur për gjashtë muaj Leku humbi vlerën e tij, për 27 vite pas, si askund në botë, Leku ka qëndruar stabël përballë monedhave të huaja dhe këto tre vitet e fundit, ka marr revansh.

Dhe arsyeja është e dukshme, është publike dhe e prekshme. Është turizmi shqiptar, është pasuria “mbitokësore” që ka zbuluar Shqipëri këto vite.

Përtej zhurmës qesharake të orkestruar politikisht për dështimin e turizmit, sivjet muajt Mars, prill maj qershor kanë një rritje prej 40 për qind në çdo hotel të bregdetit.

Shifrat janë më kokëforte se fotot e montuara. Shifrat në aeroport, shifrat në porte, shifrat në hotele, madje dhe shifrat në përpunimin e plehrave të qyteteve bregdetare flasin të kundërtën e kësaj histerisë vulgare, e cila vetëkënaq këta “vuajaristët” që përgjojnë pas ferrave turizmin shqiptarë.

Nëse në Shqipëri formalisht hyjnë 10 milion turistë, sivjet me tendencë për të shkuar tek 14 milion, dhe nëse harxhojnë në Shqipëri 1 mijë euro për udhëtim , (se mos trembeni nga çmimet e larta), I bie që ata të fusin në Shqipëri 10 miliard euro.

Kjo është llogari minimaliste pasi në Shqipëri hyjnë disa herë më shumë, nëse llogarisim blerjet e pronave nga të huajt. Për shkak të çmimeve të referencave dhe taksave blerjet në bregdet deklarohen me rreth 1 mijë euro metri katror por në fakt po shiten 3 mijë euro metri katror dhe ato janë disa miliarda euro të tjera të futura në Shqipëri.

Atëherë në një vend ku buxheti I shtetit harxhon 5 miliard euro në vit dhe turistët fusin 10 miliard euro, pronat rreth 5 miliard euro natyrisht që do të kemi një monedhë kombëtare të fortë.

Nuk di nëse Shqipëria ka fuqi të fusi 5 miliard euro nga droga, apo korrupsioni. Që të mos bëhemi qesharak, duke qenë se qeveria ka një buxhet 5 milard euro në dispozicion për shpenzime. Edhe nëse e vjedh të gjithë, edhe nuk i jep asnjë rrogë popullit, madje dhe lekët e investimeve nuk i hedh fare, prap është sa gjysma e turizmit. Ndërkohë që e vërteta është se investimet janë në kulm dhe rrogat janë rritur maksimalisht, ndërsa korrupsioni po luftohet deri tek arka e fundit e peshkut. Sa për trafikun e drogës mos ti hyjmë fare llogarive, kur llogarisim që disa ara me hashash, ndikojnë në ekonominë tonë.

Tani çfarë duhet të bëjmë, duhet të shkallmojmë monedhën kombëtare, ta zhvlerësojmë atë, ta bëjmë si Dinari Jugosllav i 90-ës dhe ta kthejmë në një letër pa vlerë, që të kenë leverdi turistët të vijnë në Shqipëri? Apo të fitojnë pak më shumë këta që shesin shalqi jashtë?

Ky është një debat vulgar

Fal forcimit të monedhës kombëtare Shqipëria ka ulur në mënyrë drastike borxhin e jashtëm duke thyer çdo kufi. Ky është pastaj një debat për të cilin ka vend për profesionistët, nëse ja vlen të jemi vend me borxh ta jashtëm apo tue jemi vend pa borxh. Unë jam partizan i borxhit, sidomos për një ekonomi vitale siç e kemi.

Por “patriotët” dhe “sovranistët’ tani duhet të zgjedhin çfarë duan. Duan një Shqipëri me borxh minimal të jashtëm? E kanë tashmë prej forcimit të lekut.

Duan një lek më të dobët? Atëherë ti kërkojnë qeverisë të marr borxh publik në lek që të rritet kërkesa .

Ska mënyrë tjetër, që të jesh dhe “sovranist” dhe “patriot” dhe të urresh monedhën kombëtare të fort. Madje dhe kaq sa mbahet në këmbë euro po mbahet prej politikave të qeverisë dhe Bankës Qendrore që bën blerje të pazakonta për ta shpëtuar.

Tani diçka dhe për “patriotët” nga Kosova.

Kam parë shumë shqiptarë të Kosovës, kryesisht aktivistë të VV, që bëjnë llogarit sa shumë I kushton të shkojnë në Shqipëri se është forcuar Leku. (Janë këta që të vrisnin para disa vitesh për Bashkim Kombëtar).

Gjëja e parë që duhet të bëj Kosova, është të fus Lekun si monedhë të konvertueshme në pikat e këmbimit valutor në Kosovë dhe të lejojë tregtinë me Lek në Kosovë.

Është një gjë që duhet ta kishte bërë me kohë. Në Prishtinë ti mund të paguash me dinarë por kurrë me lek, ndërkohë që Leku në raport me Dinarin është një monedhë disa fish e qëndrueshme dhe raportet tregtare Shqipëri Kosovë janë të atilla që e pranojnë tregtinë me Lek.

Duke futur Lekun si monedhë të sigurt në Kosovë, natyrisht në pikat e këmbimit valutor, por edhe në transaksione direkt me shqiptarë të Shqipërisë, ata kanë mundësi të diversifikojnë portofolin e monedhave të tyre, ku krahas euros ti mbajnë kursimet dhe në lek, siç i kanë pas mbajtur më parë edhe ne Marka edhe në Dinarë.

Kështu thjesht do të punojnë me dy monedha dhe do të kenë mundësi që në kohë të ndryshme të kenë leverdi të punojnë me monedha të ndryshme në varësi të kursit këmbimit.

Fuqinë e lekut nuk mund ta zhvlerësojmë me dekret. Është fat që kemi një monedhë të fort që është dëshmi për një ekonomi vitale. Të gjithë ata që i kanë bërë llogarit mbi një monedhë inflacioniste, dhe të dobët, thjeshtë kanë gabuar në biznes, por fatkeqësia e tyre personale nuk mund të shpallet fatkeqësi kombëtare, duke i shpallur luftë ekonomisë vitale shqiptare dhe natyrisht turizmit si lokomotiva e saj.

Kjo shpjegon dhe gjithë valën e urrejtjes mbi rritjen e turizmit shqiptar dhe betejën donkishoteske kundër tij, sidomos kundër Jugut.

I shani kot. Të huajt nuk din shqip dhe nuk ua lexojnë shkrimet, dhe as që janë të shqetësuar për forcimin e lekut.

Të vetmit që janë të shqetësuar dhe për forcimin e Lekut dhe për “rënien” e turizmit janë shqiptarët tanë “patriot” dhe tipa si Sali Berisha.

Këtë të fundit e kuptoj dhe e justifikoj, se rri gjithë ditën mbyllur, nuk shkon dot në plazh tek Vila në Lalëz , lekët e vjedhura me qindra milionë euro i ka ruajtur në euro dhe ju kanë zhvlerësuar, dhe tani po nxiton ti bëj kulla.

Këta të tjerët, “patriotët”, tani të zgjedhin çfarë ka ndodhur, është forcuar leku për shkak se është rritur turizmi apo ka rënë turizmi për shkak se është forcuar Leku.

Derisa ta gjejnë këtë dilemë, është mirë që Leku të përdoret si monedhë dhe në Kosovë Maqedoni e Mal të Zi. Kështu së paku janë më të sigurt.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN