Kongresi i Partisë Socialiste është shtyrë sërish. Pasi u zhvendos nga data 20 korrik në datën 27, Kongresi i PS është vendosur të mbahet në datën 28 korrik, në orën 11:00. Në Kongres, Edi Rama do të prezantojë edhe platformën e re se si do të zgjedhë kandidatët për deputetë të forcës politike që drejton. Rama ka paralajmëruar që treçereku i Asamblesë që do të dalë nga Kongresi i 20 korrikut, do të jenë anëtarë të rinj. Por çfarë do të ndodhë në forumin më të lartë të socialistëve?
Detajet
Ka qenë deputetja socialiste Blerina Gjylameti, e cila ka dhënë detajet, ku jepen sinjale se priten vendime të forta dhe të rëndësishme. “U bë disa muaj tashmë që PS ka hyrë në një proces energjizimi, jo vetëm hapje pasi kjo ka qenë pas çdo palë zgjedhje, ne rishikojmë të gjithë mënyrën tonë të organizmit e po ashtu duke qenë në mazhorancë prej tre mandatesh tashmë edhe pritshmërinë e qytetarëve dhe pasi kemi bërë analiza mbi pjesën e organizmit e po ashtu edhe pritshmërive, arrijmë të shikojmë midis nesh sesi mund të kemi jo vetëm hapje që të kemi qasje më të mirë ndaj qytetarëve dhe atyre që duan të kontribuojnë e t’i kemi brenda radhëve të PS, të cilët mund të kontribuojnë nëpërmjet ideve apo eksperiencës së tyre e nga ana tjetër për të arritur që programet qeverisëse të jenë pjesë edhe e dalë nga forumet partiake. Moment i rëndësishëm duhet të konsiderohet riorganizimi i partisë dhe diskutime për të gjithë sektorët që janë kryesor.
Mjafton të themi Bashkimi Europian dhe i gjithë procesi i organizmit e nga ana tjetër kemi element shumë të rëndësishme që janë edhe elementet kryesore të zhvillimit ekonomik, sikundër është turizmi. Sesi të gjitha ato që duhet të jenë parakushte, janë në linjë me atë çfarë pritet, si pjesa e infrastrukturës, pjesa e bujqësisë, pjesa e turizmit. Të gjitha këto do të jenë pjesë e Kongresit të Partisë Socialiste si sektori kyç që zhvillimin ekonomik e krahas asaj siç është edhe drejtësia dhe pjesa e sigurisë. Pra, të gjitha të koordinuara së bashku bën që ne të kemi një vend i cili jo vetëm ka prosperitet për zhvillim, por zhvillimi duhet të jetë i qëndrueshëm dhe duhet të përkthehet në standarde më të mira të jetesës për këdo që ka vendosur për të jetuar në Shqipëri, si dhe të gjitha iniciativat e tyre të jenë të mbështetura nga politikat shtetërore”, u shpreh Gjylameti në një intervistë për “Top News”.
Zyrtarët e PS në përballje me SPAK
Gjylameti përsëriti edhe fjalën e kryeministrit se PS iu ka mbyllur derën të gjithë zyrtarëve të lartë socialistë që janë përfshirë në afera korruptive e kriminale dhe që kanë llogari të hapura me drejtësinë (SPAK). “Unë besoj që në krye të herës, ajo që ka qenë qëndrimi i kryetarit të PS dhe i çdokujt që ka qenë pjesë e PS, ne do të angazhoheshim në forume si dhe do të kishim një reformë drejtësie e cila do të bënte një drejtësi të pavarur që nuk do të ndikohej nga emri, individi, pozicioni që do të ishte në drejtimin e PS apo me mbështetjen e PS për t’u bërë mburojë, do të duhet të ishte përballja me drejtësinë. Këtë ia kemi dalë, e shoh shpeshherë është e dhimbshme që të shikosh që nga krahët tanë të kemi koleg apo që do të duhet të përballen me drejtësinë.
Por çfarë është e rëndësishme është që shqiptarët nuk presin të shikojnë përfaqësues të PS që mbështesin njëri-tjetrin. Ata presin që të shikojnë një drejtësi funksionale, të pavarur dhe kjo po ndodh. Kjo është e rëndësishme. Pjesa tjetër, nëse ka një krye reformë ka qenë ajo në drejtësi, mbetet ajo si parakusht për shumë procese të tjera që lidhet qoftë me pjesën e një nga elementet kryesore që ka qenë pjesa kryesore në Shqipëri po ashtu edhe element të tjerë që lidhet me pandëshkueshmërinë ku edhe kjo ka ndryshuar. Që të gjitha këto, krijojnë parakushte për ato të cilët kanë të bëjmë me procese të tjera integruese. Në këtë aspekt besoj po ia dalim të kemi një drejtësi të pavarur, pjesa tjetër mbetet në përgjegjësinë personale të gjithkujt që do të duhet të përballet, të tregojë që ka qenë apo është i pafajshëm përkundrejt asaj që akuzohet”, është shprehur ajo.