MENU
klinika

Me leje në Strasburg

Fredi Beleri bën lëvizjen e radhës për të fituar lirinë

19.07.2024 - 22:19

Pa u rikthyer ende në burgun e Fierit ku do të duhet të kaloj në qeli muajt e mbetur nga dënimi me dy vite burg për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”, Alfred Beleri ka bërë lëvizjen e radhës për të fituar lirinë.

Europarlamentari më i ri grek i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Fierit duke kërkuar lirim me kusht.

Seanca e parë për të shqyrtuar këtë kërkesë të Belerit është realizuar në 17 korrik, por është shtyrë për shkak të mungesës së juristit të burgut të Fierit. Ky i fundit nuk është paraqitur në gjyq edhe pse ka pasur dijeni për orën dhe datën e gjyqit.

Referuar edhe kohës së paraburgimit, Belerit i kanë mbetur edhe rreth 2.5 muaj burg nga masa e dënimit, ndërsa aktualisht ndodhet jashtë hekurave të qelisë duke shfrytëzuar lejen 5 ditore të dhënë nga Komisioni i posaçëm në Drejtorinë e Burgjeve.

Leja në fjalë iu akordua ish-kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës pas kërkesës së palës mbrojtëse për t’i dhënë mundësinë që të betohej më 16 korrik në Parlamentin Europian si eurodeputet nga radhët e partisë qeverisëse greke, “Demokracia e Re”.

Fredi Beleri përfitoi lejen pasi dënimi për të ka marrë formë të prerë dhe ai ka kryer më shumë se 5/6 e masës së dënimit të caktuar. Kështu për Belerin nuk kishte asnjë pengesë ligjore për të marrë lejen që i lejoi të ishte i pranishëm në sesionin parlamentar që nisi në Strasburg më 15 korrik dhe përfundon ditën e nesërme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN