MENU
klinika

Nga Mero Baze

Nuk do të trembë SPAK, por të vetët që hezitojnë të bëjnë betejë me SPAK

21.07.2024 - 11:37

Ka shumë komente të natyrës politike rreth protestave të reja të PD kundër SPAK në oborrin e ndërtesës, urdhëruar nga Berisha. Madje ka dhe hezitime të forta brenda PD nëse duhet bërë kjo gjë.

Beteja e re e Berishës nuk ka të bëjë fare me bindjen e tij se po tremb SPAK. Madje ai është i bindur tani për të kundërtën, që SPAK po përparon në hetime rreth pasurisë së tij vajzës dhe djalit. Dhe e ka të qartë fundin.

Beteja e tij e re kundër SPAK, ka të bëjë pikërisht me dilemat që ka brenda PD, nëse duhet bërë betejë kundër SPAK, apo jo.

Dhe ky dualizëm brenda PD, Berishën e shqetëson pasi i shpërqendron betejën e tij personale.

Është kjo arsyeja që ai do ta hedhë PD në provë nëse është me të apo me SPAK. Disa nga tellallët e tij publik e thonë këtë dy herë në javë para zyrave të Erion Veliajt, duke ua bërë të qartë që duhet të jeni ose me Berishën, ose me SPAK.

Tani ka ardhur koha për prova.

Para se të hartojë listat, ai do të dijë kush është gati të qëllojë me gurë mbi SPAK e kush jo.

Është kjo arsyeja që kërkon betejë kundër SPAK. Nuk do të trembë SPAK, po të trembë të vetët që hezitojnë të bëjnë betejë me SPAK.

Ndaj i çon aty para ndërtesës me gurë e molotov në dorë, për të dhënë provën që mes tij dhe SPAK janë me atë, dhe jo me SPAK.

Kjo prova gjenerale tre mujore para Bashkisë së Tiranës ishte faza e parë, ku kërkonte të gjente arsye pse duhet të ishin kundër SPAK, meqë nuk po arreston gjithë Bashkinë.

Tani kjo farsë mbaroi dhe të gjithë duhet të zgjedhin mes SPAK dhe Berishës, duke shkuar të hedhin gurë para zyrave të SPAK.

Kjo mes të tjerash dëshmon dhe mentalitetin e Berishës për drejtësinë, që duhet të jetë e varur doemos nga dikush. Dhe duke parë që ai nuk e kontrollon dot SPAK, mendon se patjetër që e kontrollojnë kundërshtarët e tij.

Nuk e pranon dot që është i pavarur, dhe aq më tepër nuk e pranon dot që njerëzit e tij brenda PD të kenë bindjen se SPAK është i pavarur.

Duhet të japin prova publikë që mendojnë si ai, luftojnë për atë dhe do vdesin politikisht bashkë me të. Për kaq i duhen.