MENU
klinika

Atentati i trefishtë në Memaliaj

Si nisi hasmëria mes Kalemajve dhe Sadikajve

21.07.2024 - 18:21

Një atentat i trefishtë ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, më 20 korrik, në qytetin e Memaliajt ku viktima mbetën Shyqo Kalemi, babai 74 vjeçar i Andrea Kalemit.

Atentat nuk kurseu as njerëzit e pafajshëm, pasi fatkeqësisht plumbat i morën jetën kamarierit dhe klientit të lokalit ku ndodhej Shyqo Kalemi.

Sipas News24, një shtetas tjetër ka mbetur i plagosur dhe raportohet se është në gjendje kritike për jetën.

Një grup hetimor i posaçëm është ngritur për zbardhjen e ngjarjes dhe mësohet se një nga pistat e hetimit është saga e vrasjeve të nisura në 2022, me ekzekutimin me bombë të Aleksandër Sadikajt dhe pas 6 muajve, vrasjen e Edmond Papës në Selitë, përballë banesës së vëllait.

Krimet duket se janë ulur këmbëkryq në familjen Kalemi dhe Sadikaj, hakmarrja e tyre nuk po gjen paqe edhe pse janë marrë shumë jetë, pa u kursyer edhe të pafajshmit.

Prishja e pazareve të drogës mes Alesandër Sadikajt dhe Emond Papës, për një ngarkesë droge e cila humbi dhe shuma e madhe e parave që munguan nisën sagën e vrasjeve fillimisht të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, një ngjarje e cila tronditi vendit për shkak edhe të dinamikës dhe mënyrës se si u ekzekutua i riu. Ngjarja e rëndë u regjistrua më 11 qershor të vitit 2022 pranë zonës së TEG-ut.

I riu sapo kishte lënë në banesë partneren e tij dhe ishte i vetëm në momentin që makina e tij shpërtheu dhe fillimisht iu dëmtuan të dyja këmbët, më tej ai u transportua në spital por nuk mundi tu bënte ball plagëve të shumta që mori nga shpërthimi me tritol i cili asokohe u raportua se kishte qenë më shumë se 150 gram, çka do të thotë se atentatorët donin me patjetër eliminimin e tij.

Ekzaktësisht 6 muaj e 5 ditë nga ekzekutimi barbar i Aleksandër Sadikajt, të shtëna me armë u dëgjua mbrëmjen e 16 dhjetorit në zonën e Selitës.

Biznesmeni sarandiot sapo ishte ulur pranë një lokali përball banesës së vëllait të tij, pasi kishte udhëtuar nga Saranda drejt kryeqytetit për nje vizitë shëndetësore që do i kryente babait të tij.

Mbi 7 plumba u derdhën drejt trupit të Edmond Papës, 6 prej të cilëve i përshkuan trupin dhe i morën jetën menjëherë në vendin e ngjarjes, pa pasur asnjë shpresë që të nisej drejt spitalit.

Momentet e fundit, Papa i kaloi në tentativë dhe përpjekje për të frenuar ekzekutorin ndaj të cilit tentoi të hidhte tavull, por karikatori i mbushur me fishekë u zbraz mbi të duke e lënë të vdekur në vend.

Pas disa kohësh hetime, komisariati numër 6 në kryeqytet i cili kishte ngritur një grup hetimor vuri në pranga Albano Velon teksa në kërkim u shpall Andreë Bode, të njohur si miq të Andrea Kalemit.

Por, saga e vrasjeve duket se nuk do të mbyllej me 2 vrasjet e para mes 2 fiseve, më 12 janar të këtij viti vëllai i Andrea Kalemit i shpëtoi një atentati teksa po udhëtonte me makinën tip Smart në zonën e nënkalimit në Selitë, ai mbeti i lënduar në këmbë. Një mjet tjetër po në lëvizje zbrazi karikatorin drejt mjetit të Zamir Kalemit, por fatmirësisht ai arriti ti shpëtoj vdekjes.

Teksa i fundit deri më tani është atentati i trefishtë i regjistruar në Memaliaj, i cili ende nuk ka autor dhe persona përgjegjës në pranga, por pista kryesore është ajo e hakmarrjes e cila nuk po kursen as mbi ata që s’janë të përfshirë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN