Ka vetëm tre mënyra që socialistët të shpresojnë për një mrekulli të katërt. Njëra prej tyre nuk ka asnjë shans të ndodhë, ndërsa dy të tjerat kanë shanse të barabarta që të verifikohen në harkun e fare pak ditëve. Të treja zgjidhjet kushtëzohen nga vullneti i Ramës, i cili deri më tani nuk ka dhënë asnjë sinjal se çfarë do të vendosë deri në minutën e fundit duke lënë në ankth gjithë njerëzit e tij. Ata e ndjejnë që diçka po përgatitet të ndodhë rreth tyre, por nuk kanë asnjë garanci se çfarë do të ndodhë me ta.
Mënyra e parë është më e lehta, por dhe më e pamundura. Liria e artistit Edi mund të mposhtë ambicjen e politikanit Rama. Mbas gati tre dekadash në rreshtin e parë të jetës publike, ai mund t’i thotë mjaft dëshmisë po në vetë të parë të metamorfozës së frikshme që pushteti i bën karaktereve të dobëta. I lodhur nga “tradhëtitë” e miqve, i bezdisur nga skuthlliku i shumëkujt që ai ja bashkoi vetes në rrugëtimin për pushtet, i tronditur nga zbulimi i axhendave të tyre vetjake që lidhen direkt me xhepin, i neveritur nga prapaskena financiare që ai vraponte t’i besonte i fundit, i divorcuar nga dashuritë e tij stinore dhe mbi të gjitha, nga topallimi ekstrem intelektual dhe apolitizimi i tyre, Rama mund t’i thotë vetes se “Mbas meje qameti!”, është gjithashtu një alternativë. As atij vetë nuk i ka shpëtuar pa dëgjuar sesi mbas krahëve e quajnë të lodhur nga pushteti, pa energji e pa dëshirë për të ecur përpara; për më shumë duke konsideruar se ai nuk është më zgjidhja e çdo problemi për socialistët, por vetë problemi për t’u zgjidhur!
Ka zero gjasa të ndodhë një gjë e tillë sepse Rama e di që vetëm hija e tij dhe pesha e pushtetit e mban bashkë rilindjen e tij. Pa të, drama e ndodhur në vitet e fundit në PD, do të jetë vetëm një shaka përballë tmerrit që mund të shpërthejë në PS-në e shumë konflikteve personale të mbajtur aty-këtu në heshtje dhe lebetitëse andej-këndej ku ato janë në vijim e sipër. Një version i tillë do të komplikonte dhe të nesërmen e tij vetjake sepse në një vend të mësuar që të brohorasë poshtë mbreti sapo mbreti ikën, alkimia e shndërrimit të servilizmit, frikës e frustrimeve të shumta me të cilat ai ka ushqyer vartësit e tij, mund të shndërrohet në revansh dhe hakmarrje madje edhe kundër atij vetë. Dhe jo vetëm me mjete politike.
Mënyra e dytë është terheqja zvarrë e të njëjtës situatë deri në pikën e mos këputjes. Duke llogaritur se kësaj here nuk i duhet të fitojë, por vetëm të presë që të humbasë Berisha, Rama mund të ruajë status quo-në aktuale duke shpresuar në përgënjeshtrimin e aksiomës së gjuetarit që këshillon të mos dilet kurrë për gjah me qenin e ngopur. Praktikisht, me një kundërshtar edhe më të dobët se më parë, që së paku deri më tani, e fton në ndeshje me rezervat e dyta apo të treta të ekipit humbës të 11 viteve më parë, me një prijës të drobitur nga izolimi i lig, ai di se ekuacioni i zgjedhjeve nuk shtrohet në mënyrën klasike se kush fiton në zgjedhje, por se kush i humbet ato. Të pakënaqurit me qeverisjen që po shtohen gjithmonë e më shumë, nuk është vënë re të shkojnë në krahun tjetër; ata mohojnë stilin e Ramës, por nuk pohojnë rikthimin e Berishës në pushtet. Pemë gjithmonë e më e vetmuar në pyllin e tij, me pemë të rrafshuara e të rralluara sa nga takati mediokër dhe po aq edhe nga mëkatet “inteligjente”, Rama ka të garantuar në këtë prag gare armikun perfekt dhe ky shkak, mund t’i kushtëzojë dhe zgjidhjen e përdorimit të të njëjtit grup njerëzit vulnerabël që ka përreth.
Mënyra e tretë është rruga për të rilindur ai vetë për herë të katërt. E ka paralajmëruar shumë herë, për të bërë ekzaktësisht të kundërtën. Më të gjitha gjasat, tryeza bosh e qeverisë dhe salla pothuaj e boshatisur e deputetëve të tij kur raportonte Altin Dumani në Kuvend, i kanë kujtuar atij një seri hallesh e dertesh në të cilat janë zhytur njerëzit e tij që presin të kalojnë njëri pas tjetrit në konvejerin e drejtësisë. Një pjesë ai i ka parë sesi këputen dhe bien vetë si fruta të harruara në degët e pushtetit, një pjesë tjetër i sheh të frikësuar nga sasia e frikshme e frutave të ndaluara që kanë këputur nga të njëjtat pemë mëkati. Logjika e do dhe po ashtu ai ka vepruar dhe në raste të tjera, që Rama t’i largojë ata para se SPAK-u t’ja rrëmbejë nga tryeza e qeverisë me procedurë hetimore. Sepse tashmë Rama ka kuptuar se më shumë se atë vetë, nga i cili varen karrierat e të gjithëve, njerëzit e tij kanë më shumë frikë SPAK-un.
Askush nuk e di se çfarë ai ka në kokë dhe se çfarë ka vendosur deri më tani, por shtyrja e shumëfishtë e kongresit dhe fantazma e një seance të jashtëzakonshme e Kuvendit në javën e parë të gushtit mbas kongresit, mund të jetë një lakmues trazues. Nga ata lakmues që mund të dëshmojnë idenë e ndryshimeve në të tre pikat themelore të pushtetit të tij. Në ekzekutiv, në parlament dhe në strukturat e partisë. Rinovimi i kabinetit, ndryshimi i strukturave drejtuese në parlament dhe drejtuesve politikë në qarqe, janë tre pikat e operacionit të mundshëm veror të tij, nëse ai zgjedh të ndryshojë.
Ka kohë që Rama duket më shumë i neveritur sesa i dëshpëruar. Ai po ndjek prej muajsh një axhendë kryesisht presidenciale, po përdor një fjalor po të tillë dhe është përqëndruar aty ku ndjehet më së shumti në ujërat e tij, në politikën e jashtme. Prania sporadike në të përditshmen e qeverisjes e bën edhe më të dukshme mungesën e tij. Në Tiranë lajmet e kronikës së zezë për bashkëpunëtorët e tij janë mbivendosur prej kohësh nga lajmet e rutinës së përditshme të punës. Ka dhe më shumë se kaq! Miqtë e dikurshëm i janë kthyer në armiq, ndokush edhe minë me shpërthim të vonuar, kurse servilizmi proverbial me të cilin e osanarojnë të gjithë, sado që ngjan në dukje, nuk është i barabartë me respektin. Frika ndaj tij nuk e zëvendëson bindjen, interesi nuk e bën dot kurrë punën e ekipit, ndërsa egoizimi i tyre nuk ka rezultuar kurrë shtatzënë me sakrificën e domosdoshme politike.
Rama i di të gjitha këto. Ai di që është i rrethuar nga servilizmi i thellë i gjithë atyre që i blatojnë atij çdo litër nafte që konsumon pushteti i tyre, e kupton që i binden nga frika, por jo se frymëzohen prej tij, e ndjen se shumë pak prej tyre do ta ndiqnin pas në sakrificë dhe se shumica dërmuese e bashkëpunëtorëve janë shndërruar në therror të egozimit të xhepit vetjak. Shumica e njerëzve të zgjedhur prej tij në qeveri dhe në parlament janë të lodhur nga pushteti dhe thjesht nuk janë në vendin e tyre. Janë në rastin më të mirë nëpunës të emëruar, por jo krijesa politike që të mendojnë politikisht, të gjykojnë politikisht apo të dinë të rreshtohen politikisht. Arroganca dhe vetëbesimi se askush nuk mund t’i zëvendësonte në pushtet, koha tmerrësisht e gjatë në detyrë, i ka dhënë kësaj kategorie shansin që të bëjë çdo gabim të mundshëm të diktuar nga arroganca. Një pjesë e tyre, të keqkuptuar me pritshmëritë ndaj vetes dhe me llogari që përfshinin edhe vetë periudhën e mundshme postRama, janë shndërruar në lumenj të tërë urrejtjeje reciproke dhe lufte brenda llojit. Eshtë tashmë një “sekret” i njohur publikisht armiqësia mes individësh në rrethet më të larta të socialistëve, që në emër të saj, ndërtojnë aleanca interesi me njëri-tjetrin, kanë firmosur aleanca fluide me opozitën, që paguajnë segmente të saj apo dhe të medias për sulme ndaj njëri-tjetrit.
Ka shumë që e citojnë vetë Ramën të ketë thenë fiks dy vjet më parë në mbledhjen e qeverisë që rrëzoi Ahmetajn, në korrik 2022, se thikat që ata i ngulin njëri-tjetrit, në adresë të fundit ngulen fiks në shpinën e tij. Eshtë në dorën e Ramës të zgjedhë nëse do të kurojë pasojat apo do të largojë shkakun; tw dezifektojw plagwt me jod apo shmangw tehet e mprehtw, të shkulë thikat nga shpina apo të presë duart që i ngulin thika nw shpinw. Se çfarë do të vendosë, kjo do të merret vesh deri në fund të këtij muaji. Rama vetë i beson anekdotës politike, pa autor të përveçëm, që pretendon se ardhja në pushtet dhe mandati i dytë është shumë i vështirë për t’u realizuar. Mandati i tretë është i lehtë, kurse i katërti është vetëm formalitet. Por për të vajtur deri më aty, lipsen edhe të tjera formalitete.
Pavarësisht sesi do të shkojë, gushti klasik i pushimeve do të jetë përvëlues për socialistët, një pjesë e të cilëve kanë firmosur tashmë “marrjen me qera të vilave në pronësi të tyre” për të dalë në det. Pavarësisht të gjithave, në pallatin e pushtetit që kërkon një mandat të katërt, nuk ka qetësi.