MENU
klinika

Masat që mund të merren

Vizitat në Rusi dhe Kinë, BE ndëshkon Orbanin

23.07.2024 - 09:00

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të marrin në konsideratë përgjigjen ndaj udhëtimeve të kryeministrit hungarez Viktor Orban në Rusi dhe Kinë dhe pozicionimin e vendit të tij në lidhje me rolin e BE në Ukrainë, tha të hënën Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell. Hungaria mori presidencën e rradhës gjashtëmujore të bllokut në korrik dhe Orban shkoi pothuajse menjëherë në Moskë dhe Pekin në atë që ai e përshkroi si një “mision paqeje” pavarësisht se asnjë nga partnerët e tij të BE-së nuk ishte në dijeni ose e autorizoi atë për vizitën.

Orban më herët ishte larguar nga samiti i NATO-s për t’u takuar me ish-presidentin amerikan Donald Trump. Ministri i Jashtëm i Orban që atëherë ka vënë në pikëpyetje rolin e BE. “Ne do të diskutojmë atë që ndodhi dhe qëndrimet e marra nga qeveria hungareze,” tha Borrell, duke i përshkruar ato si “të papranueshme”. Disa anëtarë të Unionit duan që blloku të tregojë një qëndrim më të vendosur ndaj Budapestit. Përmendet bojkotimi ose prania e një numri më të vogël ministrash në një takim jozyrtar në Budapest në fund të gushtit, megjithëse ka ndarje midis vendeve për dobinë e një lëvizjeje të tillë.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock u tha gazetarëve pas mbërritjes në Bruksel se Borrell përfaqëson politikën e jashtme të BE-së dhe se “nuk është për t’u habitur që udhëtimet e egos” irritonin shumë njerëz. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Xavier Bettel tha se do të shkonte në një takim jozyrtar në fund të gushtit dhe tha se ishte e rëndësishme të vazhdonte dialogun me Budapestin. “Të injorosh apo të mos zgjedhësh dialogun do të ishte gabim”, tha ai. Orban ka bllokuar vazhdimisht vendimet për ndihmën ushtarake për Ukrainën.