Analisti Skënder Minxhozi thotë se hetimet për çështjen e “21 Janarit” u pengua nga qeveria e kohës, kur kryeministër ishte Sali Berisha.
Në një intervistë për një emision televiziv, Minxhozi u shpreh se në 21 Janar, u kryen vrasjet politike shtetërore, më të rënda gjatë tranzicionit në vend.
“Problemi i 21 Janarit, siç të gjithë e dinë tashmë, ka të bëjë me vrasjen politike shtetërore, më të rëndë të trazicionit në Shqipëri. Është një ngjarje e cila ka përfshirë katet më të larta të shtetit të kohës, ishte ngjarje që nxorri nga vetja shtetin.Kush i kujton ato orë dramatike, tragjike, mban mend fare mirë, sesi pasi qeveria vrau 4 njerëz të paarmatosur, në fund të protestës, qeveria, iu fut me zell ndërtimit të fabulës së një grushti shteti. Tentoi të pengojë prokuroren e përgjithshme të bëjë arrestimet e punonjësve të Gardës. Është një ngjarje e cila ka mbajtur të ndezur skenën politike, me gjithë zellin e shkajshëm të qeverisë së kohës. Është një ngjarje e cila ka parë sesi familjarët kanë qenë mbartësit kryesorë të dëshirës kryesore për të pasur zbardhjen më në fund të kësaj ngjarjeje. Është një ngjarje që tingëllon e paplotë, edhe më flagrante kur shohim sesi drejtësia e re, heton vjedhjet, abuzimet, korrupsionin dhe nuk heton vrasjet”, theksoi ai.