Pas “arratisë” nga Gjykata e Tiranës ditën e sotme mjeku Edmind Gashi, që qëndron në masën e “arrestit në shtëpi”, ka mbërritur në gjykatë i shoqëruar nga një punonjës policie.
Kjo sepse sot mbahet seanca gjyqësore, ku pritet që GJKKO të vlerësojë masat e sigurisë ndaj shtatë të dyshuarve për skandalin tek Onkologjiku, pas kalimit të hetimit për kompetencë në SPAK.
Hetimi në SPAK është regjistruar për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” dhe “kontrabande te ilaçeve”.
Gati tre javë më parë, Gjykata e Tiranës caktoi masat “arrest në shtëpi” për mjekun Edmond Gashi dhe farmacistin Florian Marku. Ndërsa për mjeken Alketa Pera, zv.drejtoreshën e QSUT, Brikena Qirjazi, koordinatorin Emiljano Lela, administratorin e klinikës private, Halil Gashi dhe ish-specialisten e QSUT, Drilona Kishta gjykata caktoi masën e “detyrimit për paraqitje”.
Sipas hetimit të deritanishëm, të dyshuarit kishin ngritur një skemë abuzive të zvarritjes së trajtimit të të sëmurëve me kancer në Spitalin Onklologjik, me qëllim dërgimin e tyre në një klinikë private. I njëjti hetim, zbuloi mosvënien në punë të pajisjes së kobalto-terapisë tek Onkologjiku, e instaluar prej vitit 2021, si edhe lënien e saj në një ambient të papërshtatshëm, duke u bërë burim i rrezikshëm radioaktivitetit për stafin mjekësor dhe pacientët. Po ashtu, nga hetimi u dokumentua kontrabandimin e ilaçeve të kancerit të spitalit dhe tregtimit e tyre në dy farmaci private.