MENU
klinika

Tirana, qarku me numrin më të madh të kandidatëve që i përcaktojnë zgjedhësit

Pakti për ‘Zgjedhoren’, mbi 100 deputetë i zgjedhin kryetarët

25.07.2024 - 16:30

Kuvendi do të miratojë nesër në seancë plenare ndryshimet në Kodin Zgjedhor që shënon në të njëjtën kohë mbylljen më të madhe të listave në krahasim me ato të vitit 2021.

Në ndryshimet e Kodit Zgjedhor thuhet se ⅓ e listave të partive do të jetë e mbyllur dhe gara do të jetë vetëm për ato pak vende ku kandidatët nuk e kanë të sigurt që do të jenë brenda listës fituese.

Konkretisht secila parti politike do të ketë dy lista në çdo qark, ku një listë e zgjedh kryetari dhe që nuk ndryshohet pasi kandidatët e asaj liste nuk futen fare në garë. Si dhe një listë kandidatësh që do ti përzgjedhin zgjedhësit.

E përkthyer në shifra, me një përllogaritje të thjeshtë, diçka më shumë se 100 deputetë do të jenë të përcaktuar nga kryetarët dhe nuk ndryshohen, ndërkohë që më pak se 40 vende do të përzgjidhen nga zgjedhësit.

Qarku që do të ketë më shumë vende të lira, për shkak të numrit të madh të mandateve që çdo në Parlament është Tirana, ku PD dhe PS do të kenë të sigurt pa nisur zgjedhjet, nga 12 mandate secila. Ky qark çon në Kuvend 36 deputetë, por po të kemi parasysh që mund të marrin mandate edhe PSD dhe PL, numri i deputetëve që zgjidhen nga zgjedhësit do të jetë jo më shumë se 10, që do të thotë se vetëm 27% e listës është e hapur.

Ndërkohë që në qarqe si Dibra dhe Kukësi, gara do të jetë vetëm për një mandat nga 3 që çojnë në Kuvend. /Top Channel