Kryetarja e Lëvizjes Europiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviç ka deklaruar sot se arrestimi i Milan Radoiçiç është një nga kushtet për vizitën e presidentit francez, Emmanuel Macron në Beograd. Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve, Beta ajo u shpreh se presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të duhet ta arrestojë Radoiçiçin për muajin e ardhshëm para vizitës së presidentit francez.
Ajo shtoi se në prill, gjatë vizitës së Vuçiçit në Francë, Macron kishte thënë se është e rëndësishme që pjesëmarrësit e sulmit në Banjska të arrestohen.
“Vuçiç është nën një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Milan Radoiçiç. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar që procesi gjyqësor të zhvillohet në Beograd, që do të thotë se nuk ka presion për ekstradimin e Radoiçiqit dhe anëtarëve të grupit të tij në Prishtinë. Vuçiç ka premtuar se do ta gjykojë Radoçiqin dhe pritet që ai të arrestohet para ardhjes së presidentit francez Emmanuel Macron”, tha Trajkoviç.
Ajo shtoi se arrestimi është një nga kushtet për vizitën e Macron, e cila nuk diskutohet publikisht. Sipas saj, arrestimi i ish-nënkryetarit të Listës Serbe do të jetë prova më e vështirë që Vuçiç duhet ta kalojë.
“Për Vuçiçin ishte shumë më e lehtë të hiqte dorë nga një pjesë e territorit të Serbisë, ose tani ta pranonte shfrytëzimin e litiumit, sesa të heqë dorë nga njerëzit që i zbatuan urdhrat e tij, dhe përveç kësaj, ata janë nga një mjedis kriminal. Arrestimi i Radoiçiçit do të jetë një rrezik i madh për Vuçiçin”, tha ajo.