MENU
klinika

Khamenei takim urgjent me Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Vritet në Iran lideri i Hamasit

31.07.2024 - 09:39

Hamasi ka njoftuar vdekjen e liderit të tij, Ismail Haniyeh pas një sulmi izraelit në rezidencën e tij në Teheran. Sulmi ndodhi në orën 2:00 të mëngjesit me orën lokale.

Vdekja e Haniyeh vjen disa orë pasi Izraeli tha se vrau një komandant të lartë të Hezbollahut në një sulm në kryeqytetin libanez Bejrut.

Sulmet ndaj dy liderëve të lartë militantë të mbështetur nga Irani në hapësirën e 24 orëve kanë ngritur frikën se rajoni së shpejti mund të përfshihet në konflikt të mëtejshëm.

Haniyeh kishte qenë kreu i byrosë politike të Hamasit që nga viti 2017. Ai gjithashtu shërbeu si kryeministër i Autoritetit Kombëtar Palestinez nga 2006 deri në 2007 dhe kreu i administratës së Rripit të Gazës nga viti 2014 në 2017.

“Një akt frikacak dhe një zhvillim i rrezikshëm”, e cilësoi presidenti palestinez Abu Mazen, i cili dënoi vrasjen e liderit politik të Hamasit, duke ftuar “popullin palestinez dhe forcat popullore për unitet, durim dhe vendosmëri përballë pushtimit izraelit”.

Vrasja e liderit të Hamasit paraqet një përshkallëzim serioz që nuk do të arrijë objektivat e tij, tha zyrtari i fraksionit islamik Sami Abu Zuhri, cituar nga mediat izraelite.

“Vrasja e komandantit Ismail Haniyeh është një akt frikacak dhe nuk do të kalojë pa u vënë re,” shtoi Musa Abou Marzouk, një nga udhëheqësit më të lartë të Hamasit në një nga deklaratat e para.

Garda Revolucionare e Iranit tha se ata “po hetojnë incidentin e vdekjes së liderit politik të Hamasit Ismail Haniyeh dhe do të shpallin rezultatet e hetimit më vonë”.

Një zyrtar i lartë i Hamasit ka thënë se grupi do t’i përgjigjet vrasjes së Haniyeh, duke e quajtur atë “një akt frikacak që nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.

Izraeli është zotuar në mënyrë të përsëritur të “shkatërrojë” figura të larta brenda udhëheqjes së Hamasit, pas sulmit të 7 tetorit.

Pas vrasjes së liderit të Hamasit “Irani po mban një takim urgjent të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare në rezidencën e liderit suprem, Ali Khamenei, një ngjarje që ndodh në rrethana të jashtëzakonshme”, shkruan në X “Iran international”.