Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka aprovuar 30 masa sigurie këtë të mërkurë.
Ka nisur një operacion i gjerë nga SPAK, pas lëshimit të urdhër arresteve.
Është vendosur masë arresti shtëpiak edhe për ish gjyqtaren Pajtime Fetahu, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
***
Masë sigurie edhe për “Darin e Elbasanit”.
Sipas gazetares së Top Channel, GJKKO ka lëshuar masë sigurie edhe për Hajdar Bakon alias Hajdar Çopja, njohur ndryshe si Dari i Elbasanit.
Disa nga të dyshuarit ndodhen në Dubai, sipas informacioneve.
Hajdar Bako alias Hajdar Copja alias Hajdar Hysa, 40 vjeç, u arrestua në Dubai në maj të këtij vitit, pasi është i dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Në vitin 2017, në fshatin Katund i Ri, Hajdar Bako i njohur edhe si “Dari i Elbasanit”, së bashku me 4 të tjerë, është implikuar në një konflikt, gjatë të cilit është qëlluar me armë zjarri dhe janë plagosur 3 persona.
Atë kohë në konflikt u përfshi Hajdar Bako dhe F.G, 25 vjeç, të cilët u përplasën me Alfred Gjini, Klevis Gjini dhe Emiljano Gjini. Nga përplasja e dhunshme mbetën të plagosur 3 persona.
Kush është “Dari i Elbasanit”
Por emri i Hajdar Bakos, i njohur dhe si “Dari i Elbasanit”, nuk është i njohur vetëm për këtë përplasje të dhunshme. Emri i Bakos, doli dhe në dosjen e të pandehurit, Nuredin Dumani. Hajdar Bako shfaqej si një nga porositësit për eliminimin fizik të rivalëve të tij në dosjen e Nuredin Dumanit.
Nga dosja hetimore rezultonte se Dumani, ka dëshmuar se grupi i Erjon Alibej alias Agim Shurbi me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdor Bakos alias (Çopja), i thirrur shkurtimisht “Dari”, janë vënë në garë për të eliminuar njëri-tjetrin.
Vetë Dumani atë kohë pranoi para SPAK se kiste mbajtur kontakte me dy grupet rivale në Elbasan, atë të Erjon Alibej dhe Hajdar Bakos.
“…Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për tu ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë, do më jepte 300 mijë euro…”, shprehej Dumani.
Sipas informacioneve, operacioni i cili vijon ende nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme është vazhdim i “Plumbit të Artë”.
Operacioni “Plumbi i Artë”, i zhvilluar në maj të vitit 2022 goditi 8 grupe kriminale në Elbasan, Durrës dhe në Tiranë.
Operacioni u zhvillua menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u kap gjatë operacionit policor të koduar “Arratia” në Fier.
Gjatë operacionit policor të koduar “Golden bullet” janë ekzekutuar 18 masa sigurimi, prej të cilave 9 masa sigurimi janë ekzekutuar në disa IEVP, në ngarkim të shtetasve:
1.Nuredin Dumani, 35 vjeç
2. Henrik Hoxhaj, 40 vjeç
3. Altin Ndoci, 35 vjeç
4. Erion (Andrea) Alibej, 36 vjeç
5. Skerdi Tasi, 31 vjeç
6. Elvis Koçi (Çaushllari), 30 vjeç
7. Ilirian Feci, 47 vjeç
8. Enver Diva, 43 vjeç
9. Besjan Xhixha, 31 vjeç
Ndërsa 9 masa sigurimi “Arrest në burg” në ngarkim të shtetasve, të cilët u arrestuan gjatë operacionit:
1. Ardjan Uzuni, 56 vjeç
2. Leonard Palushi, 41 vjeç
3. Gentian Sharra, 48 vjeç
4. Fatos Gosa, 54 vjeç
5. Florenc Çekrezi, 35 vjeç
6. Petrit Qoli, 51 vjeç
7. Agron Qoli, 52 vjeç
8. Agron Qafa, 48 vjeç
9. Asllan Plaku, 30 vjeç.