Një skandal diplomatik është regjistruar pasditen e sotme në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, ku Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është tentuar t’i merret celulari personal nga sigurimi i aeroportit. Kjo ka shënuar edhe një konfrontim mes sigurimit apo stafit të Presidentes Osmani dhe sigurimit të aeroportit të Shkupit. Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina ka thënë se në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’i marrë telefonin personal presidentes. Pas incidentit, Aeroporti i Shkupit nuk lejuan aeroplanin komercial të nisej për më shumë se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejonte nisjen.
Presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi, të cilin e ka falënderuar për ndihmën e ofruar. Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka konfirmuar incidentin në aeroportin e Shkupit dhe konfrontimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me sigurimin, pasi kësaj të fundit iu kërkua të hapë valixhet e saj dhe të tregojë se çfarë kishte në to, por ka refuzuar. “Jemi duke u marrë me rastin në fjalë. Do ketë kumtesë për media. Ka qenë më shumë keqkuptim, gjithçka është në rregull”, tha Mexhiti. “E dashur Presidente, më vjen shumë keq për incidentin dhe skandalin e papranueshëm diplomatik në aeroportin e Shkupit dhe e dënoj në formën më të ashpër të mundshme”, ka thënë Ali Ahmeti. Këto komente, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas incidentit që qarkulloi kudo në media.