Në zonat muzeale por dhe pjesën tjetër të qytetit të Gjirokastrës, janë kthyer në shqetësim prania e bagëtive dhe mbetjeve.
Gazetarja Jonida Qirko, thotë se kjo është një problematik që kërkon ndërgjegjësim e banorëve të qytetit sepse ndodh gjatë tërë vitit dhe ndikon negativisht tek vizitorët.
“Bëhet fjalë për një rast i cili përsëritet gjithmonë, jo vetëm përgjatë sezonit veror, por edhe përgjatë 12 muajve të vitit në Gjirokastër. Situata e mbetjeje që depozitohen vend e pa vend dhe njëherazi të bagëtive të imta të cilat mbahen në lagje te ndryshme të qytetit, ashtu edhe në këtë kohë që është edhe piku i turizmit në Gjirokastër, ku këto të fundit shëtisin lirshëm si në zonën e pazarit, te Pazari i vjetër, te lagjet Tunavat, që janë më të frekuentuara edhe pikërisht për shkak të asetve tona turistike që gjenden në këtë zonë.
Është një impakt jo i mirë për turistët dhe një imazh jo i mirë për vet Gjirokastrës, ku bagëtitë e imta dalin në rruga dhe përpos aromave por edhe prezenca e qenve të cilët i rrezikojnë edhe jetën e banorëve, qytetarëve që vijnë ta vizitojnë por edhe turistëve, dhe kemi patur jo pak raste kur janë kafshuar nga këta qen.
Këto problematika janë të shtuara edhe ketë sezon turistik , ka pasur edhe posedues të staneve të cilët kanë improvizuar në shtëpitë e tyre dhe kanë thënë se e shohin si mënyrë për të jetuar pavarësisht se këtu ka resorte dhe turistë dhe detyrimisht ti shqetëson si aroma dhe prezenca e tyre në këto mjedise.”